Wednesday, 3 November 2021

Cila ishte Myzejenka?


Shpesh më ndodh që më vijnë në mendje copa këngësh korçare dhe më pas ndjehem kureshtar dhe fajtor, që nuk kam mësuar se kujt i ishin thurrur. Veçanërisht për ato, të cilat kishin emra të veçantë vajzash ose djemsh dhe nuk ishin krijuar më kot. Vërtet të përmëndurat ose të përmëndurit mund të mos kenë pasur cilësi të shquara kombëtare apo shoqërore, por kanë ngacmuar ndjenja të forta, përderisa ju janë kushtuar këngë. Tani prehen diku dhe njerëzit këndojnë këngët , të cilat ju janë blatuar dikur, pa ditur se cilët kanë qënë në të vërtetë.

Cila ishte vallë Myzejenka e këngës “Cohu moj Myzejenkë“?

Po qe se me shokët e mij do kishim pyetur më shumë dhe do kishim vrarë edhe pakëz mendjen ndërsa këndonim “çakërrqejf” këngën për të, tani mund t’ju rrëfenim edhe më të rinjve për bukurinë dhe bëmat e saj. Por kemi vetëm pikpyetje edhe pse autori i këngës disa gjëra i ka bërë shumë të qarta në vargjet e saj:

Penxheret e odës dhe moj/ Këthyer nga Lumi…

Pra familja e Myzejenit jetonte në Korçë dhe pranë Lumit, me shumë mundësi në lagjen pranë xhamisë së Mirahorit. Lumenj kishte dhe në qytetet e tjera, por vetëm në Korçë Myzejenet thirreshin Myzejenkë ose Myskë.

Po në ç’kohë duhet të jetë krijuar kënga? Përgjigjen e japin vetë vargjet:

Ora dy e natës/ Trak e truk tek dera/ Coju moj Myzejenkë/ Jemi moj tre shofera…

Kënga duhet të jetë krijuar në vitet ’50, se vetëm në atë kohë kemi rritjen e numurit të makinave të transportit dhe me të edhe të shoferave që pinin natën. Nuk ka asnjë mundësi të jetë bërë para Luftës së Dytë. Pra Myzejenka në vitet ’50 duhet të ishte mbi të 20-tat dhe të kishte një lloj “reputacioni”, që shtynte tre shoferë të dehur t’i trokisnin në porta e shtëpisë. Që shoferët ishin të dehur këtë e thotë vetë kënga, madje duhet të kenë qënë shumë të dehur se pas rakisë kishin nisur të pinin edhe konjak, gjë që të bën të hamendësosh, se kishte kaluar mesnata dhe po kërkonin të pinin edhe kafe:

Rakia konjaku dhe moj/ Dopio po na vinë/ Coju moj Myzejenkë/ S’ta gjemë dot shtëpinë…

Këtu fillon të dyshosh për karakterin e Myzejenkës, së cilës i bëhet thirrje jo vetëm të zgjohet, por dhe të vijë t’i marrë shoferët nga kafeneja se nuk ja gjejnë dot shtëpinë.

Të jetë ende gjallë Myzejeni?

Duhet të jetë mbi të tetëdhjetë e kusur vjetët dhe nëse është zgjuar shpesh natën edhe mund të mos gëzojë shëndet të mirë. Të duket sikur nuk do e marrim vesh kurrë se cila ishte.

No comments:

Post a Comment