Monday, 17 September 2018

Bret Kavanaugh dhe lëvizja “Me too”




Këto ditë, në mediat amerikane ka shumë diskutime rreth një akuze ndaj kandidatit për në Gjykatën e Lartë amerikane Bret Kavanaugh. Një doktoreshë e respektuar e akuzon gjykatësin se pas një party në vitin 1982, ai i dehur ka dashur ta përdhunojë. Gjykatësi ishte 17 vjeç ndërsa doktoresha 15.
Në jjë sens mjaft pozitiv, lëvizja “Me too” ka krijuar një klimë mjaft të mirë për femrat, që të denoncojnë se në vendet e punës abuzohen nga bosat e tyre ose ju kërkohet që nëse duhet të bëjnë karrierë duhet të flenë me ta. Kjo vërtet është një problem i madh për shoqëritë e përparuara perëndimore, të cilat ende sundohen nga burrat.
Por a ka një lloj kufiri trajtimi i gjithë këtyre ngjarje shumë delikate, shpesh kriminale, kur sjelljet, sinjalet, dëshirat, gjykimet janë jo vetëm shumë të ndryshme, por shpesh herë të turbulluara nga pasionet e moshës apo efektet e alkolit?
A duhet gjykuar qoftë moralisht, një njeri për diçka që ka bërë kur ka qënë adoleshent?
Problemi është tejet i koklavitur, sidomos se përfshin dëme psikologjike(shpesh të pashlyeshme) në viktimat, por edhe se hap rrugë për të akuzuar këdo për gjithshka që mund të ketë qënë shumë më e ndryshme në kohën kur ka ndodhur, ose edhe nëse ka ndodhur, njeriu në fjalë është tërësisht i ndryshuar.
Raporti mes dy adoleshentëve gjatë një party, ku mund ose dhe jo, të jetë konsumuar alkol është diçka që nuk mund të përcaktohet qartë as nga “shkencat” e sjelljes (behavioural sciences). Të rinjtë mund të pëlqejnë njëri tjetrin, por ajo çka merret si sinjal dëshire nga mashkulli mund të jetënjë shenjë e thjeshtë flirtimi nga vajza. Fjalët që këmbehen, shpesh herë me dy kuptime, mund të krijojnë ide nga më të ndryshmet në kokat përkatëse. Gjithashtu shoqëria ende nuk ka përcaktuar dhe s’mund të përcaktojë kufij se cila është ‘gjuha e prekjeve” dhe nëse një kontakt trupor nga vajza nënkupton se është e gatshme për të vazhduar një ‘proces dashuror të plotë‘ etj. Mund të shkohet në argumenta të pafundme  se si kanë rrjedhur komunikimet gjatë disa orëve mes dy të rinjve. Kuptimi i tyre edhe nga të pranishmit mund të jetë nga më të ndryshmit. Askush nuk di dhe nuk ka të drejtë të thotë me saktësi se “ishte faji i tij ose i saj”.
Shoqëria, për shkak të rrënjëve të thella maskiliste, ka prirje t’ju japë të drejtë djemve, por nuk duhet të jetë kështu.
Veprimet seksuale(ku nuk futet vetëm intercourse) duhet të jenë domosdoshmërisht të pranuara nga të dy. Një “Jo”, sidomos e përsëritur, nuk ka se pse të “përkthehet” si “naze”. “Jo” është gjithmonë “Jo”.
Një përdhunim mund të harrohet shumë shpejt nga ai që e ka kryer(ka raste të rralla kur e bëjnë edhe femrat). Nuk ka shembuj kur ndjenja e fajit e ndjek për tërë jetën përdhunuesin. Por viktimat e përdhunimeve, sidomos në mosha fare të reja, ose kur humbin virgjërinë, traumatizohen rëndë psikologjikisht.
Ndaj detyra e shoqërisë është të parandalojë sa më tepër që të jetë e mundur ngjarje të tilla. Kjo edhe duke ja u kujtuar në një të ardhme, për t’ju dhënë adoleshentëve mesazhin, që çka është sjellje kriminale nuk mund të shkojë pa u ndëshkuar nga shoqëria.
A mund të ketë edhe akuza të pabaza, që mund të shkatërrojnë karriera dhe jetë njerëzish?
Edhe mundet. E megjithatë, një karrierë e dëmtuar nuk mund të barazohet kurrë më “shkatërrimin psikologjik” të një vajze, e cila pas përdhunimit nuk mund të jetë kurrë si më parë.

1 comment:

  1. An interesting discussion is price comment. I feel that you should write extra on this topic, it may not be a taboo subject but typically individuals are not sufficient to speak on such topics. To the next. Cheers casino slots

    ReplyDelete