Kur e kam njohur Niskën, ai ishte mballomaxhi në repartin e Riparim-Shërbimeve përballë Pallatit të Kulturës. “Mballomaxhinj” në anët tona quheshin ata që meremetonin këpucët dhe që nuk mund të quheshin këpucarë, ose kundraxhinj sepse nuk kishin arritur atë nivel në profesion. Mballomaxhinjtë hidhnin gjysma, maja ose ju vinin ndonjë “mballomë“ këpucëve që ishin çarë në pjesën e sipërme. Repartet e mballomaxhinjve ishin të shumta se qyteti kishte shumë njerëz me dy këmbë dhe pak para për të blerë këpucë të reja. Të gjithë shkonin për t’i rregulluar këpucët, sandalet, çizmat dhe deri galloshet dhe shoshonet.
Po ky shkrim është për Niskën dhe jo për gjendjen ekonomike
të shqiptarëve në kohën e Diktaturës. Në repart Niska e kishte vendin e punës
pas vitrinës së qelqtë që ndante pjesën e punonjësve me atë të klientëve dhe
shpesh i hidhte sytë nga njerëzit që prisnin në rradhë për të rregulluar këpucët.
Ishte shumë i shkurtër dhe me një fytyrë rrumbullake prej fëmije, që po mos
kishte ca mustaqe të vogla dhe rrudha pranë syve mund të theshe se nuk i kalonte
të 30-tat. Dionisi (nuk ja kam ditur ndonjëherë mbiemrin) ishte mbi 50 dhe
mbante edhe çizme, ndoshta për tu dukur më i gjatë.
Duhet të kishte qënë partizan, se jo shumë vjet pas çlirimit
ishte pranuar në parti dhe dëshmonte një entusiazëm të jashtëzakonshëm për jetën
e re, për vijën e partisë dhe për miqësinë me Bashkimin Sovjetik. Më tregonin
se diku kishte mësuar të luante edhe “kazaço” dhe s’kishte mbrëmje tematiko-dëfrimi
ku Niska nuk kërcente me hopa dhe ulje e ngritje vallen e famshme të kozakëve.
Por kishte një ves, të cilin partia nuk ja pëlqente. Ashtu si
rusët e pëlqente “votkën” dhe rakinë. Duke qënë edhe trupvogël ndoshta nuk “mbante
shumë“ dhe duket që shkonte I pirë edhe në mbledhjet e organizatës-bazë. Pas
shumë e shumë përpjekjesh dhe kritikash për ta kthyer në rrugë të mbarë, udhëheqësit
e organizatës së riparim-shërbimeve I dhanë ultimatumin, që ka mbetur në histori-
“O Niskën, o triskën!”
Në ato vite kishte shumë drejtues të lartë partie që e
tepronin rregullisht me alkolin apo me vese të tjera si rendja pas fundeve të
grave, por Partia tregohej zëmërgjërë me ta. Vetëm nëse dilnin kundër vijës i pushkatonin
dhe ju përmendnin edhe alkolin dhe gratë. Po Niska ishte një anëtar i thjeshtë,
mballomaxhi dhe në raste të tilla Partia vinte dorë.
Megjithëse e donte partinë dhe besonte në idealin e saj të
madh, me dëshpërim dhe kokën mënjanë Niska u përgjigj : “Niskën!” E përjashtuan
nga partia dhe nga mundësitë e shumta për tu bërë përgjegjës reparti, shef
kuadri ose nëndrejtor ndërmarjeje.
Sot mund të duket absurd ultimatumi, por në ato vite ishte vërtet
gjë e madhe dhe duhej kurajo prej burri të zgjidhje vesin para partisë. Niska
zgjodhi dashurinë për pijen mbi idealin.
E meriton edhe sot një dolli me votkë!
Avokati im ne Tirane ka konfirmuar se Niska eshte Dionis Veriga. I nderuar kujtimi i tij!
ReplyDelete