Friday, 14 September 2018
Ceshtja e gruas te shokut Bardhi (pjese)
* * *
“Alket ti nuk e do Nelan! Të gjithë e kanë marrë vesh, që shoku Bardhi ka shkuar në shtëpinë e shokut Asim dhe e ka kërcënuar me pistoletë. Të ma thonë të tjerët e un[ mos di asgjë?! Ky është kulmi!”
“Janë fjalë. Fjalë që i përhap armiku. Asgjë nuk ka ndodhur mes shokëve Bardhi dhe Asim!”
“Posi! Prandaj ka ardhur gjithë ai grup nga Komiteti Qëndror?! Nuk do të më tregosh?”
“Shiko, se është një gjë. Unë dua të të tregoj ato që janë të provuara. Eshtë në natyrën time edhe si jurist, por dhe si anëtar partie me një stazh të admirueshëm, që mos flas kot. Të gjitha këto thashetheme të dënueshme janë hapur se gruaja e shokut Bardhi është shumë e bukur.”
“Ti më ke thënë që shoku Asim e pëlqen të bukurën?! Apo ke harruar?”
“Eshtë e vërtetë…por një marëdhënie me drejtoreshën e Shtëpisë së Pionierit, që për më tepër është bashkëshortja e shokut Bardhi, as që diskutohet.”
“Domethënë shoku Asim mund të bëjë dashuri me Nelan, por jo me Zelan e shokut Bardhi? Po pse unë mos jam ndonjë ordinere?!”
“C’e ke këtë fjalë Nela ime! Si mund të më shkojë ndërmend të të quaj ordinere?”
“Ti vetë më the , që shoku Asim më shikonte gjithë epsh kur diskutoja në Pleniumin e Rrethit? Harrove?!”
“…Tjetër gjë të thuash se të shikonte dhe tjetër është marëdhënia. Dhe unë nuk zura në gojë epsh.”
“E njëjta gjë është. Pse mua më shikon dhe gruan e shokut Bardhi jo. Këmbehen edhe për ditë kur shkojnë në punë. I ruan nderin shoqes Zela apo shokut Bardhi ai?”
“Nela duhet të kuptosh disa gjëra, të cilat kanë më shumë të bëjnë me devotshmërinë ndaj idealit dhe jo me çështjet e nderit. Në këtë rast vetë karriera dhe ideali do bëheshin pengesë për një marëdhënie të verbër.”
“ I ka shkuar në shtëpi me pistoletë në dorë shoku Bardhi apo jo? Këtë më thuaj!”
“Ne jemi në organizata të ndryshme bazë, por nëse do kishte ndodhur diçka si kjo që thua ti Partia do më njoftonte. Pozicioni im është kyç.”
“Ti do vije me Zelan po të të thoshte?”
“…Pyetja nuk është e ndërtuar mirë. Zela nuk është thjesht Zela, por edhe gruaja e shokut Bardhi. Një ndërlikim i tillë i situatës hipotetike, sigurisht që do më vinte në një pozicion tepër të vështirë.”
“Do i theshe po apo jo, këtë dua të di?”- ngriti zërin Nela.
“Nuk ka situatë të tilla. Eshtë i gjithi një proces dhe jo një pyetje përgjigje. Asnjë femër nuk të thotë drejtpërdrejt do vish me mua. Ti i hedh shikime, ajo të le t’i kuptosh që diçka i pëlqen, pastaj ti hedh një hap përpara, një proces i tërë. Si ndodhi me ne të dy.”
“Ku e di ti që ky proces nuk ka ndodhur me Asimin dhe Zelan? E ve dot dorën në zjarr?”
“Partia na ka mësuar që për asgjë mos vemë dorën në zjarr. Sidomos në profilin tonë, ku vigjilenca dhe verifikimi i fakteve është në bazë të aksionit prioritar.”- tha i vendosur Alketi dhe provoi ta afronte ndaj vetes, por Nela e shtyu pa shumë ceremoni.
“Nelas po i ik rinia me përkushtimin ndaj çështjes së Parisë dhe të Armës së Sigurimit dhe ky është shpërblimi që marr. Sekretet më të mëdha nuk më thuhen. I tërë qyteti flet dhe Nelan e trajtojnë si të rëndomtë.”
“E ke shumë gabim. Ti e di që unë t’i kam treguar të tëra edhe ato që janë sekrete shtetërore…E takove Terin?”
“Jo dhe nuk kam ndërmend ta takoj. Më duket se vetëm për të marrë informacione më thërret këtu.”
“Nuk është e vërtetë. Ti e di dobësinë që kam për ty edhe pse në detyrën që kam nuk duhet lejuar dobësia. Por ky operacion është më i rëndësishmi. Cdo gjë për të ardhmen tënde dhe time do varet nga suksesi i tij.”
“Nuk mund të them nëse do i afrohem atij cungu.”
(vijon)
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment