Atë pragmëngjesi pasi çava i pari dëborën(dëborëpastruesit
ishin të papërgatitur për furtunën e parakohshme) arrita në stacionin e
autobusit të parë, që do më shpinte nga Misisaga(qyteti ku banoja) në Toronto.
Ishim ngulur në Misisaga, jo se na ishte dukur emri tërheqës apo se kishim dëgjuar
më parë për të. Në Misisisaga ishte aeroporti, hoteli ku ndenjëm për 10 ditë
dhe Zampa. Zampa ishte një arkitekt sllovak, që drejtonte një firmë projektuese
dhe më kishte premtuar, se mund të më merrte në punë, pasi i kisha telefonuar
nga Shqipëria. Më kishte marrë në intervistë, që disa ditë pas
mbrritjes(recepsionistja argjentinase e hotelit më kishte këshilluar të shkoja
me kostum) dhe pasi e kishte kuptuar, që veç kostumit nuk kisha asgjë perëndimore
më pati premtuar, që do më merrte në punë “sa të fillonin dy-tre projekte të mëdha,
që kishin kontraktuar”. Po të mos ishte për Zampën, projektet që kishte
kontraktuar dhe garancin, që do më merrte në punë, unë përsëri do kisha përfunduar
në i njëjti pallat banimi, ku ra një alarm i rremë zjarri dhe ku njoha
ish-komunistin Stelio, sepse ai ishte i vetmi kompleks jo më larg se një orë më
këmbë nga hoteli pranë aeroportit dhe ku na pranuan edhe pse nuk ishim në punë.
(Gjetja e një banese me qera është një avaz më vete në emigracion, por nuk po
zgjatem dhe po ja le ta tregojë Beni, kur të ketë nge gjatë dimrit 2014-15).
Isha aq i preokupuar me arritjen në orar në punë, sa nuk më
shkoi fare ndërmend, që në të njëjtën ditë partizanët legjendarë kishin çliruar
Tiranën nga nazistët. Bile kisha harruar edhe të vetmen ngjarje, që kujtoj edhe
sot rreth Clirimit të Tiranës. Ma kishte treguar Pirro Kasati , bashkë me vetë
protagonistin e saj Anesti K., të cilit Shtabi i Përgjithshëm i ishte caktuar
detyrë të hynte në një nga lagjet e mbrojtura më mirë nga gjermanët, për të
marrë brenda një banese me qerpiç tiranase dy revolverë të një rëndësie të
jashtëzakonshme. Gjatë aksionit të suksesshëm, partizani 17 vjeçar kishte kapërcyer
pa u kacavjerrë dhe pa shkop një mur tre metro të lartë, rekord i pathyer deri
më sot as nga atletët më të suksesshëm në botë. Kuptohet, ishte Luftë.
Të dilje në mes të dëborës më 4.45 të mëngjesit vërtet nuk
ka asnjë ngjashmëri me luftën, por më shumë se frika të mundon ankthi i mbrritjes
në orar si dhe ai i të panjohurës. sa e lehtë apo e vështirë mund të jetë puna
në një linjë prodhimi të ngjashme me ato të “Korsevimit”. Dhe ishin akoma edhe
tre autobuzë, për tu hipur dhe zbritur, në stacionet, që kisha fiksuar një ditë
më parë, pasi kthehesha nga intervista. Dhe 6 dollarë, sepse sejcili autobuz i përkiste
një qyteti të veçantë dhe për sejcilin duhej të paguaje 2 dollarë në ato kohë të
bekuara. (Tani duhet të jetë rreth 3.)
(vijon)
No comments:
Post a Comment