Friday, 5 November 2021

“Ja qëndrimi yt, ja dhe materialet e partisë o shoke!”


Këtë shprehje ma kishte thënë në korridoret e shkollës, drejtori im i të mesmes, ndërsa më kritikonte për disa qëndrimet e mija, të cilat nuk i kujtoj se ç’ishin, por mbase edhe thjesht me “vërdallosje” nëpër korridore gjatë pushimeve të vogla. Ishte një kohë, që nuk na linin as të shkonim nga një klasë në tjetrën, për të takuar shokët. Gjithshka absurde pillte mendja e drejtorëve partikë të viteve ’70, për të patur disiplinë në shkollë e më shumë për tu mburrur në mbledhjet e komitetetve të partisë, për masat që kishin marrë për të mos lejuar shthurrjen mikroborgjeze tek të rinjtë.

Vitet tona të gjimnazit, prej 1974-78, ishin vitet e terrorit më të madh të partisë-shtet. Drejtori ndoshta e kishte dëgjuar në ndonjë forum partiak shprehjen asgjesuese “të ballafaqimit me materialet e partisë“, sepse po qe se ballafaqoheshe me to nuk mund të ishe kurrë në rregull. Materialet në fjalë përmbanin orientime të qarta për ]do gjë, dhe sidomos për “izmat”, që nuk linin t’i tundje vithet as majtas dhe as djathtas. Se mund t’i shpëtoje oportunizmit e të shkoje në sektarizëm dhe mund të bëheshe shumë konservator duke goditur liberalizmin, por nuk mund të të shpëtonte as e ndenjura në qendër se të akuzonin për centrist dhe po të mbaje gojën mbyllur do akuzoheshe për indiferentizëm të theksuar.

Ato kohë më vinte në mendje ndërsa i dëgjoja fjalët e tij (që nuk i merrnim kurrë seriozisht) t’i thoja “C’I ke këto cazzature!, por edhe pse adoleshent i rrëmbyer, kisha aq frikë sa ta dija rrezikun e përzjerjes së “cazzature” me materialet e partisë. Drejtori (po aq adoleshent sa ne) mund t’i përdorte shumë bukur për të gjetur rrënjët e mendësisë sime dhe të gjithë familjes, për nënvleftësimin e vendimeve të partisë, apo më keq akoma të fjalimeve të fundit të shokut Enver.

Prej kohësh kam kuptuar që nuk ishte faji i drejtorit tim apo drejtorëve dhe sekretarëve të tjerë të organizatave bazë. Ishte një sistem i tërë piramidal i krijuar për të vënë poshtë më të dobëtit dhe sidomos për të krijuar edhe një aleancë shtypëse të më të pazotëve. Përgjithësisht të zotët punonin më shumë dhe kështu që ju shtoheshin mundësitë për të gabuar më shumë në raport me “izmat”. Atëhere vihej në lëvizje e gjithë makina e vajisur mirë e “absurditetit të të pazotëve”, e cila fillonte me vënien para përgjegjësisë të atij që kishte gabuar. Gjëja më e parë që i kërkohej ishte të bënte autokritikë. Por “dardha e autokritikës” e kishte bishtin prapa. Më tej jo vetën që do i kërkohej përse gaboi, por do vihej para trysnisë se cilat ishin shkaqet, më pas cilat ishin shkaqet e shkaqeve dhe deri në rrënjët e shkaqeve të shkaqeve, që të nxirrnin thuajse “armik të partisë dhe të popullit”.

Fundi dihej mirë!

Ndaj edhe drejtori im dhe drejtorët e të tjerëve, për të mos u vënë përballë makinës që e njihnin mirë, kishin kopjuar dhe përshtatur të tilla metoda për të shtypur nxënësit, mësuesit dhe deri tek pastrueset e shkollave.

Pasqyra e materialeve partisë të vihej para për të parë se sa i shëmtuar ishe!

 

Shënim: Shoke është për shok në njëjës, por për arsye të panjohura drejtori parapëlqente ta theshte me e në fund.

No comments:

Post a Comment