Sunday, 23 September 2018
Variacione mbi një ide të Bashkisë
Eshtë paraqitur si një ide e Bashkisë nga Raqka, por për nga kompleksiteti, novacioni, sofistikimi dhe neurotika e saj duket më shumë ide e Kryerilindasit Rama, e arkitektit australian Uillson ose kombinim i të dyve.
Eshtë fjala për kompleksin polivalent, që po përfundohet në krah të Katedrales. Eshtë konceptuar si një kryqëzim i Rilindjes Kombëtare me Rilindjen Eurosocialiste. Gjatë një bisede ndërmjet arkitektit të oborrit Pitër me Kryeshefin e oborrit Rama, ky i fundit i kishte përmendur shkrimin e Migjenit “Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun”. Këtë ide vuri në themel të kompleksit Uillson për të krijuar hapësira të përshtatshme për librat – simbole të idealizmit të Rilindjes Kombëtare të shoqëruara me elemen të hedonizmit të Eurosocialistëve. Kështu erdhi trajta e Derrit të Lerosur në Bibliotekën e re.
Ideja u përcoll më poshtë në zinxhirin Peleshi- Filo dhe po detajohet më shumë nga grupi i bashkisë, që merret me kompletimin e projektit.
Polivalenca kreative e kompleksit do shtrihet në disa sektorë të tij. Përveç sektorit bibliobar, të përmendur nga Raqka në një intervistë, që do gërshetojë leximin, vrojtimin dhe pirjen, që do shërbehen nga bibliotebaret, do krijohen edhe disa sektorë - departamente të reja.
Një novacion do jetë sektori i shkrim-botimit në dialekte dhe gjuhë minoritetesh. Në këtë department, autorë nga vendi dhe të huaj do japin leksione mbi shkrimin e veprave në gjuhët e pashkruara arumune, egjiptiane dhe rome. Ideja i ka lindur Peleshit, i cili në gjithë fushatat elektorale ka përdorur këto gjuhë të mësuara me veshë për të vjelë sa më shumë vota. Shoqata e “Ndërtuesve pa kufij” do sponsorizojë edhe shkrimin e veprave teknike në gjuhën purishte (gjuhë e përdorur nga ustallarët ndërtues për të mos i kuptuar të zotët e shtëpisë.)
Departament tjetër do jetë ai i biblio-koreografisë, ku do lexohet nën tingujt e melodive bashëkohore. Librat do sugjerohen nga bibliokubistet, të cilat edhe do kërcejnë mbi kubet përkatës.
Sektori i Galerisë së Arteve do ketë edhe hollin e stripto-pikturës, që do funksionojë pas orës 22.00, vetëm për të rriturit, dhe do drejtohet nga bibliostriptistet dhe bibliostriptistët. Sipas preferencave amatorët e artit do vizatojnë dhe punojnë në telajo modelet gjysëm ose komplet të zhveshur. Në çeljen e Kompleksit mund të pozojë edhe kryeministri Rama dhe ndonjë nga deputetet e PS-së të qarkut të Korçës. Holli mund të funksionojë edhe për festa private të beqarisë, të ardhurat nga të cilat do i kalojnë sektorëve të tjerë kreativë.
Për t’I paraprirë zhvillimeve të reja të paparashikuara deri tani në ligj, do punohet edhe për pregatitjen e bibliotutave dhe bibliozhigolove, ku kërkesë parësore do jetë punësimi i atyre që kanë mbaruar Master dhe që nuk mund të punësohen as në sektorin shtetëror dhe as në atë privat.
Me këto realizime, fitorja e zgjedhjeve të ardhëshme nga ekipi i sotëm i Bashkisë është më se e sigurt. Para ideve inovative që rrjedhin nga lart dhe kompleksohen poshtë të Bashkisë së Korçës, lopata e Lali Erit të komandant Luanit duket më se primitive.
Korça e kulturës mbështetet mbi kulturën dhe e ngre në një stad të “papam” as në Parisin e Madh.
(Flitet edhe për një “Mulli të Kuq” të socialistëve që do ngrihet para Kopshtit Japonez, por ende nuk është gjetur ekipi që do përgatisë kërcimtaret dhe geisha.)
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
Ee te keqen lali..te eshte shterrur fare krijimtaria. Po ci ke kto tallje "pa kripe" mo. Po kto tregojne nje psikike miope ku te gjithe punonjesit e bashkise te duken si prostituta dhe zhigolo. Ajde hajde korcar tipik llafazan dhe mallagar...
ReplyDelete