Nuk e spjegova mirë pjesën se pse ndjehesha ‘fatlum”, kur më
thanë për një vend pune në fabrikë. Nuk ishte e vështirë të gjeje punë në
Kanada, si mund t’ju kenë dizinformuar të tjerë emigrantë. Në Kanada ka qënë
gjithnjë e lehtë për të gjetur punë, mjaft të kesh “eksperiencë kanadeze”. Po
pate “eksperiencë kanadeze” të marrin menjëherë në punë, por që ta kesh të
bekuarën duhet të kesh punuar në Kanada. Jo shumë vonë pasi të hysh në punë në
Kanada, ti quhesh menjëherë një individ, që ke “eksperiencë kanadeze”, por që të
hysh në punë për ta fituar “eksperiencën kanadeze” të duhet të kesh cazë të tilë.
Mund të duket e komplikuar, se mbase edhe unë nuk e spjegoj mirë, por po të
kini kohë e ta vrisni mendjen për 5-6 minuta do e kuptoni , që është në mënyrë
të përsosur e logjikshme.(Mua më mori 5-6 javë, por mos harrojmë , që ishte
viti i tmerrshëm 1997 dhe të gjithë ishim si të pritur në kokë.)
Due u ndjerë fatlum, edhe pse jashtë bënte “qameti”(sipas
simëje, që ishte ngritur më 4, që të më zgjonte mua më 4 e gjysëm)unë u ngrita
gjithë gaz atë mëngjes të 17 nëntorit 1997 dhe u vesha “dimërorçe” për tu
paraqitur në frontin e punës. Gazin ma shtonin edhe këpucët e reja, që kisha
mbathur, por ishte një gaz, që u shua shpejt, pas nja dyqind metrave në dëborën
e pashkelur.
Ata, që kanë punuar fabrikave në Botën e Re e dinë, që tre
muajt e parë, pjesa më e vështirë nuk është as teknoogjia dhe as monotonia, por
janë - këpucët. Duhet të blesh këpucë “të sigurta”, që duken si këpucët e
tjera, por i kanë majat dhe thembrat metalike, që punonjësi të mos humbasë
gishtat ose thembrat, kur objekte të rënda t’i bien në këmbë, ose kur të futë
padashur këmbën në tranxhë. “këpucët e sigurta” duhet t’I blesh vetë dhe
kushtojnë jo pak, por doemos si të gjitha gjërat, që të sjellin siguri. Për
vete bleva më të lirat, që edhe pse ishin pa qafë rëndonin sa trefishi i këpucëve
të dikurshme të zboreve. Ishin shumë të sigurta. (Gjatë ditës së parë të punës
mendova, që kapitalistët i kanë shpikur këpucët e sigurta, jo aq për të
mbrojtur këmbët e punëtorëve, por për të pasur siguri, që ata nuk do lëvizin
nga vendi i punës. Janë aq të rënda, sa të gozhdojnë pranë makinerisë dhe vetëm
kur vjen pushimi i ngrënies të bëhet të lëvizësh drejt dhomës së çlodhjes. Ama
je i sigurt, që nuk rrëzohesh lehtë. Qëndra e rëndesës, pasi mbath ato këpucë,
të ulet deri diku afër gjunjëve.)
(vijon)
No comments:
Post a Comment