Friday, 13 November 2026

Retorika e rrezikshme anti-izrailite


Sulmet kundër shtetit të Izraelit dhe hebrejve po shtohen së tepërmi në ekranet dhe në mediat tradicionale shqiptare. Në dukje si demaskim i Ramës dhe bashkëpunimeve të dyshimta të tij, këto sulme po i ndihin Ramës, përr të përdorur gjuhën e tij “antiIran” dhe “antifondamentalizëm islamik”. Gjithashtu vazhdojnë të shtojnë konfuzionin e krijuar tek publiku shqiptar asnjëanës, rreth planit të supozuar të “zbrazjes së Shqipërisë për të sjellë kolonë hebrej”. Nuk është aspak në dobi të shqiptarëve, por edhe të shtetit shqiptar, që shoqëria jonë të kthehet në një shoqëri me një ngarkesë të madhe antisemitizmi.

Po a na duhen ne marëdhënie shumë të ngrohta me shtetin e Izraelit?

Përgjjithësisht mendoj se ne na duhen marëdhënie të mira dhe shumë të mira me të gjitha vendet e Globit. Jemi një vend i vogël dhe nuk na duhen armiq. E megjithatë, Izraeli, duke qënë një vend mesdhetar dhe njëkohësisht një republikë demokratike na intereson edhe mbi shumë e shumë shtete të tjera të pellgut tonë. Për më tepër është një shtet me një fuqi të mirë ekonomike dhe njëkohësht mjaft përparura në shkencë dhe teknollogji. Pavarësisht nga politikat sioniste të ndjekura nga Bibi Ntanjahu, për ne është e mjaftë, që të jemi me ta në të njëjtën linjë sikundër është Brukseli.

Sot lexova një artikull të gjatë të Ferdinand Dervishit për ndihmën e madhe, që i ka dhënë këto muajt e fundit qeveria izraelite Ramës, për të shtypur protestat. Duket që një artikull i faktuar mirë që të mbush mendjen se izraelitët kanë luajtur një rol shumë negativ në shtypjen e protestave. Unë nuk i ve në dyshim faktet e renditura nga Dervishi, si edhe përpjekjet e qeverisë shqiptare për të fshehur gjërat. Por ka një POR të madh, kur do të akuzosh dikë për diçka që është kundër interesave të popullit shqiptar.

E para, çdo qeveri në botë do kishte dhënë mjete për të shtypur protestat , kur kërkohen nga qeveria e vendit dhe paguhet për to.

Vetë Dervishi përmend si fakt, që një biznesmen i lidhur me Ramën ka paguar për to dhe se buxheti i shtetit është prekur pak ose aspak. Nuk do e kundërshtonin as amerikanët, as turqit, as francezët, as anglezët dhe as grekët për të përmendur vetëm një fufë vendesh. Nuk ka asgjë negative të shesësh ndaj një vendi demokratik për forcimin e policisë dhe forcave të rendit. Shpesh, demokracitë e mëdha e bëjunë për Diktaturat këtë. Nuk ka asnjë shkelje ligjesh ndërkombëtare, që specialistë ushtarakë të ndihmojnë stërvitjen e trupave të një vendi tjetër.

Po pse u zgjodh Izraeli?

Unë nuk e kam idenë se sa kushton të marrësh specialistë nga Anglia, Franca apo Amerika, por di që izraelitët janë mes më të përparuarve për të trajnuar policitë dhe ushtritë e një vendi. Ndaj nuk është aspak marrëzi apo shkelje e interesave kombëtare të kërkosh ndihmë duke i paguar specialistët e atij vendi, me mjaft eksperiencë në veprime ushtarake dhe shtypëse brenda zonave të banuara.

Izraeli ka një histori të ndihmës ndaj vendeve diktatoriale, kur i shkon për shtat interesave të tij si shtet. E ka bërë me Afrikën e Jugut në kohën e aparteidit, me Ugandën e Idi Amin dhe me mjaft të tjerë. Gjithashtu mund ta bëjë edhe për Ramën pa shpërblim, për shkak të ndihmës së madhe morale , që i ka dhënë këto dy vjet Rama Bibi Netanjahut. Por kjo nuk ka përse ne si shqiptarë të kthehemi kundër shtetit të Izraelit dhe kundër hebrejve. Ka pasur shumë meme dhe video të IA me hebrejve ortodoksë, që vijnë në Shqipëri dhe që ndiqen nga shqiptarët trima apo edhe nga Skënderbeu. Të kujtojnë pllakatet antisemite të Gjermanisë që në kohën e Luftës së Parë dhe më vonë gjatë instalimit të regjimit nazist. Por nëse në Gjermani mund të kishte një lloj llogjike se ekzistonte një frymë antisemite dhe gjithashtu, edhe pse vetëm 1% e popullsisë, hebrejtë zotëronin mjaft pasuri, nuk di se cilit shqiptar i shërben antisemitizmi. Veç Ramës që ta shfrytëzojë çdo shfaqje të tij për të mbuluar kusuret e keqqeverisjes dhe vjedhjes dhe ndonjë grupi fondamentalist islamik, që është antisemit pavarësisht nga rrethanat.

Shteti izraelit është sot në gjendjen më të keqe për sa i përket emrit , që ka në botë për shkak të genocidit në Gaza dhe luftës me Iranin dhe goditjet ndaj Hezbullahut brenda territorit të Libanit. Qëndrimi i jonë i keq, në heshtjen për çështjen palestineze dhe më vonë në mbështetje të hapur të Netanjahut për politikat e tij shumë agresive në Lindjen e Mesme nuk ka pse të kthehen tani në të kundërtën e tyre.

Ne nuk kemi asnjë arsye të jemi antisemitë duke shtuar se nuk kemi qënë kurrë të tillë. Mund të jeemi mes shteteve më të moderuar në qëndrimet ndaj Izraelit, pa harruar gjithashtu se kemi një pjesë të madhe të popullsisë, që identifikohen si myslimanë dhe shumë shqiptarë të tjerë jashtë territoreve të Shqipërisë, që janë edhe më të vendosur në fenë e tyre. Antisemitizmi jo vetëm që është i gabuar në parim, por edhe përçan pa arsye popullsinë shqiptare në trojet shqiptare. Eshtë thellësisht antikombëtar edhe pse mund të shitet si një çështje e shënjtë për mbrojtjen e trojeve tona nga rreziku izraelit.

Dhe po i njëjtë është edhe qëndrimi absurd armiqësor ndaj Iranit, por që përbën një çështje për t’u trajtuar në një shkrim tjetër.


No comments:

Post a Comment