(vijim)
E gjitha fillon pikë së pari me pyetjen e thjeshtë: “Kujt i duhet Filantropia?”
“Dashuria për Njerëzimin” (Filantropia) lind në kushtet, kur bashkësia nuk është në gjendje të ndihë fatkeqët. Ose le të themi edhe dembelët.
Njerëzit kanë një marëveshje mes bashkësisë së tyre, qoftë ky shtet apo pjesë e një shteti, për të paguar të gjithë një pjesë të të ardhurave për të mbajtur një “aparat burokratik”, i cili bën gjërat që ju shërbejnë të gjithëve, duke fillluar me mbrojtjen nga të tjerët, mbajtjen e rendit brenda bashkësisë dhe deri në arsimimin e fëmijëve dhe kujdesin ndaj sëmundjeve për të gjithë. Ky aparat gjithashtu bën mbrojtjen e më fatkeqëve apo dhe atyre që nuk duan të punojnë për të ngrënë dhe për të “futur kokën” në një strehë.
E tillë është marëveshja në kohët moderne dhe nëse marëveshja funksionon më së miri teorikisht nuk ka vend për Filantropi.
Por e vërteta nuk është e tillë, sepse jo vetëm që “ shtresa burokratike” e krijuar për të funksionuar marëveshja nuk është plotësisht e aftë, por ajo fillon dhe bëhet një klasë e fuqishme, që ndikon në “riorganizimin” e marëveshjes në një mënyrë të tillë, që favorizon dukshëm pjesë të vogla të shoqërisë deri sa arrihet në “hendeqe” tepër të gjërë të ndarjes së pakicës së vogël nga shumica. Dhe kjo jo vetëm që shton ata që nuk arrijnë të ndihen nga Shteti, por edhe ato ç’ka janë në dispozicion të Shtetit për të kryer atë ç’ka parashikon marëveshja përdoren për qëllime të tjera ose përvetësohen.
Dhe këtu del gjithnjë e më shumë pamundësia e shoqërisë për të siguruar spitale, shkolla, institucione kërkimore, objekte kulturore, banesa për të varfërit.
Ata , të cilët kanë përfituar më shumë nga ndryshimi i rregullave të lojës, si dhe vetë “shtresa burokratike” shpikin Filantropinë, e cila mbulon një pjesë të boshllëqeve të mëdha , që ka krijuar abuzimi me fondet shtetërore, si dhe të shërojë paksa nga plagët e mëdha shoqërore të shkaktuara nga rregullat e këqija të lojës.
Filantropia, teorikisht krejt e panevojshme, kthehet në një donosdoshmëri në kohët moderne.
Por është një domosdoshmëri për ata, që duan të mbulojnë problemet stërmëdha, që kanë shkaktuar abuzimi me vondet e përbashkëta dhe kryesisht prishja e rregullave të lojës.
Le të marrim si shembull një aspekt të vogël të ekonomisë së kohëve moderne dhe që lidhet me pararojën e teknologjisë dhe ekonomisë botërore, që është Silicon Valley.
Thuajse të gjitha shpikjet më të mëdha të asaj bote e kanë bazën fillestare në studimet e bëra në Pentagon, pra të kryera me paratë e taksapaguesve. Individë të caktuar dhe grupe të caktuara njerëzish shumë të talentuar i zhvilluan dhe i shpunë në arritje të mëdha tekno-shkencore, por njëkohësisht, duke ruajtur monopolin dhe duke ndikuar në rregullat e lojës, i kthyen në gjigandë ekonomikë, që janë bërë tashmë edhe kusht i ekzistencës të të gjithë ekonomisë botërore. Dhe pasi kanë grumbulluar shuma përrallore, këta njerëz shohin domosdoshmërinë e Filantropisë sepse nuk duan të pranojnë se sistemi, nga i cili kanë përfituar, ka në thelb hile të mëdha, dhe njëkohësisht edhe ata vetë duke pasur shumë marramendëse, kanë ndikuar, që sistemi të mbetet i tillë ose të bëhet edhe më i padrejtë.
Ndaj Filantropia e Bill Gates apo e të gjithë të tjerëve nuk duhet parë aspak si Altruizëm, por si një përpjekje për të mos ndryshuar “rregullat e lojës”. Vërtet disi e ndryshme nga një sëmundje mendore nëse lakminë nuk ka pse ta quajmë si një devijim mendor.
Fytyra e miliardierëve u pa qartë në zgjedhjet e para dy javëve në Kaliforni, ku ata hodhën miliona dollarë për të mos fituar një referendum, që parashikonte shtimin e taksave për super të pasurit.
(vijon)
No comments:
Post a Comment