Nuk e kisha dëgjuar më parë senatorin nga Xhorxhia, Osof, se po bëj ndoshta më shumë se dy vjet, që nuk ndjek rregullisht lajmet nga politika amerikane. Prej kohës së gjumashit Xho dhe më pas gjatë vitit të fushatës qesharake, të ndjekur nga drejtimi prej kllouni të çmendur të Globit nga “The Donald”, hoqa dorë nga ndjekja me skrupulozitet e lajmeve dhe u përqëndrova më shumë në intervista të njerëzve të mençur Xhefri Saks, Xhon Mershmajer dhe të ndonjë tjetri, që për fat të mirë, ishin të pranishëm thuajse çdo ditë në YouTube.
Një mik i mënçur i imi më dërgoi para disa ditësh një video të shkurtër të Osof me komentin, Presidenti i ardhshëm i SHBA. Nuk e ndoqa videon, por i besoj gjykimit të mikut tim. Sot në mëngjes, u ndërmenda të shoh, se ç’është ky senatori rinosh nga Xhorxhia. Dhe me keqardhje mësova, që ai ka shumë të ngjarë të jetë Presidenti i ardhshëm amerikan, gjë që do errësojë plotësisht figurën time në ngjitje. Mund të duket si përcaktim qesharak, se ç’lidhje kam unë, një emigrant në pension në Sherbrooke me dikë që do punojë pas dy vjetësh në Zyrën Ovale. Por ja që ka. Osofka ka lindur në të njëjtën ditë me mua dhe me siguri që do bëhet njeriu më i rëndësishëm në Glob, që ka lindur më 16 shkurt. Deri tani e mbaja me krenari vendin e njeriut më të rëndësishëm të lindur në palcën e dimrit.
Por duhet të pranoj, se Osof ka plot merita, që jo vetëm e bëjnë të mundshme të dalë i pari në garën mes demokratëve, por gati të sigurt fitoren pas saj. Se në mënyrë absurde deri tani, në sondazhet për kandidatin më të pëlqyeshëm mes demokratëve, vendin e parë e mbante Kamala Harris. Një kandidate, e cila humbi garën kur kishte para njeriun me fytyrë portokalli. Po qe se do isha mes demokratëve me ndikim, do i kisha sugjeruar “Qemalkës” të gëzonte pensionin dhe të shkruante tre katër libra, që nuk do i lexonte kush, por do shiteshin vetëm për shkak të emrit.
Osof ka shumë cilësi që e bëjnë një kandidat të pëlqyeshëm dhe fitues. Shkollim të mirë, fitues në gara elektorale në jug të Amerikës, ku republikanët kanë shumë mbështetje, mbështetje nga brezi Z për shkak të moshës së re dhe përdorimit të Tik-Tok, si dhe të qënit i bardhë. Për fat të keq, deri më sot vetëm një President amerikan ka qënë me ngjyrë. Edhe pse i jati i Osof është hebre dhe vetë Xhon e quan veten të tillë , ndonëse e jëma nuk është hebre, duket që koha ka ardhur për të pasur një President, i cili nuk është i krishterë. Amerikanët janë më tolerantë në këtë drejtim se sa në shekullin e kaluar.
Ka ende kohë. Asnjë kandidat nuk ka nisur ende fushatën elektorale, por muajt e parë të vitit, që vjen do kenë një numur të madh demokratësh dhe republikanësh që do fusin emrin e tyre në garë.
Osof do jetë në kandidatët me shanset më të mëdha për të fituar më 2028.
A kam ndonjë ide rreth politikave, që do ndjekë?
Asnjë ide, madje as edhe ndonjë besim të madh se do bëjë çudira.
Por të paktën nuk do jetë si JD Vance, Rubio apo ndonjë çartalloz tjetër i MAGA-s.
No comments:
Post a Comment