Dikur Sanatoriumi ishte pas një dere të madhe metalike, në fund të një rruge me kalldrëm. Nuk di nëse nga emri i frikshëm i tuberkulozit, apo se im atë kur nuk haja mirë më thërriste :”Ha se nuk kemi ndërmend të të shpiem në Santorium!” kisha një ndjenjë frike për atë ç’ka fshihej pas asaj porte të madhe metalike më duket se në një ngjyrë bojëqielli. Në vitet ‘60 kishte ende shumë të sëmurë me “oftikë“ që shtroheshin në Sanatoriumin e Korçës, i cili kishte një emër shumë të mirë. Mbase edhe nga mjekët e mirënjohur Ilia Papakozma dhe Taqi Skëndi, që kryesonin ekipin mjekësor të atij institucioni.
Deri në njëfarë viti ishte një spital i i pavarur nga spitali “Teni Konomi”. Më vonë ishte i përfshirë nën të njëjtën drejtori dhe mbase edhe numuri i pacientëve ishte më i pakët, sepse tuberkulozi ishte “mundur” në një farë mënyre gjatë viteve të Diktaturës.
Nuk jam i sigurt se kur kam hyrë për herë të parë pas asaj dere metalike dhe më ka lënë shumë mbresa qetësia gati solemne dhe njëkohësisht të krijohej ndjesia se je në një vend , ku natyra ndihmon shkencën, ose më mirë të thuash, që shkenca ndih edhe natyrën për të kuruar të sëmurët me probleme të mushkërive.
Më pas dera u hoq, rruga ishte e hapur dhe kishte institucione të tjera dhe një ditë prej ditësh pat futur “hundët” edhe Ministria e Mbrojtjes. E megjithatë, pishat nuk ishin prerë ndonjëherë, ose ndoshta ndonjë e vetme me miratimin e shokëve Balluku, Shehu, Hazbiu apo Murra.
Para dy muajve u prenë thuajse 80 pisha të drejta të atij parku dikur të shëndetshëm.
Nuk di nëse Sanatoriumi është ende në mjediset e Spitalit të dhuruar nga Turtulli, a është vendosur në ndonjë ndërtesë të re. (Për të ndërtuar të reja këtë Rilindasit janë të vetmit). Por nëse është ende në atë territor, dua të shkruaj dy fjalë për një mjek eunuk, që drejton sektorin e sëmundjeve pulmonare në Korçë.
Quhet Samuel Kristo dhe duhet të jetë djali i ekonomistit Paskal, që e shihja dikur korridoreve të Komitetit Ekzekutiv, se ka një ngjashmëri mbresëlënëse.
Me shumë mllef para disa javësh hodha një shënim për Julian Napolonin, që drejton RTSH Korça, që nuk pasqyronte atë krim mjedisor në qytein e tij të lindjes, por duhet të kisha shkruar më parë për këtë mjekun eunuk, që trembet se mos e shajnë “udhëheqësit e PS-së“ në Qark dhe në Ministri.
Por nuk është edhe aq eunuk, kur propagandon dhurimet, që bëhen në repartin e Onkologjisë edhe pse nuk ka lidhje me të. Për ato përmirësime mburren të gjithë, nga Rama në Peleshi, nga Raqka në drejtori i Spitalit dhe patjetër, që do “këndojë“ solo edhe mjeku pneumolog me emër hebre.
Samuel, apo Sam, apo Sem apo kushedi se si të quajnë, ti e ke detyrë primare të ngresh zërin për keqësimin e kushteve të ajrit në Korçë, që reflektohet drejtpërdrejt në mushkëritë e njerëzve. Unë nuk di nëse je si shumë mjekë, që presin të shtohen të sëmurët, për të rritur të “ardhurat në të zezë“. Mund të mos jesh i ngjyer në të tilla mesele të shpifura.
Por ngri zërin për ajrin e Korçës, që rëndohet gjithnjë e më shumë!
Lerja Onkologjikun specialistëve të tjerë si dhe filantropes Foti Kokeri, se mjaft janë ato zëra!
No comments:
Post a Comment