Friday, 21 November 2014

17 + 17 (shishet)

(vijim)
Në autobuzin e parë thuajse të gjitha ishin gra të veshura me pallto dhe xhakavento të errëta, ndërsa në autobuzin e dytë shumica ishin gra me pallto dhe xhakavento të errëta. Në i treti(për të cilin prita mbi gjysëm ore) vetëm shoferja ishte grua, kurse ata , që hipën bashkë me mua ishin burra me xhakavento të errëta. Vetëm burra ishin edhe në dhomën me dollapë vertikalë metalikë, ku linim veshjet e sipërme dhe merrnim syzet plastike dhe një lloj “skufaqke”, për të mos lëshuar qimet, që ende vazhdonin të braktisnin tullëzën time të paplotë.
Detyra e ditës së parë dhe e ditëve, që do pasonin, ishte të hiqja nga konvejeri shishet me etiketë të ngjitur keq, të pambushura ose të pambyllura mirë, ose pa “kodin” e shitjes. Sigurisht, që ishte shumë e lehtë dhe unë arrija, që të hiqja menjëherë atoqë i shin të pambushura ose të pambyllura dhe ato me etiketa të shqyera, se ato me difekte më të vogla më fluturonin para syve. Shishe, shishe dhe vetëm shishe. Brenda një turni të vetëm pashë aq shishe sa nuk kisha parë gjatë gjithë jetës sime, përfshi këtu edhe vitet kur shkonnim shpesh në dyqani i Takas, për të marrë lekë në këmbim të shisheve bosh. Gjithë javën e parë shihja ëndrra me lumenj shishesh, që shkonin shpejt dhe nuk arrija t’i kontrolloja.
Jo rrallë, shishet e vendosura në rrjesht dhe të shtyra në transportues drejt fundit, ku i prisnin “arkmortet” fillonin një lloj proteste dhe shpërthenin plot zhurrmë në një lloj “hara-kiri” kolektive. Pasi u gjenda i papërgatitur herën e parë dhe gati u fsheha nën transportues(ende nuk më kishte kaluar sindromi ’97, kur krismat nuk ishin gjë tjetër veç plumba kryesisht të kalibrit 76 mm) ndienja një lloj ngazëllimi me shishet , që shpërthenin. Akoma nuk ishte fashitur prirja për revolucione dhe luftra të drejta, e selitur me aq kujdes nga sektorët edukues të partisë, për 32 vjetët, që kisha jetuar nën Diktaturë. “Rebelimi “ i shisheve skllave, më jepte shpresë, që edhe “skllavëria modern” e imja nuk do zgjaste deri në moshën 65 vjeçare. Vërtet ishte iluzion, por gjithë jetën kisha kaluar nga një iluzion në tjetri dhe isha degdisur duke ndjekur iluzionet edhe deri në anën tjetër të Atlantikut.
Por shpërthimet e shisheve nuk mund të vazhdonin gjithë kohën, se në të kundërt vëllai ish-komunist i Stelios dhe dy pronarët e tjerë do detyroheshin të mbyllnin fabrikën e të linin pa punë Stelion, manaxherin nga Gana, polakët ish-antikomunistë, xhamaikanin pa parti dhe sikun, që ishte kategorikisht kundër tradhëtisë bashkëshortore. Transportieri ndalej, kuptohej se cila ishte arsyeja dhe vazhdohej me një shpejtësi pakëz më të ulët, që kthehej në një melodi nanuritëse monotone, nga e cila gati më zinte gjumi më këmbë. Melodia e shisheve i ngjante shumë muzikës së Shqipërisë së mesme ose asaj , që quajne tallava. Dhe tallavaja zgjaste nga 10 deri 12 orë, sepse orari nuk ishte fiks. Duhej të vazhdonte puna deri sa të mbarohej lëngu i prodhuar. Pas mbarimit të tallavasë, që të sillte gëzimin e kthimit në shtëpi, fillonte pjesa më e “bukur’ e pastrimit të gjithë linjës dhe makinës së ngjitjes së etiketave. Sigurisht jashtë kishte filluar mbretërimi i natës dhe pas 140 minutash unë do isha në tavolinën e ngrënies, ku më priste gjella e ngrohtë.
Në minutat e fundit duke ecur nëpër dëborën tashmë të shkelur nga qindra gra me pallto të errëtad he burra me xhakavento të errëta këndoja:
                Falmeshndet nana e Llesh Palit,
                Hiç mos t’dhimbet jeta djalit!
                Ke për djal Partin e Shtetin,
                Ke Enverin e Mehmetin,

                Që të mbajn si nanën t’vedin.

No comments:

Post a Comment