Sunday, 1 November 2026

Tërheqja, që kam pasur nga kultura “e rrugës” (2)

(


vijim)

 Gjatë verës, veçanërisht paraditeve, në sheshin pas pallatit nuk kishte shumë lojëra fëmijësh. Ndoshta disa nga adoleshentët punon diku, a mbase nga vapa, sheshi nuk ishte shumë i përshtatshëm për të luajtur futboll, ndaj ose luanim në tarracën e pallatit ose shkoja nga shtëpia e tetos.

Tarraca e Pallatit tonë ishte shumë e veçantë dhe nuk kishte të tjera të ngjashme në banesat kolektive, Ndoshta hoteli që kishim ngjitur, e kishte të një karakteri të ngjashëm se kishte edhe disa dhoma fjetjeje dhe shërbimi, por jo ndërtime të tjera të Korçës. Madje tarracat ishin të rralla se ndërtesat, edhe ato të mëdha ishin të mbuluara me çati. Në projektin fillestar ishin parashikuar edhe shtretër me lule dhe gjelbërim, por nuk ishin realizuar, Në disa nga ato shtretër, të izoluara mirë me kartoserë dhe bitum mbi to, provonim të sajonim ndonjë lloj “pishine”, sepse na pëlqente të bënim “plazh” në korrik dhe në gusht.

Luanim dhe lojëra të tjera, por jo me top, se e kishim provuar dhe topi na binte poshtë. Ishte bela madhe, që të zbriste dikush e ta merrte.

Nuk isha mes guximtarëve për kalimin në zona “të rrezikshme” të tarracës. Ndoshta kisha frikë nga lartësitë, ose isha më i kujdesshëm, se nuk provova kurrë të kaloja në traët e betonit, që ishin thuajse ngjitur me hapësirën mbi trotuar. Shumë më të rritur se unë, por edhe më të vegjël më vonë, kalonin edhe me shpejtësi në to dhe ka qënë një lloj mrekullie, që nuk ndodhi kurrë ndonjë aksident fatal.

Por edhe në tarracë nuk ishte aq e thjeshtë të hyje. Në të dy hyrjet, nga ku mund të hyej nëpërmjet një dere, kishte çelçs, që mbahej nga një familje për hyrje, të cilëve duhet t’ju kërkoje çelësin pasi kishe shpjeguar qëllimin se përse do ngjiteshe. Kur dyert hapeshin se dikush nga të rriturit ndente rrobat apo bënte diçka tjetër, edhe ne të vegjlit vërshonim për të luajtur në të . Ishte vërtet një mjedis shumë i këndëshëm gjatë verës.

Më shumë më pëlqente të shkoja nga shtëpia e tetos, se atje jo vetëm që kishte më shumë mundësi për të luajtur, por ishte dhe djali i tetos, katër vjet më i madh se unë, që më plotësonte vendin e një vëllai më të madh. Maqoja ishte jo vetëm i mirë me mësime, por dhe shumë i shkathët. Kishte cilësi të një udhëheqësi mes moshatarëve dhe më të vegjëlve, sepse luante shumë mirë futboll dhe dallonte edhe në lojëra të tjera. Vraponte shumë shpejt, por nuk u përfshi as në atletikë dhe as në futboll. Ndoshta tetoja ime, kishte të njëjtin qëndrim “antisport” si mamaja ime. Trembeshin se mos vriteshim po të luanim futboll me ekipet e moshave të “Skënderbeut”.

Me djemtë e asaj mëhalle shkonim nga parku Rinia dhe në kodrat rreth tij, kryesisht për të vrarë zogj me llastikë. Unë nuk kisha të tilla dhe me disa të tjerë tëvegjël ndiqnim nga pas “gjuetinë“ e më të rriturve. Kisha dëshirë të përdorja llastikën, për të qënë në një nivel me “nishanxhinjtë“ e rritur, por nuk kisha ndonjë kënaqësi, kur shihja zogjtë, që binin të vrarë nga gurët e lëshuar me forcë nga llastikat. “Gjuetarët” entusiazmoheshin, por më i miri, për të vrarë micakë dhe verdhashë, ishte Tika i Mames. Zogjtë e vrarë i merrnin me vete dhe ktheheshim në shtëpinë e sime tetoje dhe pasi i ç’pendosnin, ajo i shkonte në tigan me gjalpë dhe i hanim. Maqoja ishte më entuziasti, se ishte shumë “mishngrënës”. Zaten në atë shtëpi të gjithë ishin pas mishit, përfshi këtu edhe macen Kashtanka.

Kishe raste që vinin për disa javë dhe të tjerë kushërinj të parë tanët, që jetonin në Lushnjë dhe “ekipi” bëhej i plotë për çdo lloj lodre dhe djallëzish. Ato kohë mësova të luaja me letra xhol, kupa dhe uist, i cili më vonë u përhap shumë në Shqipëri dhe u emërtua “pesëkatësh”. Maqoja luante mirë me letra dhe me dam, por edhe bënte ndonjë hile. E megjithatë mua më mundte rregullisht. Nuk luanim shah, se ai s’kishte në shtëpi, por besoj se nuk do kishte dashur të luante me mua, se nuk i pëlqendte ta mundja. Mua më kishte mësuar të losja im atë dhe qysh në fillore luaja mirë.

Ndonjëherë shkoja me të edhe në pishinën e qytetit, por nuk di pse ishte e vështirë të hyje. Mbase Korça ishte qytet i madh dhe numuri i atyre, që donin të “laheshin” në korrik ishte shumë i madh, por e kujtoj që ishte vështirë për biletë hyrëse dhe unë ende nuk dija mirë not, por rrija në pjesën e cekët të pishinës të të rriturve, ndërsa im kushëri notonte në gjithë pishinçën, që ishte me përmasa olimpike. Nuk e mësova notin në atë pishinë, por gjatë dyjavorëve, kur shkonim familisht në bregdet.

Edhe pse tetoja më thoshte të rrija për drekë, kisha porosi të kthehesha në shtëpi para orës dy, kur ktheheshin të mijtë nga puna dhe e hanim drekën bashkë. E mbajtëm gjithë jetën “ritin” e të ngrënit drekë dhe darkë të katërt. Ishte një kohë, kur në mënyrë “rigoroze”, të gjithë zinim vendet tona dhe hanim duke këmbyer edhe ndonjë muhabet. Ime motër ishte gjithnjë në shtëpi gjatë verës, duke u kujdesur për shtëpinë, duke lexuar ose qëndisur. Nuk e tërhiqnin lojërat e shesheve dhe rrugës. Ndonjëherë shkonte në shtëpitë e shoqeve të saj, por përsëri duke u marrë me biseda dhe ndonjë qëndisje. Ishte “çupë e tapinosur”. Nuk e kujtoj mirë nëse studionte violinë gjatë verës, por edhe nëse e bënte, ishte gjatë kohës kur unë isha “sokakëve”. Nuk doja të kthehesha shumë para babait në drekë, se ime motër më vinte të fshihja pluhurat, gjë që e kam urryer dhe vazhdoj ta urrej me gjithë shpirt edhe sot.

(vijon) 

No comments:

Post a Comment