Thursday, 25 November 2021

A duhet të pushkatohej Lef Nosi?


Në ditët e Shpalljes së Mëvetësisë së Shqipërisë, të vijnë në mendje shumë figura shqiptarësh të rëndësishëm, të cilët firmosën Deklaratën e Pavarësisë me cilësinë e përfaqësuesve të zonave nga vinin. Mes tyre ishte edhe Lef Nosi, përfaqësues i Elbasanit, Rilindas, drejtor i Shkollës Normale. 35 vjeçar dhe me emër të mirë në qytetin e tij, Lef Nosi ishte ndër figurat më të spikatura të Kuvendit të Vlorës. Në qeverinë e posaformuar ju caktua detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Postave Shqiptare.

Nosët ishin ndër familjet më të pasura të Elbasanit dhe Lefi ishte jo vetëm i shkolluar mirë, por edhe me shumë interesa kulturore, që nisnin nga arkeologjia dhe etnografia dhe përfundonin me numizmatikën. Shqiptarizmi i tij nuk vihet në dyshim në asnjë çast të historisë shqiptaretë fillimit të shekullit të XX.

Por ç’ndodhi me Lef Nosin në vitin 1943, kur pranoi të ishte anëtar i Asamblesë Kombëtare dhe më vonë një nga katër anëtarët e Këshillit të Lartë të Regjencës, kur forcat gjermane kontrollonin Shqipërinë?

Lef Nosi ishte në ato vite 66 vjeçar dhe kishte prej Revolucionit të Qershorit 1924 (ose grushti i shtetit i 1924), që ishte tërhequr nga politika. I trembej fitores së mundshme të komunistëve apo kontrollit të ardhshëm të Shqipërisë nga Jugosllavia?

Nuk është e lehtë të spjegosh llogaritjet politike të Lef Nosit në pranimin e atij propozimi. Një gjë është e sigurt, që nuk e ka bërë për përfitime personale, sepse kishte dhënë shumë nga jeta dhe pasuria e tij për Shqipërinë. Por i parë me paanësi, vendimi i tij ishte plotësisht i gabuar, në një kohë që aleatët kishin zbarkuar në Siçili dhe gjashtë muaj më vonë zbarkuan edhe në Normandi. Lef Nosi me dashje ose jo i shërbeu Boshtit hitlerian duke menduar se po i bënte shërbimin më të mirë Shqipërisë.

Lef Nosi ishte antizogist dhe njëkohësisht në kryesinë e Ballit Kombëtar, nga e cila u përjashtua kur pranoi pjesëmarrjen në Këshillin e Regjencës. Ndër veprimet që duhet të kryente si “përfaqësues mbretëror” ishte dhe firmosja e dënimeve me vdekje të luftëtarëve shqiptarë, që i kundërviheshin nazizmit. Dalja para gjyqit të pasluftës ishte e pashmangshme edhe sikur lufta të ishte fituar nga një koalicion forcash patriotike.

A duhej dënuar me pushkatim?

Problemi më tepër se ligjor është politik. Kuptohet që komunistët do ishin më të zellshëm se cilado forcë për të zhdukur kundërshtarët politikë dhe sidomos ata që vinin nga shtresat e pasura. Por mareshali Pëten u dënua me vdekje në Francë edhe pse kishte qënë heroi i Luftës së Parë Botërore dhe patriot i shkëlqyer, si dhe 90 vjeçar. Nuk ishte e mundur që në një vend të prapambetur si Shqipëria, me parime gjakmarrëse dhe me një bandë terroriste në krye të shetit, 70 vjeçari Lef Nosi t’i shpëtonte dënimit me vdekje dhe ekzekutimit.  

Më 20 shkurt 1946, një javë pas marrjes së vendimit, Lef Nosi u pushkatua bashkë me Patër Anton Harapin, një nga anëtarët e Këshillit të Regjencës. Si për ironi të fatit, prokuror në gjyqin ushtarak ndaj tyre ishte një njeri i letrave, përkthyesi Misto Treska.

Shqiptarët, të cilëve ju kushtoi gjithë jetën e tij, i dhanë Lef Nosit dënimin kapital, të cilin më parë nuk ja kishin dhënë as turqit, as sërbët dhe as italianët megjithëse e kishin arrestuar. Tregues i intrasigjencës shqiptare dhe i abuzimit me pushtetin, ashtu si kishte ndodhur edhe me dënimet me vdekje të shumë patriotëve shqiptare pas revoltave ndaj Ahmet Zogut.

Zelli i çirakëve të pazarit të Korçës dhe lebërve kokëkrisur, i gërshetuar edhe me dinakërinë për ruajtjen e pushtetit të Enver Hoxhës, i cili nuk kurseu as kunatin e tij Bahri Omari, e shpunë atdhetarin e shkëlqyer Lef Nosi në një varr pa shënjë. Gjithsesi ai mbetet në Panteonin shqiptar.

 

 

 

 

 

No comments:

Post a Comment