Friday, 1 November 2013
Korça dhe Feja
Jam matur disa here të prek këtë temë delikate dhe shumë të gjerë, por kam hezituar jo vetëm i ndërgjegjshëm për njohuritë jo të thella, por edhe për të raktifikuar më mire këndvështrimin tim, që duhet thënë se ka ndryshuar gjatë viteve. Shtysë u bë një shkrim shumë negativ në një gazetë shqiptare. Autori quhet Alfred Cako dhe nuk e di se sa mire e njeh qytetin tim.
Po them shkurtimisht, ato çka kam mësuar herët, kur feja nuk ishte ende e ndaluar me ligj. Në shtëpi edhe pse nuk flitej për Perëndinë apo nuk kishim ikonë dhe kandil si në shumë shtëpi korçare përmendej që ishim ortodoksë. Një here ose dy, pata shkuar në Mitropoli me mamanë, por veç një ndienje pak të frikshme nga lartësia e hapësirës brenda kishës dhe nga mungesa e dritës, nuk kujtoj gjë tjetër. Të njëjtën ndienjë provoja kur shihja rrugës priftërinjtë me veshjet e tyre të zeza dhe me një topuz të çuditshëm flokësh pas koke. Edhe këmbanat e së dielës nuk më ngjallnin ndonjë gëzim, ashtu si më bezdiste hoxha që këndonte në xhamia e vogël ose në e madhja (e Mirahorit). Dhoma ku flinim me motrën i kishte dritaret përballë dy xhamive dhe thirrjet në një gjuhë të pakuptueshme, shpesh na nxirrnin gjumin herët. Megjithë vetëdijen e të qenit ortodoksë, nuk denim as të luteshim dhe as të bënim kryqin. Për më tepër nuk ishim të ushqyer me përbuzje dhe aq më pak urrejtje pèr “turqit”, s'i i quanim, ne të krishterët e Korçës, myslimanët. Në kopësht, doja mbi të gjitha edukatore Mahmudinë dhe guzhinjere Halimenë, pa shkuar ndonjëherë ne mendje se ishin të vetmet myslimane. Edhe shokun më të afërt kisha Beni Zagorçanin, të dy prindërit e të cilit duhet të ishin të fesë tjetër.(Motra kishte shoqe të ngushtë motrën e tij.) Në pallatin ku jetoja, nuk kishte kurrë ndarje ose dallim mes fëmijëve të dy feve. Kjo vinte ndoshta edhe nga fakti, që shumica vinin nga familje me prindër komunistë, të cilët edhe nëse besonin ishin të detyruar të mbanin një qëndrim “politikisht korrekt” ndaj fesë. E megjithatë, në jetën e përditshme dihej një lloj ndarje me botën “matanë lumit”. Thuajse nuk shkonim kurrë në ato lagje, pasi nuk kishim miq ose të afërt, por edhe sepse pushtetet(i Zogut dhe i Partisë) nuk kishin ndërtuar asgjë tërheqëse në atë zone. Dy kinematë, teatri, Pallati i Kulturës, Biblioteka, ishin të gjitha në pjesët e qytetit të banuara tërësisht nga të krishterët. Nuk e kujtoj as kur kam kaluar për here të pare në një nga urat e Lumit, i cili në ato vite kishte filluar të mbushej për tu kthyer në shëtitore “Stalingrad”(sot “Fan Noli”). Por në formimin tim, në disa qoshe të mendjes, ishin fiksuar disa shprehje përçmuese të cilat nuk dija t'i ndaja nëse kishin të bënin me turqit e vërtetë apo me myslimanët. Qortohesha mos mbathja “çorape të grisuar si turqit”, apo mos “i lëpija gishta gjatë ngrënies si turqit”, të cilat nuk dija nëse ishin nga përvoja e babait në Stamboll apo se edhe “turqit” e Korçës bënin të njëjtën gjë. Kisha filluar të kuptoja edhe nga emrat se cilët ishin të krishterë dhe cilët myslimanë. Doemos, kjo më shumë për ato të të rriturve, se moshatarëve ju viheshin emra të rinj ose ilirë nga të cilët nuk mund të dalloje se ç’fe kishin prindrit e Vladimirit, Arbenit, Sokolit, Spartakut apo Zanas. I vetmi emër që më ngatërronte ishte ai Skënder, i cili tingëllonte turk, por përdorej shumë edhe nga të krishterët, si duket pas fillimit të Rilindjes Kombëtare.
(vijon)
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment