Problemet e demokracive liberale dhe veçanërisht dështimet e politikave të Bashkimit Europian mund të sjellin shumë shpejt rikthimin e fashizmit në disa prej vendeve europiane, ku më pak të imunizuar janë vendet e ish-Kampit Socialist. Prapambetje shoqërore, vështirësi ekonomike, korrupsion galopant, forca të rendit jo efikase dhe modele autoritare në krye të politikës janë receta e përkryer për një kalim të tillë.
Ditët e fundit në Shqipëri, pas vrasjes makabre të një fëmije
dëshmojnë se “toka shoqërore” është gati për të mbjellë farat e fashizmit. Të
afërmit dhe gjithë fshati janë ngritur për të linçuar autorin e krimit në
mjediset e gjykatës duke thirrur “hakmarrje” dhe më pas mijra vetë firmosin një
peticion për kthimin e dënimit me vdekje dhe marshojnë në kryeqytet, ku ju
bashkohen edhe politikanët hajdutë.
Mediat nuk dinë si të reagojnë, udhëheqësit fetarë drejtojnë
ceremonitë funerale kundrejt pagesës, por nuk bëjnë detyrën e tyre për qetësimin
e shpirtrave dhe mijra shqiptarë të etur për gjak dhe hakmarrje klithin në
mediat sociale për “asgjesim të monstrës” duke dashur të tregojnë se sa i duan
fëmijët e vegjël si i shkreti ëngjëll Mateo.
Me një fjalë shoqëria shqiptare nuk është e përgatitur të
reagojë në mënyrë “të shëndetshme” ndaj ngjarjeve të rënda si janë vrasja e një
të pafajshmi apo përballja me një “vrasës serial”. Shtohet këtu edhe intervista
e një ish-prokurori idiot, që pat kërkuar varjen e dy kriminelëve në mes të
Fierit më 1992, gjë që ishte pranuar nga gjykata dhe miratuar nga presidenti i asaj
kohe, Sali Berisha. Ish-prokurori pretendon se “sikur pati ca ulje të krimeve
pas varjes publike”.
Askush nuk guxon të përmendë se është e provuar në dhjetra
vende të zhvilluara dhe jo të zhvilluara, që dënimi me vdekje nuk ndikon në
uljen e krimeve të rënda. Në shtetet amerikane ku dënimi me vdekje është në
fuqi ka më shumë vrasje se në shtetet që nuk e kanë. Gjithashtu vendet e Europës
së Bashkuar dhe Kanadaja kanë shumë më pak krime të rënda se Shtetet e
Bashkuara të Amerikës.
Problemi kryesor është përfitimi që mund të kenë sharlatanë
politikanë të ekstremeve, që do krijojnë lëvizje politike për rivendosjen e
rendit, për vendimin me vdekje dhe për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve
kudo që jetojnë. Eshtë shumë e thjeshtë. Ndodh dita ditës në shoqëri më të
zhvilluara se e jona. Trump, Mari Le Pen, Viktor Orban, Vladimir Putin,
Erdogan, Mateo Salvini dhe të tjerë si ta janë të gatshëm të vendosin fashizmin
në vendet e tyre dhe kopje mund të gjesh kudo në Ballkan.
Ne jemi më të rrezikuar se të tjerët për shkak të dobësisë së
institucioneve dhe të kaluarës nën Diktaturë. Ndaj kur në të njëjtat ditë sheh
që festohet me portretet e Enverit dhe sulmohen gjykatat të kap një frikë jo pa
bazë për të ardhmen e vendit.
No comments:
Post a Comment