Eshtë vonë ose është herët dhe e di që duhet të shkruaj diçka,
por nuk di përse të shkruaj. Më e thjeshta është të shkruaj për ashpërsinë e këtij
dimri, “I papam” në këto anë prej 20 vitesh, por duhet të jem i sinqertë, që
nuk e kam ndjerë në palcë, sepse palca mbase më është dashur. Po të shkruaj për
Bodlerin ose Poen do tregohem fare i cungët nga mendja dhe për vdekjet e këtij
shkurti nuk dua më të shtoj.
Ndoshta u mbaruan edhe ata për të cilët, sipas një shoku tepër
racional, “nuk i mbaj dot zhabat që kam në bark”, ndaj do flas për dikë që nuk i
përket ‘gjithësisë“ shqiptare. Bepe Grillon.
Duket që Lëvizja e tij po kalon kohë të vështira, falë
presionit të Tregjeve, Lojrave politike dhe mediokritetit të përfaqësuesve të
saj në Parlament. Senatorë të përjashtuar që bëjnë deklarata idiote, përkrahës
të tyre Brenda Dhomave të Parlamentit, që ndoshta nuk kanë kuptuar ende se ç’është
Lëvizja “5 yjet” dhe kundërshtarë po Brenda Lëvizjes, që në qëndrimet e tyre në
Mediat italiane nuk shprehin atë që shpreh Grillua apo Kazalexhio.
Përçarja e fundit e “5 yjeve” tregon dobësinë e një Lëvizje
të ngritur pa para në Internet. “Normal” do të të përgjigjeshin në çdo kafene të
atdheut, pa arritur t’i kuptosh nëse e kanë për përçarjen, dobësinë apo
Internetin. Lëvizja në vetvete ishte “anormale” sepse nuk ka preçedent të sajin
në asnjë vend të zhvilluar. I vetmi problem për mendimin tim, është paaftësia e
dy liderave të saj për të përgatitur Përfaqësues të popullit. Vërtet këta të fundit nuk kanë
pse të luajnë pas rregullave politike, por të paktën duhet të kenë të qartë
filozofinë e Lëvizjes dhe objektivin e saj. Në të kundërt, jo vetëm do
përçahen, por do duken qesharakë si po duken jo pak prej tyre. Në këtë rast do
fërkojnë barkun “putanat” e përhershme të politikës italiane Berluskoni,
D’Alema, Kazini e me rradhë të
promovuarit Alfano, Leta e Renci.
Ky djall profesion i “politikës kurvë“ do shkollën e vet
edhe në rast se do të luash pastër!