Populli është emri kolektiv më i dashur për qëniet njerëzore. Nuk di nëse e kuptojmë vërtet se ç’është populli dhe a e duam vërtet, apo thjesht ngazëllehemi , kur e dëgjojmë, se i tillë është programuar truri jonë, që kur kemi nisur të mësojmë fjalët e para.
Nuk dua të prek në këtë shkrim, politikanët dhe mendimtarët, që e përdorin shumë fjalën “popull”, për të arritur qëllime të caktuara, sepse kur nuk ju vjen populli për shtat nisin e quajnë “turma”, “vulgu”, “gjindja”, “plehrat”, “kokëpalarët” dhe plot emra të tjerë popullorë, që i ka nxjerrë vetë populli dhe përdoren kundër tij.
Dua të them diçka, për përdorimin e tepruar, që oratorë të veçantë, ose edhe gazetarë dhe filozofë, ju bëjnë atyre, që i quajmë “shprehje popullore” ose edhe “proverba”. Ka autorë që e mbivlerësojnë rolin e proverbave në përcjelljen e dijes, pasi i quajnë forma të koncentruara të nocioneve filozofike, por edhe të jetës së përditshme. Shprehje të shkëputura nga Bibla, ilustrojnë shpesh tema të caktuara të një folësi, që zakonisht mbron ose shtjellon një ide të caktuar.
Përgjithësisht jam kundër përmendjes vend e pavend të proverbave. Ose edhe të thënieve të njerëzve të shquar. Mendoj se përdorimi i tyre nuk duhet të jetë një lloj mburoje për atë që thua ose shkruan. Mund ta përdorësh, kur të vjen ndërmend, se s’mund të thuhet më mirë dhe të përmendësh për korrektesë emrin e autorit, ose edhe vetë popullin, por po e ritheksoj, në mënyrë rastësore dhe jo si qëllimnë vetvete.
Pse jam disi kategorik në këtë pikë?
Që në adoleshencën e hershme, më pat rënë në sy, që shprehjet popullore, që konsideroheshin “filozofi e jetës”, të cilat ndosha edhe i mësonim në lëndën e “Folklorit”, kishin në përgjithësi edhe “të kundërtat” e tyre. Jeta është e tillë, që edhe dukuri të njëjta mund të shihen në mënyra të ndryshme, por pikërisht kjo dëmton “universalitetin’ e një thënieje.
Po përmend një shprehje, që ndoshta është e huazuar nga popuj të tjerë të Euroazisë: “Mos e shiko nga dhëmbët një kalë që të falin.” Duket si krejtësisht e logjikshme për të ilustruar nevojën e të qënit mirënjohës, por unë do thoja – “Jo, unë do e shoh nga dhëmbët, sepse ti nuk po më thua, të dhuroj këtë kalë plak, që ta shpiesh për t’a bërë sallam!” Nëse do më thoje këtë , sigurisht që do ishte e gabuar, meskine, që përsëri t’a kontrolloja. Por ti më thua “po të dhuroj këtë kalë!”, që presupozohet se unë do e përdor për të kalëruar, për gara me kuaj apo për të më shirë lëmin. Ndaj kam plotësisht të drejtë, që duke të falenderuar, të shkoj edhe gishtin brenda gojës të tij dhe të shoh në i ka mbetur ndonjë dhëmb.
(Kjo e kalit më solli në mendje një mikun tim të ndjerë, shumë i mirë, i cili kur mësonte gjermanisht, kishte qënë shumë i fokusuar në proverbat gjermane. Më tregonte se shumë herë i çudiste edhe gjermanfolësit me njohuritë rreth proverbave të tyre. Përmendte se vetëm me kuaj dinte dhjetra të tilla. Më pat këshilluar edhe mua, që si dikush, që shkruante ndonjë libër, të blija një libër shumë voluminoz me proverba në anglisht, të cilin ai e kishte në shtëpi. Unë nuk e ndoqa këshillën e tij.)
(vijon)
No comments:
Post a Comment