Nuk kam një fotografi të gjyshit tim nga ana e nënës. E kam parë një të vogël të tij, që ime më e mbante në një çantë të saj, por isha i vogël dhe nuk ja kujtoj mirë tiparet. Edhe fotoja ishte e vogël dhe ndoshta ishte e hequr nga ndonjë letër-njoftimi, pasi ishte ndarë nga jeta.
Ka qënë i vetmi nga të katër prindët e prindërve të mij, që më ka mbajtur në prehër, kur isha 4-5 muajsh. Më pas edhe ai ju ishte bashkuar të tjerëve,në atë botë, që të rriturit e quanin në një mënyrë të thjeshtëzuar “e të shumtëve”.
Më pas kisha dëgjuar me shumë vëmendje, kur flitej për të, sepse edhe mbesat e tij, që ishin edhe ato të moshuar, kur unë isha fëmijë, theshin për mua: “Ky i ngjet Peçit!” Ndoshta jo nga pamja, por se ato e kishin ende në kujtesën e tyre, si njeriu më “i kënduar” i familjes dhe njëkohësisht edhe i thjeshtë dhe i prerë.
Pat patur një jetë të vështirë, por i kishte përballur me shumë forcë, dinjitet dhe stoicizëm goditjet e rënda në jetë. Kishte ikur 15 vjeç në Amerikë “për të bërë para” me të vëllanë 13 vjeçar dhe ishin kthyer pas dy tre vjetësh dhe kishin hapur një bakallhanë në Qesarakë, jo shumë larg fshatit të tyre të Treskës. Vite më vonë, pasi ishte martuar dhe bërë me fëmijë, dyqani ishte djegur dhe kishin mbetur keq ekonomikisht. Kishin ardhur në Korçë të gjithë dhe më pas kishte humbur gruan dhe tre fëmijët nga tuberkulozi.
Kishte bërë filloren greke dhe njëkohësisht ishte edhe shumë fetar, por nuk di nëse besimi në Zoti, apo karakteri i formuar në malësinë e Vakëfeve e kishte bërë të fortë. I mbetur i ve dhe pa fëmijët , kur ishte 40 vjeç, u martua sërish me gjyshen time, të cilës i kishte vdekur pas dy vitesh martese i shoqi.
Shpesh e mendoj se sa e vështirë duhet të ketë qënë për dikë, që punon shumë dhe goditet ekonomikisht, t’i shuhet familja dhe njëkohësisht të ringrihet në një moshë, që asokohe, quhej shumë e avancuar. Por u bë sërish baba 4 herë të tjera dhe rriti fëmijë të zgjuar, punëtorë dhe të ndershëm.
Po cili ishte vërtet Petro Treska, të cilit kur fëmijët në vitet ‘50 i theshin, që në vend po ngrihet Demokraci, ju përgjigjej “Kjo është Tromokraci (terror) jo Demokraci!”?
Të gjithë fëmijët kishin qënë në anën e “nacional-çlirimtares”, por jo nga të “pararojës” dhe më pas mbetën njerëz të mënçur dhe të kushtuar pas familjeve, por që nuk duronin dot hipokrizinë e njerëzve, që shiteshin për ata, që nuk ishin. Sigurisht që shumë ndikim kishte patur edhe e jëma e tyre, që pëlqente të theshte: “Unë jam me Fan Nolin, se me të i kam vëllezërit në Amerikë“. Po dhe atë e qesëndiste im gjysh, që i toshte “Po lere dhe juve shqiptarët e Fan Nolit do e ndrisni!” Kishte parë shumë në jetë dhe kjo e kishte bërë skeptik. Do kishte emigruar familisht në Amerikë në vitet ‘20, por pat këmbëngulur e jëma që të mos ikte, se i kishte dy çupa të martuara në Amerikë dhe i pikonte zëmra për to.
Bëri gjithshka, që dinte të bënte, për të mbajtur familjen, duke hapur herë herë nga një dyqan të vogël dhe deri në qepjen e rrobave prej shajaku për fshatarët. Para Luftës së Dytë nisi të punojë si psallt dhe kishtar, kryesisht në Kishën e Shën Dëllisë. Ishte i përkushtuar për ceremonitë fetare, të cilat i njihte shumë mirë, por edhe i zhgënjyer nga priftërinjtë. Tundte kokën në shtëpi dhe theshte; “Po ç’priftërinj janë këta, që zihen kur ndajnë meshët!”
Më ra në sy, gjatë leximit të një libri të një të afërmit tim, që gjyshin tim e ka të vëllanë e gjyshit të tij, që e përmendte dy tre herë, por pa i zënë në gojë emrin. Ai ka qënë 25 vjeçar, kur gjyshi im ka ndërruar jetë dhe e ka njohur besoj mirë, përveç, që mund të ketë dëgjuar edhe prej prindërve të tij për të. Në një episod e përmendte si dikë, që kundërshtonte në kohën e Italisë të dëgjohej Radio Vatikani dhe në një rast tjetër, si njeri i Kishës, por që ankohej shpesh për priftërinjtë. Nuk kishte dashamirësi në ato përmendje, por nuk di dhe se sa kishte vërtetësi. Nga të mijtë, por dhe nga të tjerë të afërt, kisha dëgjuar, që ishte njeri i drejtë, që kishte “tmerr” të dëgjonte mburrje, por dhe që nuk fliste shumë dhe aq më pak vend e pavend. Në një letër, që im atë i dërgonte sime mëje, kur ishte ushtar, i kërkonte edhe letër “nga pateraqi, qoftë dhe greqisht”. Dhe im atë, nuk ishte dikush, që impresionohej lehtë nga njerëzit dhe nga zgjuarsia e tyre.
(vijon)
No comments:
Post a Comment