Wednesday, 24 November 2021

Kojliku qeros dhe mediat shqiptare


Nuk kisha dëgjuar ndonjëherë për kojlikun dhe për më tepër për atë qeros. Ma merr mendja se si pelikani kaçurrel duhet të ketë edhe një kojlik të tillë ose kojlik me baluke.

Kojliku qeros qënka një zog i rrallë  europian dhe i anëve tona, që sipas mediave shqiptare kishte 400 vite, që ishte zhdukur nga Shqipëria. Pra dikur nga fillimi i shekullit XVII. Historia shqiptare e atij shekulli është shumë e paqartë, sepse mungojnë dëshmitë historike dhe librat e udhëtarëve të huaj. Dhe në filllim të shekullit nuk kishte nisur ende nga udhëtimet dhe shënimet Dervish Mehmed Zilli apo si njihet në të gjithë botën osmane, Evlia Çelebiu.

Por mediat tona janë të sigurta se pikërisht 400 vite më parë ishte fluturimi i fundit i “qerosit” mbi trojet shqiptare. Dhe flasim këtu për media serioze, të mirëinformuara dhe tërësisht të sakta, sidomos kur është fjala për ngjarje historike. Për shembull njëra prej tyre jo pa krenari deklaron se është “media më e besueshme në Shqipëri”; një tjetër deklaron se është “gazeta më e lexuar shqiptare” dhe kështu me rradhë. Më i lexuari ka shkruar dy libra për ngjarjet e vitit 1997 dhe në të parin me argumenta mbronte teorinë se ishte një lëvizje antidemokratike komuniste me mbështejtje greke, ndërsa në të dytin ja hidhte gjithë fajin Saliut. Më i besueshmi është mbështetësi kryesor i Lali Erit, që punon shumë, reklamon pak dhe nuk gënjen kurrë.

Ndaj në një vend ku nuk dimë se ku shkuan laraskat, ç’ndodhi me rrëqebujt, pse u rralluan nuselalet, pse nuk dëgjohet kënga e gargujve dhe ku fshihen baldosat, ne jemi të sigurt se 400 vjet më parë “qerosi” na përshëndeti për të fundit herë duke lënë pas legjendat “me qeros”.

A është kaq i rëndësishëm fakti i rikthimit të kojlikut, sa duhet edhe unë t’i kushtoja këto rrjeshta?

Eshtë i rëndësishëm sepse mund të bëhen interpretime që lidhen me klimën, me moratoriumin e gjuetisë dhe të tjera problem ekologjike dhe shoqërore, por “qerosi” na kujton edhe një herë se sa gënjejnë mediat tona. Nuk marrin as mundimin më të vogël të verifikojnë diçka, ta futin brenda një kuadri të logjikshëm dhe më pas t’ja japin si ushqim informative publikut.

Ende nuk dimë ku janë eshtrat e shumë të persektuarve të vrarë jo më shumë se 50 vjet më parë, por kemi të dhëna të sakta për shpendët e rrallë. Edhe pse 400 vite më parë nuk i binte ndërmend njeriu për ta.

No comments:

Post a Comment