(vijim)
Përgjithësisht ata , që identifikoheshin si “të besuarit e Partisë“ dhe që ishin edhe të paturp vrapuan nën hijen e Flamurit, njëkohësisht edhe duke kritikuar “kozmopolitizmin”, “Europën kurvë“ dhe natyrshëm Turqinë, Greqinë dhe Sërbinë. Të gjithë fajtorët për padrejtësitë, që na ishin bërë si popull dhe që na kishin lënë pas. Herë herë përmendnin edhe se “Enveri vërtet , që vrau ca, por për Shqipërinë linte kokën!” Përralla e “bacë Enverit’, qarkullonte edhe në disa pjesë të shoqërisë kosovare, veçanërisht ata, që nuk dinin për masakrat e shqiptarëve kundër shqiptarëve, gjatë hyrjes së brigadave çlirimtare për të ndihmuar ushtrinë e Titos. Enver Hoxha nuk pat qënë kurrë patriot, por për të mbajtur pushtetin e tij personal mund të vishte çdo lloj kostumi.
Deri në fundin e viteve ‘60, çështjet e Kosovës dhe Camërisë nuk prekeshin fare as në “Zëri i Popullit” dhe as në Kongreset apo në Plemiumet programatike të Partisë së Punës. Madje kishte dhe një hije dyshimi mbi kosovarët nga shumë shtresa të qyteteve, ndërsa në fshatrat e Shqipërisë së Jugut njerëzit thuajse nuk kishin asnjë ndjeshmëri për pjesën e veriut të Shqipërisë të mbetur jashtë kufijve të vitit 1913.
Dukej se Berisha, si i ardhur nga malësitë e Tropojës, do ishte më i ndjeshëm për çështjen e Kosovës, se sa Nanoja dhe “socialistët” e tjerë, që i binin gjoksit për Shqipërinë, por që duke qënë pjesë të Partisë së Punës, udhëzimet e të cilës kishin patur kontradiktën për të dalluar popullin nga proletariati dhe patriotizmin nga internacionalizmi proletar, kishin trashëguar këtë , që po e quaj “nacionalizmin enverist”. Por edhe Berisha, ndonëse në retorikë dukej shumë patriot i flakët për Kosovën dhe Camërinë dëshmoi se edhe ai mendonte vetëm për atë, që i shkonte për shtat pushtetit të tij personal. Që nuk i bëhej vonë për Shqipërinë e tregoi më 1997, por edhe më vonë në mbajtjen e krahëve të ndryshme të shoqërisë kosovare, në varësi se kush ishte me socialistët e Nanos. E gjithë ajo kontradiktë u përcoll edhe në vrasjet e Kosovës, ku kishte krahë politikë, tregëti armësh, vjedhje masive dhe ku u shfaq edhe patriotizmi i rremë i një pjese të tropojanëve.
Pra “patriotizmi i Esad Pashës”, që i njihte mirë valutat e huaja, ishte përcjellë në shumë udhëheqës shqiptarë prej Hoxhës dhe më tej. (Tek Hoxha valuta ishin mbështetja për të ndenjur në fron). Pat shpëtuar nga ajo sëmundje Ahmet Zogolli, nipi i Esadit, por dhe ai kishte futur duart në “arkat e shtetit shqiptar” dhe ndonëse jo me akte të qarta tradhëtie ndaj çështjes shqiptare nuk ishte dhe ai një patriot i kulluar.
“Tironsit” e tipit Nano, Pashko, Rama dhe ndonjë tjetër nuk e vrisnin shumë për “çështjen kombëtare”, pasi kishin edhe një natyrë personale disi më kozmopolite, por për “t’rrejt katundarët”, sigurisht që do e tundnin nga pak flamurin. Dhe në të njëjtën mënyrë do e ndiqnin edhe ndjekësit e tyre.
Tek emigrantët në Amerikën e Veriut (ata të pas ‘90) shihen disa lloje patriotizmi/nacionalizmi. Duke qënë qytetarë të dy vendeve me popullsi të madhe emigrantësh, dashuria për Atdheun dhe mbështetja e tij vjen në disa lloj mënyrash. Ka nga ata, që vërtet kanë mall për vendin, njerëzit, gjuhën dhe mundohen t’ja u përcjellin të njëjtat ndjenja edhe pasardhësve; ka nga ata, që dashurinë për Shqipërinë e kanë të përzjerë me një ndjenjë epërsie si europianë të bardhë dhe e kanë të shoqëruar me racizëm ndaj njerëzve me ngjyrë; si dhe nga ata që ende mendojnë se ne jemi shumë të ve]antë dhe nga gjuha jonë kanë rrjedhur edhe të tjerat hindo-europiane, si dhe kemi nxjerrë shumë figura botërore, të cilat na i kanë “vjedhur” të tjerët.
(vijon)
No comments:
Post a Comment