Thursday, 20 September 2018
Therrmija nga torba e filozofit shetites
Ne trokasim në shurdhëninë arrogante të të fuqishmëve.
Ata i tremben barazisë që sjell vdekja.
Ajo është pragu i fundit ose i nisjes.
Nisja e një projekti të ri është mënyra më e mirë për të justifikuar paaftësinë për të përfunduar gjërat.
Përfundimi nxjerr në pah gjithë pasaktësitë e mendimit fillestar dhe dobësitë e procesit.
Procesi i përngjan jetës me të vetmin ndryshim që është dydimensional.
Tredimensionshi është jo i vështirë për tu perceptuar, por futja e dimensionit të katërt është tronditëse.
Tronditja është një ndjenjë gallëruese për të topiturit.
Të jesh i topitur nga dashuria do të thotë të mos jesh i dashuruar.
Të dashuruarit mund të jenë të tmerruar, por kurrë nuk janë pesimistë.
Pesimizmi thjeshtësohet katërcipërisht, kur përdoret gota gjysëm e mbushur si spjegim.
Nëse kërkon të spjegosh gjithshka që të del para atëhere ji i sigurt se je në qorrsokak.
Qorrsokaku duhet të jetë në origjinën e shprehjes “T’i biesh murit me kokë!”
Mund t’ju biesh me kokë mureve me materiale të riciklueshme.
Riciklimi është në bazë të filozofisë së jetës edhe pse ne e reduktojmë sot vetëm në fushën e plehrave.
Industria e mbledhjes dhe përpunimit të plehrave është më e lakmuara për grupet mafioze.
Mafien nuk e kemi shpikur ne shqiptarët, por ne nuk kemi shpikur thuajse asgjë.
Asgjëja, hiçi, vakumi, boshllëku edhe pse në dukje janë emra konkretë, janë plotësisht abstraktë.
Të jesh në gjendje të abstragosh do të thotë se ke mundur të ngrihesh mbi nivelin e kafshëve duke qënë i tillë.
The gjë kafshë?
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment