(vijim)
Po ku është e keqja e këtij nacionalizmi të verbër, që në titull, po ja atribuoj kryesisht sho Enver?
Po e përsërit brenda shkrimit, që Hoxha nuk ishte as patriot dhe as nacionalist i verbër apo me sytë e hapur. Duke qënë Diktator dhe pasi e mësoi “artin e Diktatorit” duke parë Stalinin, Musolinin, Hitlerin dhe të tjerë diktatorë të shekullit të XX, në varësi të fazave të pushtetit të tij ai ndërtoi “mitin” e Partisë së pagabueshme, që ishte Ai vetë. Pak a shumë si tek Majakovski : “Ne themi partia dhe mendojmë Lenini, ne themi Lenini dhe kemi thënë Partia”. Ai e dinte, që represioni i shoqëruar me propagandë aktive i bën njerëzit të mendojnë se vërtet - “Shqipëria është fener i marksizëm-leninizmit”, “Enver Hoxha është ndër burrat e shtetit më të zotë në botë“, “Popujt në botë mezi presin të dalin në gjuhët e tyre veprat e sho Enver” dhe përralla të tjera, që i bëjnë të paditurit të ndjehen krenarë. Shumë të rinj të vendit të izoluar ndjeheshin krenarë, që kishin lindur në Shqipëri dhe për më tepër në kohën e prijësit Hoxha. Në pjesën më të madhe, kujet histerike kur vdiq Udhëheqësi ishin të vërteta.
Por popujt e varfër dhe të vegjël kanë nevojë për “mite” të tjera, kur bie një mit, sikundër i ndodhi shqiptarëve në vitin 1991. Eshtë domosdoshmëri për mos u ndjerë i vogël dhe i përbuzur.
Këtu merr vrull “miti” i përkundur gjatë Diktaturës, se ne jemi një popull i vjetër, trim dhe liridashës. Dhe i shtohen edhe shtresa të tjera, ato të njerëzve të shquar, që kemi nxjerrë , të të qënit gjuha mbi gjuhët dhe të krijimit të mitologjisë greke, e cial u përvetësua nga të ardhurit rishmë.
Nuk di të them nëse ata që janë në pararojë të këture teorive janë sharlatanë apo kaqolë, por vetëm di, që gëzojnë një emër shumë të mirë mes shqiptarëve të trojeve tona, si dhe atyre të Diasporës. Nuk di se sa përplasen në platforma dixhitale me sërbët, grekët apo me ballkanas të tjerë, se nuk kam qënë i pranishëm në të tilla, por besoj se ndodh në stil të gjërë, sepse mes grekëve, sërbve, malazezve dhe maqedonasve ka sa të duash idiotë të ngjashëm.
Mbushja e shesheve të vendbanimeve shqiptare me lapidare, buste dhe shtatore ishte vepër e Partisë së Punës, që donte të përjetësonte idenë se 29 nëntori i vitit 1944 ishte viti 0. Por kjo mendësi mbetet edhe sot, ku vërtet shumë skulptura janë hequr dh eshumë lapidarë janë rrënuar, por tentohen të ngrihen të tjera, të historisë së vjetër dhe të historisë moderne të Shqipërisë. Nuk jam i sigurt, nëse ndodh e njëjta gjë në Kosovë, por trembem se dhe atje ka ngjashmëri. Nisem edhe nga nritja e shtatores së Klintonit , që në gjallje të tij, që është një tjetër cilësi e popujve të vegjël dhe që nuk janë të sigurt për vlerat e tyre.
Historia, ngjarjet historike dhe përkujtimi i tyre si dhe e figurave qëndrore nuk duhet të jenë në varësi të emocioneve apo më keq e politikave të çastit. Ndërgjegja kolektive duhet të jetë shumë e ftohtë dhe e matur për to. Nuk vjen asnjë e mirë për një popull që “të fryhet” për më shumë se ç’është, apo edhe për t’i rënë daulleve të “nacionalizmit” më shumë se sa duhet. Në rastin më të mirë është një ndjenjë e rreme, nga e cila një ditë gdhihesh i zhgënjyer, por në rastin më të keq zgjohesh me armiqësi të panevojshme.
Kohët janë të tilla, kur “nacionalizmi i verbër” është rritur shumë në të gjithë Europën dhe veçanërisht ballkanikët shquhen në këtë drejtim. Nuk do shumë mend të shohësh se si e përdorin atë izraelitët, turqit dhe grekët, që po përfshihen në këmbime fjalësh të ashpra për Mesdheun lindor. Interesat janë të zonave naftëmbajtëse në det, por të gjithë i janë drejtuar Historisë, Biblës dhe Kuranit, për të evokuar lavditë e tyre dhe kontributin në Historinë e Njerëzimit. Erdogani ka kohë që ngjall nostalgjinë e Perandorisë Otomane tek turqit, grekët kanë 200 vjet që mburren me Greqinë e Lashtë dhe periudhat helenike, ndprsa hebrejtë tundin librin më të njohur në botë, Dhjatën e Vjetër, për të përligjur qëllimet e tyre ekspansioniste.
A duhet të kemi edhe ne turravrapin e tyre për të mos mbetur pas?
Unë them se është tërësisht e gabuar, se ai të shpie në “sherre të përhershme” dhe në shtimin e rrezikut të konflikteve të armatosura.
A na i ka fajin sërish sho Enver?
Nukk është pa faj, se ndenji 40 vjet në krye të vendit, dhe në periudhën e fundit e “yshti” nacionalizmin, por në dallim nga shumë shqipttarë të tjerë, të zotë dhe të pazotë, nuk ishte aspak patriot.
No comments:
Post a Comment