Sunday, 2 September 2018

Mesues Shpendi (pjese)

(vijim)
“Më kërkojnë të bëhem bashkëpunëtor i Degës.”
Mësuesi heshti gjatë dhe më pa me vëmendje si për të kuptuar se sa thellë isha futur. Kishte një vështrim, që nuk më bënte të ndjehesha keq. Përkundrazi. Dukej si të më theshte nuk është fundi i botës. Më pas shtyu mënjanë pjatën e papërfunduar dhe pyeti:
“Në fshat apo këtu?”
“Operativi i kooperativës, por për këtu…Më kërkojnë t’i informoj përTerin. Ti e njeh. Ishte në një klasë me mua.”
“Teri që rrinte me Nilan e bukur? Po me se merret Teri?”
“Me asgjë. Në uzinë punon dhe merret edhe me shqipen e vjetër. Asgjë më shumë. Rri dhe me pleq.”
“Këta nuk të qepen kot. Edhe pse treçerekun e operativëve i kanë idiotë. Kanë diçka, që kanë erdhur deri te ti dhe nuk e gjejnë dot me spiunët që kanë në uzinë…C’farë i the operativit?”
“Nuk e takoj dot…Kam nënën sëmurë.”
“Ke menduar se çdo i thuash herën e dytë dhe të tretë?”
“…Nuk jam i prerë për këto punë…Kam hallet e mija…gruan për të lindur,pleqtë…”
“Do të thonë të të sjellim në qytet.”
“Më tha…”
Mësues Shpendi hiqte herë pas herë nga pak verë nga gota e tij dhe më vështronte.
“Nuk do të ndahen po u tregove i lëkundur. Veç duhet ta dish që nuk ke për tu afruar kurrë. Nëse je gati për këtë ju thuaj që është një punë, të cilën nuk e bën dot. Do gjejnë dikë tjetër.”
“Si ti them Terit?”
“Mos u nxito. Me siguri e ndjekin ndaj më mirë prit ta takosh diku rastësisht.”
“Km hall se mos thërresin babanë në Degë. Ai trembet shumë.”
“Jo. Do merren vetëm me ty, por ki kujdes mos të ndodhë gjë në punë. Atëhere do të bëjnë shumë presion deri sa të të thyejnë. Ka ndonjë mësuese që të vardiset? Se në fshat këto gjëra ndodhin.”
“Jo…Po sikur të shkoj e të ankohem në Kryetari i Degës, që duan të më bëjnë spiun dhe unë jam mësues letërsie?”
“Do futësh emrin në një rreth të madh të kuq…Si Zapata.”
Biseda me mësues Shpendin nuk ma hoqi dot atë fryrje të keqe të kraharorit. Noshta do i shkonin Zikut dhe Ivit. Ose ju kishin shkuar më parë dhe nuk më kishin thënë. Ne i tregonim çdo gjë njëri tjetrit. Sidomos për gjëra të tilla që mund të kaloheshin vetëm me shokë.
Ata dinin të të përçanin. “Mos i tregosh askujt. Sekret i plotë“. Kështu arrinin të të ftohnin me njëri tjetrin e të të ngjallnin dyshime edhe tek njerëzit, në të cilët besoje më shumë. A mbase isha unë i pari? Po pse mua? Dhe nëse do më ndaheshin e do shkonin tek shokët e mij? Po sikur njëri të thyhej? E të tregonte gjithshka edhe për terin edhe për bisedat tona? Ivit mund t’i bënin presion. Gjyshin e kishte pasur shumë të pasur dhe mezi e fitoi të drejtën e studimit. Ziku e kalon më lehtë. I jati është në Parti dhe mund ta mbrojë.
Ku ta takoj Terin?

(vijon)

No comments:

Post a Comment