Ajo e ka fytyrën ngjyrë bezhë. Zgjodha ta quaj të tillë
sepse nuk do tingëllonte mirë ngjyrë dheri ndaj isha i lëkundur ndërmjet okër
dhe bezhë, por më duket se okra ka diçka më shumë të verdhë se çehrja e saj. Po
të mos kishte ngjyrën bezhë ajo mund të ishte edhe tërheqse, edhe pse ka një vështrim
të papërcaktuar , të cilin nuk mund ta quaj as djallëzor dhe as të egër.
Veshtrim bezhë? Jo. Eshtë një vështrim i sigurt dhe i keq ndaj nuk mund të jetë
bezhë. Një vështrim i keq dhe i sigurt, por që nuk të bën t’i ulësh sytë. Ndoshta
nga që ke dëshirë ta mundësh atë vështrim të keq.
Tiparet e saj janë të rregullta dhe si thashë mund të ishte
thuajse tërheqëse me një ndriçim tjetër në fytyrë. Sigurisht jo ndriçim të
gjelbër. Me atë do dukej gati rrëshqanor.
Po të kishte një ngjyrë tjetër në fytyrë, që nuk do ishte në
tonet e bezhës, okrës , të blertës dhe grisë gati mund të doja edhe të bëja
dashuri me të, por jo dashuri në kuptimin e mirëfilltë dhe të bukur të kësaj
fjale, por një lloj dashurie primitive dhe poshtëruese nga ajo, që ëndërronim
dikur si adoleshentë, për të vënë poshtë dikë të seksit të dobët dhe t’i tregonim
se sa “para i vlente lëkura”. Sigurisht jo duke e përdhunuar , por me dëshirën
e saj. Dikë, që nuk e pëlqenim, por nuk ishte pa vlera të fytyrës e trupit.
(Nuk di se si mund të isha në një situatë të tillë, po qe se
ajo nuk do kishte ngjyrën bezhë në fytyrë. Do ishte vërtet e sikletshme për
mua, se kurrë nuk do doja ta puthja ose t’i thoja ndonjë fjalë të ëmbël, nga
ato, që dalin papritur mes ofshamave. Do doja vetëm ta poshtëroja.)
Ajo punon diku, në një laborator ose në një punishte të
pastrimit kimik. Jam i sigurt, që e kam parë dy tre herë të veshur me një grykëse
të bardhë ose gri dhe me duart e rrasura në xhepa. (Nuk di se pse veshjet e
mjekëve , infermierëve, farmacistëve tek ne i quanin grykse. Asgjë grykse nuk
ka në to. Grykse fare mirë mund të quhej kravata ose shalli, por një veshje e
ngjasjme me një pardesy, që vishet në laboratore , farmaci apo mjedise të tjera
të ngjashme, ku nuk ka makineri, që mund t’i rrëmbejnë kindat e fundit dhe të bëjnë
, që gryksembajtësi apo grykëmbajtësja të përfundojnë brenda makinerisë deri sa
një tjetër punonjës i vonuar të jetë në gjendje të mbyllë çelësin e makinës.)
Ideja , që punon në një vend ku ka kimikate e bën vështrimin
e saj të papërcaktuar edhe më të rrezikshëm. Ajo duhet të ketë një ide shumë të
saktë të bazave dhe acideve dhe efekteve të tyre mbi pjesë të ndryshme të
trupit. Kjo mbase ja shton sigurinë e keqe vështrimit të saj. Duket sikur të
thotë ;“Unë e di, që ti do të më bindësh të bëjmë dashuri për të më poshtëruar,
por mos harro se fjalën e fundit e kam unë dhe kimikatet e laboratorit tim.”
Më e mira është ta harrosh ekzistencën e saj, së bashku me
ngjyrën bezhë të fytyrës dhe me vështrimin e keq, sigurinë e të cilit e shtojnë
kimikatet në laboratorin e saj, por nuk mundem. Pikërisht , kur më duket se e
kam harruar dhe jam shëruar nga kompleksi i bërjes dashuri për ta poshtëruar,
ajo telefonon dhe le një mesazh të gjatë, të sjellshëm e të sigurt me disa
aludime të lehta lënduese. Edhe pse nuk është alkimiste, ajo di të bëjë një përzjerje
të efktshme të fjalëve, tingujve dhe pauzave ndërmjet tyre, për të të lënduar.
Dhe menjëherë më lind dëshira për ta poshtëruar edhe pse e di, që ngjyra e
fytyrës do më frenojë dhe kurrë nuk do dua, që duart e saj të rrasura në xhepat
e grykses të bardhë ose gri të dalin dhe të vihen rreth qafës sime. Kanë edhe
ato të njëjtën ngjyrë bezhë, të cilën për efekt tingëllimi nuk po e quaj ngjyrë
dheri.
E mendoj me një buzëqeshje të ligë pasi ka ulur receptorin,
e sigurt, që ka arritur të më lëndojë dhe të ringjallë dëshirën time për ta
poshtëruar, duke pritur, që një ditë të bëj gabimin, që mund të më shpjerë në
shtratin e saj me të linjta të bardha ose gri dhe prej ku nuk di se sa i gjymtuar
do dal.
Më ka mundur edhe këtë rradhë!
Me një mesazh të lënë, i cili më bën të ndjehem i pambrojtur
nga e Keqja.
No comments:
Post a Comment