Saturday, 22 November 2014

E martë e çartur

Njëri nga ne përmendi se ishte e martë
Dhe nuk qe si çdo ditë.
Silueta e qytetit tej liqenit dukej qartë,
Gjethet e skuqura
Si plagë i rrinin qiellit,
Ketrat e çoroditur
Bridhnin tokës e trungjeve
Dhe krejt papritur
Përfundonin të përgjakur nën rrota.
Rrethuar ishim nga një e pazkontë dritë.
Si në një tjetër Gjithësi,
E qelqtë,
                E lbyrtë,
                                E lehtë
Na dukej Bota.
Ti nise të këndoje
Nota të padëgjuara dhe që nuk kishin jehonë,
Por kur diçka takonin,
Ktheheshin në xixëllim.
Donim të rrinim gjatë,
Sa më gjatë në atë hapësirë lehonë,
Ku dheu me ajrin e ujin përzjerë,
Nën tinguj ndyshonin
E sërish përtëriheshin
Derisa në një tejpamëse lëndë,
Që dritën thellë mbante,
Shkriheshin,
Si në një të thjeshtë e të parë ngazëllim.
Më the:
-Shkruaj diçka,
Mbi të kthjelltën lëndë,
Do mbetet më mirë se ta shkruash në kartë.
Unë qesha lehtë.
Në cep të buzës të putha
Dhe të kujtova:

-Eshtë një e çartur e martë!

No comments:

Post a Comment