Wednesday, 5 November 2014

Dita e djeshme në atdhe.



Për fat të keq, edhe një vrasje absurde, për një zarf kokaine dje nga të gjithë ata, që merren me politikë në atdhe u shfrytëzua për të bërë politikë. Edi Rama me pasvanët e tij me një “show” të shëmtuar politike dhe opozita me në krye politikanin më ‘gjynahqar” shqiptar, Sali Berishën, për sulme të fëlliqura politike. Me të njëjtën gjë u morën edhe mediat pranë tyre si dhe ato të ashtuquajtura asnjëanëse.
Dje, në Tiranë, në mënyrën më idiote humbën jetën 4 njerëz dhe të gjithë përgjegjësit kryesorë për gjendjen e shoqërisë shqiptare vazhdojnë të akuzojnë njëri tjetrin.
Shqetësimi im nuk është për klasën politike, sepse ka vite, që nuk kam më pikën e besimit se ekzistuesja mund të bëjë ndonjë gjë për Shqipërinë. Nuk është as për Konstandin Xhuvanin. Njerëz të tillë ka pasur dhe do ketë në shoqërinë shqiptare sikundër ka edhe në gjithë shoqëritë europiane.
Shqetësimi im kryesor është për gjykatësit-prindër, mjekët-prindër, mësuesit-prindër, gazetarët-prindër, policët-prindër.
Kur do fillojnë të shkunden e të kuptojnë, që kanë krijuar një shoqëri të frikshme për fëmijët e tyre. Një shoqëri ku vlera e parasë i ka përmbysur gjithë vlerat e tjera.
Ngjarja e Xhuvanit risolli problemet e thella të shoqërisë sonë. Muaj më parë prokuroria kishte neglizhuar ta lëshonte urdhër arresti, se një ose disa mjekë të korruptuar i kishin dhënë një kartelë mjekësore fallco,
Dje një ish-prokuror humbi djalin e tij 19 vjeçar.
Tre vjet më parë, dy prindër nuk arrinin t’i mbushnin mendjen djalit të tyre, që kishte vrarë, të dorëzohej.
Dje u vranë me plumb në kokë edhe dy të tjerë.
Po tre vjet më parë, një prokuror kërkoi 3 vjet për vrasje duke future gjithë rrethanat e mundshme lehtësuese.
Dje u vra edhe një i huaj, që nuk njihte asnjeri në atë sherr absurd.
Po nga kush e presim vallë ta sjellë “në dinë“ shoqërinë shqiptare?
Nga Erion Braçe , që klith për “arritjen e një standarti të ri”?
Ndoshta ende ka kohë, që të mos lejohet shoqëria shqiptare të kthehet si Saturni.

Por pindërrit duhet të mendojnë më thellë se ç’po bëjnë për fëmijët e tyre!

No comments:

Post a Comment