Tuesday, 2 November 2021

Nëntori i “festave”


Nuk di se kur janë zyrtarizuar muajt e vitit në gjuhën shqipe dhe se si janë quajtur gjatë shekujve. Por vetëm gjatë shekullit të kaluar kemi pasur “nënduer”, “nandor”, “nëndor” dhe më në fund pas Kongresit të Drejtshkrimit arritëm në “nëntor”.

Nëntori ishte muaji më I trishtë i fëmijërisë sime. Nuk lidhej me ndonjë ngjarje të veçantë, por vetëm me klimën e Korçës. Ishte plot shira dhe i ftohtë. Në nëntor viheshin në provë këpucët tona , që rëndom futnin ujë dhe megjithatë kalonim orë të tëra duke luajtur ose duke ndenjur në strehën e një ballkoni në Bonboneria dhe duke mos bërë asgjë. Në pritje të dëborës së parë.

Zyrtarisht ishte muaji i festive, se më 7 të muajit festohej Revolucioni i Madh i Tetorit dhe ishte ditë pushimi, më 8 ishte dita e Themelimit të Partisë, kurse më 28 dhe 29 ishin festat e Pavarësisë dhe të Clirimit. Po veç mosshkuarjes në shkollë, festat nuk ishin ndonjë gëzim i madh për ne fëmijët. Nuk bëheshin ëmbëlsira në shtëpi dhe as ndonjë drekë speciale. Nuk na vinin njerëz për vizita dhe ishte edhe bezdia se mund të të caktonin të bëje roje nderi pranë ndonjë lapidari. Ishin festa që i takonin shtetit dhe partisë, dy nocione abstrakte për mendjet tona.

“Nëndori” (më pas “Nëntori”) ishte një revistë, e cila më pëlqente shumë se ishte si libër dhe mund ta merrja edhe në krevat e ta lexoja. Vinte çdo muaj dhe të parën gjë që bëja e shfletoja në faqet e mesit se mos ishte botuar ndonjë pjesë teatrale. Nuk kisha durim të lexoja pasqyrën e lëndës, që ishte në faqen nr. 3. Po qe se kishte “dialogje” i përpija me padurim, sepse më ngjanin me jetën e vërtetë dhe i kuptoja më mirë se përshkrimet apo analizat psikologjike. Si e mbaroja ju kthehesha vjershave, më pas tregimeve dhe në fund lexoja romanet, që botoheshin në disa numura me rradhë.

Nuk e kuptova ndonjëherë se ç’lidhje kishte mes letërsisë dhe arteve dhe muajit nëntor, por duket që idea mund të kishte lindur diku në rrethet pranë Enver Hoxhës, për të dëshmuar besnikërinë e shkrimtarëve dhe artistëve ndaj “idealit të partisë“. Kur ishte krijuar revista quhej “Literatura jonë“.

Sërish ndjehem i trishtuar në nëntor. Ndoshta ka mbetur në psikologjinë time, që në fëmijëri dhe nuk më rrit entusiazmin as idea që në fund të muajit shqiptarët emigrantë do mblidhen për të festuar Festën e Flamurit me këngë, gaz dhe hare.

Do rri përsëri i strukur në një qoshe të krevatit duke lexuar diçka që më shpie pranë artit dhe kulturës, si në ato mbrëmje të ftohta e të lagëta të Korçës, kur shfletoja me padurim të lexoja një pjesë dramatike të jetës të të rriturve.

No comments:

Post a Comment