Nuk di nëse do kem një ditë stërnip apo stërmbesë, por edhe
në mos paça, do ketë dikush tjetër në fisin tim apo mes shokëve të mij, me të
cilët kam origjinë të ngjashme dhe këndvështrim të ngjashëm të jetës dhe
historisë. Fundja po e shkruaj edhe për ta dëgjuar ndonjë tjetër stërnip
shqiptar, i cili do ketë kureshtje se nga vimë. (Ndoshta deri në atë kohë,
shkencat do kenë përparuar shumë dhe me anë të gjenetikës, mud të përcaktohet
lehtë rruga “e mundimshme” e geneve dhe do mjaftojnë pak cërka pështyme, që çdo
i interesuar të marrë në dorë një histori të hollësishme. Sigurisht do ketë
humbur poezia e përrallës ndaj dhe unë po shkruaj këtë “tërkuzë”, që i
interesuari ta ketë nëse nuk mjaftohet vetëm me të dhëna të thata shkencore.)
Që të kem një përqasje sa më pranë të vërtetës, duhet ta nis
nga koha jonë dhe të shkoj thellë në të shkuarën brez pas brezi, por meqë kjo
do davaritet në jo më tepër se 200 vjet do e filloj nga të mjegulltat kohë të
hershme të ilirëve.
“ Stërnip i dashur, një ditë prej ditësh, si të gjithë njerëzit,
që kanë bërë hije mbi këtë dhe, edhe ti do pyesësh “se nga kam ardhur?”. Unë po
tregoj se nga kam ardhur unë dhe prej kohës sime, kur filluan dokuemtat e
dixhitalizuara të gëlonin, mund të kuptosh lehtë se si janë degdisur genet e të
parëve deri tek ti.
Në fillim mbase ishte fjala(po qe se me fjalë do nënkuptoni
akoma kodin gjenetik) dhe disa mijra vjet më parë kohës sime, kjo ‘fjalë“ ishte
e trupëzuar në një mashkull ilir dhe në një femër ilire, që kishin ardhur nga
Kaukazi dhe ishin ngulur në një nga luginat e shumta të gadishullit të quajtur
më vonë Ballkan. Rruga prej Kaukazit deri në gadishullin, që laget nga deti i madh
i Mesdheut dhe nga deti më i vogël i Zi, është një rrugë shumë e gjatë dhe unë
nuk di, se sa breza nga të parët tanë, që flisnin gjuhën e bekuar ndenjën përkohsisht
në vende të tjera midis Kaukazit dhe Ballkanit. Në ato këhëra kuajt sa ishin
zbutur dhe vetëm disa nga prijësit kalëronin. Të tjerët ishin të detyruar të
ecnin më këmbë. Nuk di edhe se si i vinin rrotull Detit të Zi. Nga veriu, mes
stepave të Donit e Dnjeprit të pazëna akoma nga skithët, apo nga jugu, ku
jetonin të shpërndarë tributë, që më vonë do vinin në Ballkan, për të formuar
qytetet e para greke.
(vijon)
No comments:
Post a Comment