(vijim)
Unë: Me një fjalë ju thoni se ato çka i quajmë “gabime të
arkitektëve dhe urbanistëve”, janë rrjedhojë e “trysnisë“ mendore, që vjen nga
masat e investitorëve të mëdhenj dhe të vegjël? Nuk do ishte më mirë, që
profesionistët të udhëhiqnin një lloj “revolucioni” në arkitekturën e një
vendi, në këtë rast të Shqipërisë?
APK: 100 vjet më parë, Corbyzjeja shkruante që: “Stilet janë të rreme. Vetë stili është një
bashkësi parimesh, që i japin jetë gjithë punëve të një periudhe dhe që sjell
një frymë karakteristike… Epoka jonë kristalizon çdo ditë stilin e saj…”
Pra nuk mund të jenë arkitektët ata që do përcaktojnë ose do udhëheqin mënyrën
se si konceptohet hapësira dhe mënyra e të ndërtuarit, por është epoka ajo që e
përcakton. Një periudhë “tranzicioni” në zhvillimet sociale, ato ekonomike dhe
ligjore do rezultojë në një lloj “kakofonie” stilesh dhe qëndrimesh ndaj
arkitekturës. Në fazat e para të zhvillimit të qyteteve shqiptare post-komunizëm,
projektet e “kioskave” të vogla dhe gjigande, vendosja e tyre në zonat qëndrore
të qyteteve dhe në parqe ishin vepra të arkitektëve dhe të urbanistëve. Edhe për
shkak të mosformimit shumë të mirë arsimor të profesionistëve, u bënë gafa nga
më të marrat, por kryesore ishte mendësia e “turmës”, që përcaktoi prirjet ndërtimore
të asaj kohe. Ndaj që të presësh se arkitektët mund të kryejnë “revolucion” në arkitekturë dhe më
shumë akoma të sjellin edhe një “revolucion social” është utopi e pastër.
Unë: Mua nuk më pëlqen idea, që arkitekturën e periudhës së
tranzicionit ta quajmë “arkitekturë tranzicionale”, sepse kam frikë se
tranzicioni shqiptar do zgjatë edhe 50 vite të tjera dhe më duket shumë pesimist
parashikimi se edhe në 50 vite të tjera hapat në konceptimin e ndërtimeve do
jenë shumë të vogla. Për më tepër kemi shembujt e Dubait, Katarit, Shangait apo
Moskës, ku edhe pse shoqëria është në tranzicion, investimet e mëdha kanë qënë
ndër veprat më në pararojë të arkitekturës bashkëkohore.
APK: Këtu kalojmë në një ide tjetër po aq të diskutueshme. A është arkitektura e një qyteti apo një vendi arkitektura e disa veprave të mëdha edhe nëse ato janë të gjitha të shkëlqyera? Unë mendoj që nuk është. Nuk mund t’i karakterizojmë ndërtimet e Bilbaos me cilësitë e “Guggenheim” të Gehry-t, as ato të Moskës me “Evolution Tower” të Kettle, apo edhe më tej arkitekturën e Barcelonës me veprat e Antonio Gaudit. Këto “perla” mund të shkëlqejnë edhe më shumë pikërisht se nuk kanë karakteristikat e arkitekturës të një hapësire të caktuar urbane. Karakteristikat më tipike janë ato që shihen në rrugët, parqet, banesat, në orientimin ndaj diellit, në përdorimin e ngjyrave dhe ngarkesën e dekorimeve etj.etj. Pikërisht në njësitë më bazë dhe më të thjeshta të arkitekturës të një qyteti, të një zone apo të një vendi. Ndaj në këto rrënjëza (dhe degëza) duhet të kërkojmë edhe se ku është arkitektura shqiptare e sotme, dhe se sa epoka në të cilën jemi e ka përcaktuar atë.
Unë: Atëhere duhet të kthehemi në idea e “international style”,
sepse sipas jush nuk mund të ketë arkitekturë kombëtare apo arkitekturë të një
qyteti të veçantë, i madh apo i vogël qoftë, pasi është vetëm “epoka” e cila përcakton
rrugën që do ndjekë trajtimi i hapësirave dhe ndërtimeve?
APK: Ju po më “ngarkoni” me gjëra që nuk i kam thënë edhe pse
vetëm para 5 minutash e e cikëm këtë ide. Citimi i Korbyzjesë nuk kishte të bënte
me nevojën për “international style”, por me rolin përcaktues që luan e gjithë
masa e investitorëve dhe projektuesve, në një kohë të caktuar dhe në një vend të
caktuar, në varësi të formimit kulturoro-shoqëror. Për ta thjeshtëzuar pak, le
të themi se miratimi i një studimi urbanistik pjesor varet nga tre “grupe” njerëzish
– ata që do e finanacojnë (developer), ata që do e projektojnë (arkitektë dhe
urbanistë) dhe ata që do e miratojnë (administrata lokale). Po le jashtë për rastin
e Shqipërisë, grupin e katërt dhe më të madh, që është opinion publik. Nga
konceptet ekonomike, shoqërore, kulturore, ndërtimore të tre grupeve të sipërpërmendur
do rrjedhë rezultantja e zhvillimit të një hapësire të caktuar. Nëse do
predominojë “ideja dhe formimi” i një grupi, kjo varet shumë nga “forca” e
investitorit, arkitektit apo administratorit, por gjithsesi në më të shumtën e
rasteve do jetë një rezultante. Në
vendet ku i jepet më shumë rëndësi opinionit publik, atëhere kjo rezultante është
akoma më pranë atij që quajmë “shpirti i epokës”. Por edhe në rastin e “demokracive
hibride”, si është Shqipëria, edhe pse “administratorët” mund të jenë shumë të
fuqishëm, arkitektura mbetet nën “kontrollin” e “shpirtit të epokës”. Psh. gjatë
viteve të para, kur Edi Rama ishte Kryetar i Bashkisë së Tiranës, jo vetëm
fasadat e vjetra të banesave kolektive i kthehu në “lulushanka”, por edhe ndërtimet
e reja që “miratonte” kërkonte të ishin të asaj fryme. Më pas erdhi në rrugën “normale”
të një lloj racionalizmi edhe pse si artist dhe karakter ishte dhe mbetet
ekzibizionist. Dhe jo pse pa në ëndërr Van Der Rohen apo Filip Xhonsonin, por
sepse ndjeu “trysninë“ e ideve të pëlqyeshme nga shumica e njerëzve,
profesionistë ose jo profesionistë. As “korrupsioni”, kjo dukuri kaq e përhapur
në “demokracitë hibride” nuk luan asnjë rol në përcaktimin e frymës së ndërtimeve
apo të stilit të tyre.
Unë: Si ka mundësi që arrini në këtë përfundim? A nuk është
korrupsioni ai që solli atë që quajmë “betonizim i qyteteve” dhe që vlen jo
vetëm për Tiranën edhe pse atje është më i ndjeshëm? Po rasti i (mos)mbrojtjes
së monumenteve kulturore dhe të arkitekturës, a nuk është pasojë e
korrupsionit?
(vijon)