Friday, 27 November 2026

Filantropia – Altruizëm apo sëmundje mendore? (fund)

 


(vijim)

Për t’u përqëndruar vetëm tek ata, që kujtojnë se ajo çka bëjnë është një altruizëm i pastër, kurse në fakt është ose një sëmunjde mendore ose përpjekje për të gënjyer veten, do përmend shkurt, që veç Filantropëve, që duan që sistemi i rregulluar në favor të tyre të mos prishet, ka edhe nga ata, që krijojnë fondacione bamirëse për të mashtruar, ose për t’i përdorur për fshehje të taksave apo edhe për pastrim parash, ose të tjera transaksione të dënueshme nga ligji. Këta hyjnë në njerëzit me veprimtari kriminale dhe përbëjnë rreth 30%-40% të fondacioneve bamirëse në Amerikën e Veriut.

Për sa shkrojta më lart, Filantropët janë të tre kategorive, të cilat kanë dallime të qarta me njëra tjetrën. Nuk di të them se sa përqind e Filantropëve janë të kategorisë së tretë, që mendoj se vuajnë nga një apo disa sëmundje , që lidhen me qënien e tyre si Bamirës të mëdhenj. Por edhe pse “të vërtetë“ në marrëzinë e tyre, përsëri ata i sjellin më shumë dëme Njerëzimit se sa të mira. Nuk futen këtu mjekët ose arsimtarët, që shkojnë për të punuar pa para në Afrikë. Ata as që e quajnë veten Bamirës dhe ka shumë të ngjarë, që janë kundër atyre çka bëjnë Filantropët hipokritë, Filantropët mashtruesa dhe Filantropët delirantë.

Duke shkruar në paragrafët , që vijojnë, vetëm për këta të fundit, më duhet të them se deliret e tyre nuk i lenë të kuptojnë se paratë, që japin për një shkollë apo në një spital në një vend të mbytyr nga korrupsioni edhe nëse nuk preken nga administratorët e korruptuar, ju shërbejnë këtyre të fundit për të qëndruar më gjatë në pushtet, sepse zihet ndonjë nga “vrimat” e shumta të shkaktuara nga vjedhjet e tyre. Njerëzit e thjeshtë fitojnë një shërbim, që ju mungon, por ju zgjatet koha që do qeverisen nga administratorët e korruptuar. Këta të fundit ju japin çmime dhe dekorata Filantropëve, organizojnë ceremonira të bujshme dhe dalin edhe foto të cilat i ekspozojnë për të treguar se bashkëpunojnë me të huajt dhe i vlerësojnë. Me çmimet dhe fotot mburren edhe bamirësit delirantë, që kujtojnë se po bëjnë sakrifica me vlerë, të cilat i vlerësojnë njerëzit dhe më vonë do i vlerësojë edhe Perëndia. Harxhojnë paratë e tyre ose të dhuruesve të tjerë, që besojnë në “kauzat” për t’i dhënë paracetamol, shoqërive dhe vendeve, të cilat vuajnë nga kanceri.

Më se 30 vjet më parë, pata një përvojë timen me disa Bamirës dhe arrita të njihja karaktere të ndryshme, sjellje të ndryshme dhe motivime të ndryshme. Ishin të gjithë amerikanë dhe evangjelistë, që ishin përfshirë në një projekt të ngritjes së një Klinike Mjekësore në Shqipëri. Ideatori ishte një shqiptaro-amerikan i pasur, që kishte vënë në dispozicion të një organizate filantropike evangjeliste 100 mijë dollarë. Organizata quhej “Ambasadorët Mjekësorë“ dhe duket se ishte e përqëndruar në ndihma në këtë fushë për vendet në zhvillim. Kushti i “Filantropit” ishte, që klinika të kishte mbiemrin e tij, Allabashi. Duket se organizata do vinte paisjet për klinikën dhe do e mbante me fonde funksionimin e saj.

Projekti i ideuar të ngrihej në Tiranë dështoi, se duket ata që duhet ta miratonin në Bashkinë e Tiranës kishin kërkuar rryshfet dhe evangjelistëtë e kishin refuzuar dhe erdhën ta ndërtonin në Korçë, ku qëlloi që unë isha drejtues i Zyrës së Urbanistikës dhe miratimin ja u bëmë menjëherë. Rreth një vit më vonë ata erdhën me projektin për të filluar punimet, por edhe vetë projekti i bërë në SHBA ishte nga ata që cilësohen “jo për ndërtim” ndaj mbi bazën e tij funksionale unë bëra projektin e plotë, mbi të cilin filloi ndërtimi, ku më kishin caktuar edhe si koordinator për të, një detyrë diçka midis “general contractor”, që quhet këtej dhe asaj të një “supervizori ndërtimi” që quhet tashmë në Shqipëri. Pata kontakte me shumë nga të angazhuarit dhe më shumë me një ndërtues amerikan nga Teksasi, i cili vinte me shpenzimet e tij për të parë se si ishte ecuria e ndërtimit.

Shqiptaro-amerikani i pasur ishte tipiku i një Bamirësi arrogant, që donte të dëshmonte se me një dhurim të tillë, në Amerikë do i përuleshin në çdo shtet apo qytet që do e bënte, por ai kishte zgjedhur Shqipërinë për shkak të origjinës së tij. Kur kam emigruar këtej, kam parë se me 100 mijë dollarë nuk ndërtoje dot gjë të madhe në Amerikë, ndaj fryrja e Allabashit ishte fryrja e një të pasuri evangjelist, që donte të ndjehej se po sakrifikonte shuma të mëdha parash nga të tijat. Duke ja dhuruar organizatës filantropike, ato i uleshin nga taksat e biznesit të tij, që ende po e vazhdonte.

Funksionari i “Ambasadorëve Mjekësorë“ dhe mjeku amerikan, që do punonte si drejtues i klinikës, ishin të natyrës së punonjësve të këtyre lloj fondacioneve, që mbahen me dhurime dhe ndonjëherë të gjitha dhurimet e mbledhura mjaftojnë vetëm për rrogat e atyre që punojnë në Fondacion. Gjatë rrëmujërave të vitit 1997. mjeku me gjithë familjen u larguan dhe nuk u kthyen më në Korçë.

I vetmi nga të përfshirët , që më dukej vërtet altruist, ishte ndërtuesi, i cili ishte një evangjelist, që kishte një lidhje periferike me Fondacionin dhe që udhëtoi 5-6 herë nga Teksasi në Shqipëri me shpenzimet e tij duke lënë pas dore punën në kompaninë e tij të vogël të ndërtimit. Nuk di nëse ai angazhim i kushtoi 30 mijë dollarë apo më shumë, por ishte një njeri, që as donte të dukej dhe as t’i përmendje emri kërkund.

Për mua ishte një zhgënjim puna me “filantropët”, sepse kishte shumë zvarritje dhe nuk më dukej se gjithë ajo bujë që e shoqëronte, ja vlente për ndihmën konkrete, që po i jepej një lagjeje të qytetit të Korçës.

Ishte një provë më shumë, se Filantropia edhe pse shumë e pranishme në jetën e sotme të shoqërisë njerëzore, nuk duhet të ekzistojë në format e ndryshme që ekziston.

E megjithatë ajo “është“ si patericë e sistemit dhe si një mënyrë për të kënaqur shpirtërisht dhënësit dinakë apo të sëmurë, që shohin ngazëllimin dhe lotët e përfituesve.

No comments:

Post a Comment