Friday, 26 November 2021

Përballë vdekjeve të panatyrshme


Vdekja e një të afërmi edhe kur ndodh në kushte natyrale, pas një sëmundje të gjatë dhe të pashërueshme, le shumë pengje dhe ndjenja faji për familjarët. Eshtë në natyrën e psikologjisë së njeriut të reagojë n[ mënyrë të tillë, që nuk është shumë racionale. Ndaj edhe ngushëllimet në anët tona janë të mbushura me “ju ja bëtë të gjitha”, “këto janë punë të Perëndisë“, “nuk ka pse t’ju mbetet merak” e të tjera të ngjashme, si një lloj garancie e shoqërisë, që të afërmit bënë ç’ishte e mundur për të zgjatur jetën e të afërmit.

Ndjenja e përgjegjësisë dhe fajita është shumë herë më e madhe në vdekjet aksidentare, ato tragjike dhe në vdekjet e papritura nga goditje kardiake apo hemoragji cerebrale. “Të kisha bërë këtë apo atë“, “mos e kisha lënë të nisej”, “duhet t’i kisha thënë të vinim në doktori në mëngjez se nuk dukej mirë“ dhe dhjetra mëdyshje të tjera i torturojnë familjarët për muaj të tërë dhe deri në vite, duke i dhënë vetes edhe fuqinë që nuk e kanë edhe fajin që nuk ju takon.

Këto dy vjet u shtuan edhe vdekjet e papritura nga prekja e virusit, një pjesë e të cilave kanë qënë vërtet të parandalueshme dhe nuk mund të përballohen vetëm me filozofinë fataliste “kështu ishte e shkruar!” Janë dhjetra raste kur njerëzit duhet të kishin treguar më shumë kujdes për veten dhe të afërmit dhe të mos merrnin pjesë në “sebepe” ku kishte shumë njerëz dhe rreziku për infektim ishte më i madh. Janë edhe shumë raste të tjera kur duhet të ishin shmangur udhëtimet në zona me raste të shumta të Covid. Ka edhe jo pak raste, kur njerëz me temperaturë dhe shenja të tjera të sëmundjes, jo vetëm nuk izolohen, por shkojnë vizita në miq ose në vende të tjera publike.

Përgjegjësi jo e pakët është imponimi ndaj familjarëve për të mos bërë vaksinën. Eshtë e kuptueshme që çdo individ ka të drejtën e tij të zgjedhë mes vaksinës dhe formave të tjera të mbrojtjes nga virusi, por kryefamiljarë që këmbëngulin që asnjë nga anëtarët e familjes nuk duhet të vaksinohet duke përmendur gjithfarë teorish komplotiste idiote është kriminal. Dhe qëndrime të tilla i kanë jo vetëm të paditurit, por edhe avokatë, arkitektë, ekonomistë, biologë dhe deri në mjekë.

Eshtë e vërtetë se dënimi që marrin është i madh pasi humbasin gruan, babanë, apo më keq akoma birin ose bijën, por një dënim edhe më të madh duhet të marrin për arrogancën, mungesën e respektit për të drejtën e tjetrit për të vendosur dhe për vënien në rrezik të shumë njerëzve të tjerë të njohur dhe të panjohur.

Eshtë e vështirë të zgjedhësh mes ngushëllimit dhe thirrjes “ti e vrave të afërmin tënd!”

No comments:

Post a Comment