Nuk është 34. Eshtë e njëjta 17 e nëntorit, sikundër sot,
por 17 vite më parë.
Rastësia e solli, të kaloja sot pranë një stacioni autobuzi
në kufirin e Totontos me Von(Vaughn) dhe dëbora më kujtoi ditën e parë të punës
në emigracion.
Binte një dëborë e madhe e shoqëruar me erë të fortë dhe unë
duhet të shkoja në Von të filloja punën në një fabrikë prodhimi pijesh
freskuese dhe nuk duhet të isha vonë. Puna fillonte më 7 të mëngjesit, por për
të arritur atje duhej të bënja 10 minuta më këmbë dhe pasi të udhëtoja 20
minuta me autobuz, të kapja një autobuz tjetër me të cilin do udhëtoja 25
minuta, që do më shpinte pikërisht në stacionin e autobuzit, që duket në foto.
Këtu do merrja autobuzin e fundit, i cili do më shpinte pas 10 minutash në afërsi
të fabrikës, jo më larg se 5 minuta më këmbë. Në mënyrë të përkryer unë mund të
arrija në punë 70 minuta pasi kisha dalë nga shtëpia, por meqë në këtë botë dhe
sidomos në pjesën ku futen autubuzat, asgjë nuk është e përkryer mua do më
duheshin plot 140 minuta. Të plota. Dhe jo në kushte dëbore të madhe të shoqëruar
me erë të fuqishme.
Por unë isha optimist. Pas 45 ditësh në Kanada, kur më në
fund i kisha dhënë të drejtë Benit për shprehjen “edhe në Kanada gënjejnë“
ndjehesha me fat, që kisha gjetur punë. Ose më mirë “puna” më kishte gjetur
mua, se ma solli “llokum në gojë“ një alarm i rremë zjarri.
Duhet të përmend, që në Kanada kanë më shumë frikë se ne nga
zjarri. Ne jo vetëm, që nuk i trembemi dhe ‘hidhemi në zjarr për ideale”, por
kemi edhe një shprehje, që thuajse e njëson zjarrin me paratë. “Nga zjarri dhe
nga paratë mos u tremb.” Pasi pashë gjithë kanadezët frikamanë të dilnin me
vrap jashtë apartamentit ku banoja dhe për mos u treguar fare i padijshëm dhe
joperëndimor dola edhe unë dhe u shtriva në një lëndinë për të pritur sa të
laheshin hesapet me zjarrin, që nuk kishte rënë. Nuk di pse u bë kureshtar një
fëmijë i vogël, që u afrua dhe më shikonte i çuditur, por qëlloi që fëmija
ishte i biri i një ish-komunisti grek, i cili pasi mësoi se unë vija nga vendi
fqinjë, të cilin para se të vinin kolonelët në Greqi komunistët e kujtonin se
ishte Parajsë, u shtrua në një bisedë miqësore me mua. Më vonë Stelioja(në
Kanada e quanin Stiv), kishte mësuar, që Parajsa komuniste e Hoxhës ishte jo
vetëm më keq se Greqia e Mbretit Jorgo, por edhe më djall se ajo e kolonelëve.
Duket, që idealet e përafërta, gjeografia dhe kureshtja e të birit e bënë, që të
më theshte se mund të nisja punë në fabrikën ku punonte si mekanik. E pranova
me gëzim dhe të nesërmen ai më shpuri për intervistë në manaxheri nga Gana.
Duket, që manaxherit nga Gana nuk ja mbusha synë dhe më tha, që do të lajmërojmë,
por kjo nuk e kënaqi Stelion, i cili pasi bisedoi veçmas me të më tha, që do
nisja të nesërmen. (Më vonë mësova, që i vëllai më i madh i Stelios edhe ai
ish-komunist, ishte një nga pronarët e fabrikës. Më vonë do takoja atje edhe të
tjerë ish-komunistë nga vende sh- komuniste dhe ish-antikomunistë po nga vende
ish-komuniste, që nuk pirdhnin më as për komunizëm dhe as për anti-komunizëm.)
(vijon)
No comments:
Post a Comment