Tuesday, 25 November 2014

Liceu Francez dhe shkolla “Raqi Qirinxhi”

Ka qarkulluar në Korçë, gjatë viteve të Diktaturës një “mit”, që gjimnazi “Raqi Qirinxhi” ka qënë vazhdimi i Liceut Francez(ose Liseut, si e quanin korçarët dhe liceistët). Nuk di nëse i ka pëlqyer të gjithë korçarëve apo vetëm asaj pjese të tyre, që kishin lidhje me gjimnazin, por fakt është, që miti i krijuar nga njerëzit e Diktaturës, për arsye tashmë , që dihen, ka ekzistuar dhe mundohet të mbahet I gjallë edhe sot.
Liceu Francez pushoi së ekzistuari më 7 prill, kur Italia pushtoi Shqipërinë dhe u kthye në Lice Kombëtar me programe të ndryshuara dhe më të cunguara se ato ekzistuese. Tradita asimore e Liceut si një shkolllë e mesme e fortë, mori fund në fillimin e viteve ’50 me kopjimin e plotë të programeve nga shkolla ruse(e cila duhet thënë se në shkencat ishte një shkollë e mirë).
Cilido, që mundohet të paraqesë shkollën e mesme “Raqi Qirinxhi”, me dashamirësi apo me qëllim, bën një gabim të madh për Korçën, arsimin e saj dhe arsimin në përgjithësi. Gjimnazi vetëm rregjistrat ka të Liceut francez dhe asgjë tjetër!
Në mënyrë sistematike, gjatë 45 viteve Diktaturë u shkatërrua ajo ç’ishte në thelbin e Liceut Francez dhe që mishërohej në thënien e njohur të Revolucionit Francez “Liri, Barazi, Vëllazëri”.
Shkolla nuk është vetëm programi, pedagogët dhe lëndët që jepen në të. Aq më pak është bankat apo laboratorët.
Shpirti i një shkolle janë idetë, që frymëzon, janë parimet njerëzore dhe morali , që përcjell tek nxënësit.
Me futjen nën sqetullën fashiste Liceu filloi të humbasë shpirtin e tij, i cili ju shkatërrua plotësisht në Diktaturë.
Me kalimin e viteve humbi edhe mënyra e vlerësimit të nxënësve, rreptësia në kërkimin e plotësimit të detyrimeve shkollore dhe sa cilësi të tjera, të cilat janë të karakterit tekniko-administrativ, por shërbejnë për të mbajtur një shkollë të fortë dhe nxjerrin maturantë të përgatitur.
Liceu Francez ka kohë, që ka vdekur dhe përpjekjet për ta ringjallur në fillimin e viteve ’90 dështuan ndoshta për mungesë interesimi të Ministrisë së Arsimit apo për mungesë interesi të Ministrisë Franceze të Arsimit.
Eshtë duke u dobësuar çdo dhjetvjeçar e më shumë ndikimi i madh , që pati në jetën kulturore dhe shoqërore të qytetit Liceu Francez. 12 vitet e ekzistencës së tij ndryshuan mentalitetin e shoqërisë korçare. E përmirësuan atë. E sollën më pranë Perëndimit.
Studentë nga më të mirët e Shqipërisë erdhën e studiuan në Lice dhe rritën frymën intelektuale. Pjesa më e madhe e tyre studiuan në Universitetet më të mira të Europës dhe një pjesë u kthyen dhe punuan në Korçë me profesionalizëm, përkushtim dhe ndershmëri.
Nuk mund të krahasohet fryma e bindjes ndaj Partisë, ideologjisë marksiste apo e servilizmit, që ushqehej në shkollat e diktaturës(përfshi këtu “Raqi Qirinxhiun”) me frymën e Liceut Francez.
I hodha këto rrjeshta për të hedhur poshtë “mitin” e vazhdimësisë.
Shkolla “Raqi Qirnxhi” ka pasur pedagogë të mirë dhe studentë të shkëlqyer edhe nën Diktaturë dhe ka qënë ndër shkollat më të mira të Shqipërisë, por kjo nuk duhet ngatërruar me Liceun Francez.
Pas 3 vjetësh do mbushen 100 vjet nga hapja e atij Liceu të bekuar!

Nëse nuk jemi në gjendje të ngremë një të ngjashëm, bëjmë mirë të ndezim nga një llambadhe të madhe në varret a atyre që ja bënë atë dhuratë Korçës e të ndjehmi me turp për atë, që nuk e kemi bërë dot një shekull më vonë!

No comments:

Post a Comment