Tuesday, 10 November 2026

Një ndikues i keq


“Influencerat” nuk njiheshin në kohët , kur unë isha fëmijë , adoleshent apo i ri. Madje nuk kishin dalë deri në kohën kur po gatitesha të hyja në moshën e tretë. Lulëzuan në kohën e fuqizimit të platforma dixhitale të mediave sociale dhe janë mjaft të rëndësishëm sot. Kuptohet për ata , që i ndjekin se unë nuk ndjek ndonjë “influencer” dhe në rrethin tim nuk kam dëgjuar njeri, që të përmendë ndonjë të tillë.

Por ndikimi i njerëzve të veçantë ka ekzistuar, që kur ekziston shoqëria njerëzore. I atyre, të cilët ndikojnë mbi grupe të mëdha njerëzish, por edhe i më të rëndomtëve, të cilët ndikojnë për mirë a keq në një grup individësh, ose në dy tre syresh.

Kur vajza ime ishte në muajt e parë të klasës së parë, mësuesja i kishte vënë një shoqe tjetër në bangë dhe kur ime shoqe e kishte pyetur përse, ajo i kishte shpjeguar se ja kishte kërkuar si nder e gjyshja e vajzës, që donte të kishte bashkënxënëse një nxënëse me cilësi të mira. Edhe gjyshja ishte mësuese në një shkollë tjetër. Më erdhi mirë si prind, por njëkohësisht mu rikthyen kujtimet e fëmijërisë dhe adoleshencës sime, kur kjo jo vetëm nuk nuk kishte ndodhur, por kishte ndodhur e kundërta.

Unë isha damkosur si një “ndikues i keq” qysh në vitet e para pas fillores dhe dy tre shokëve të mij ju ishte kërkuar nga prindërit mos rrinin me mua. Nuk di nëse ju ishte kërkuar edhe mësuesve, që mos i linin në një bangë me mua, por me sa kujtoj, atë kohë, nuk kishim edhe shumë të drejtë të zgjidhnim me kë të rrinim. Kishte alternime vajza djem dhe njëkohësisht rrjeshtat caktoheshin edhe nga gjatësia e nxënësve. Kujtoj se më shumë më caktonin të rrija në anën e murit, në bangën e parë ose të dytë dhe nuk më pëlqente shumë e para se nuk isha në gjendje të fshihesha pas kurrizit të dikujt tjetër pasi bëja ndonjë paudhësi. Por banga e parë kishte avantazhin, që mund t’ju tregoje atyre, që ishin ngritr në dërrasë, gjë që e bëja me shumë dëshirë, se ishte një “shkelje” e rregullave.

E pranoj që isha “zullumqar”, njç lloj “rebeli i pandreqshëm” dhe që i “jepja gojës më shumë liri” se i takonte një 12 vjeçari, por nuk e di se si mund të ndikoja për keq tek shokët e mij. Ishin zullumet, rebelizmi dhe “hazër-xhevapi” ndaj mësuesve kaq tërheqës, sa mund t’ju pëlqente edhe bashkëmoshatarëve të mij? Për më tepër, këto nuk më kishin penguar të dilja mirë në mësime.

Gjithsesi e dija që nuk isha “i preferuar” i disa prindërve, por dhe ata duket se rrihnin ujë në havan, se shokët e mij vazhdonin të rrinin me mua. Duket prindërit nuk ishin kaq të mënçur të kuptonin se fëmijët joshen më shumë nga ajo që përpiqesh t’ju ndalosh.

Në fillim të gjimnazit, u morr vesh, që tezja e njërit nga shokët, këmbënguli tek mësuesit, që i nipi të mos ishte në klasë me mua, por me dikë tjetër, me të cilin edhe sot ai ka marëdhënie shoqërore shumçë të mira. Nuk ishte diçka, që të linte një shije të mirë, por mes shokëve e kuptonim , se nuk ishte zgjedhja e shokut tonë. Të rriturit kishin marrë një vendim të tillë. Qëlloi, që një vit më vonë, unë dhe një tjetër, përfunduam në po atë klasë dhe “plani prindëror” dështoi. Ndoshta në vite, për ndonjë dështim të shokut, tim faji hidhej tek ndikimi im i keq.

Kur gjërat përsëriten disa herë dhe me persona të ndryshëm, arrin që të pranosh si të natyrshme, diçka, që nuk është dhe aq e natyrshme. Unë nuk doja tek ndikoja tek askush, por as mund të kontrolloja sjelljen time, për të mos “infektuar” të tjerët. Vetë e kisha “pësuar” disi, me thyerje të notës në sjellje, kërcënim për përjashtim nga rinia dhe ndalim për të hyrë në provimet e maturës. Po qe se nuk do kisha frikën se do e mësonin në shtëpi dhe do më qortonin, do më dukshin të gjitha si ‘hynere”, sepse ndoshta kjo është tipike tek paraadoleshentët dhe adoleshentët. Po edhe prindërit e dinin se ç’lloj “monstre” kishin dhe nuk vinin gjatë gjimnazit të interesoheshin për mua. Vetëm kur i detyronin të vinin. Më të shumtët e prindërve vinin dhe takonin mësuesit, ose merrnin pjesë në mbledhjet mësues-prindër-nxënës, por kishte dhe nga atq, që si të mijtë, nuk donin të takoheshin me ndonjë mësues kaqol apo me drejtorin grindavec. Ishte një qytet ku njerëzit njiheshin dhe pak a shumë të rriturit ja njihnin njëri tjetrit se sa dhëmbë e dhëmballë kishin në gojë. Por nuk ishte një vend i lirë ndaj mënyra që kishin zgjedhur ishte një lloj “bojkotimi” i trupës mësimore.

Kur mbaruam gjimnazin, ju dhashë të drejtë prindërve të shokut tim, që nuk donin që ai të ishte nën ndikimin tim. Ata donin një fëmijë të sjellsjëm, në marëdhënie të mira me mëuesit, që edhe vetë prindërit mund t’i kapnin syhapur herë pas here, për t’ju kërkuar nota të mira, për të pasur mundësinë e studimeve në universitet. Dikush , që mund të më imitonte mua, nuk do kishte mundësi që nga nota 6 të kërcente në 9-ta apo ndonjëherë edhe më lart. Edhe pse vetë nuk kishin “qullosur” dot gjë në shkollë, ata ishin aq të zgjuar sa të dinin rrugën e duhur drejt majave të dijes. Gjithashtu nuk mund të dallonin nëse një “konformist’ është i mirë apo jo i mirë, sepse edhe vetë ishin konformistë “par excellence”.

(vijon)

No comments:

Post a Comment