“Prëmë mu faneps Etoreja. Në ëndërr jesha ose nuk jesha. Kishje pengim. Deshnja ta qafoja. Ai kishte mbetur i ri. Nuk fliste po më shihte thellë në zëmbër. Ku ke qënë e pyeta italisht. I shpuri sytë lart në qiejt mbi këtë qiellin që shohmë. Pastaj më bëri shënjëzë ta ndiqja. Nuk çapitesha dot. Kishje pengim. Po sytë mu patën ngëthyer. Ja shëkonja palltonë e ngrënë në kindat. Capitej zbathur. U përpoqa ta ndjek. U hump në mjegullën. Nga kind i palltosë kjo kartë i ra.” Profesor Londoja nxorri nga xhepi i rrobëdhomës një letër të palosur dhe ja zgjati.
“Eshtë latinisht. Vox populi, Vox Dei. C’kuptim ka?”
“ Zëri i popullit është zëri i Perëndisë. Në gjuhën tënë janë të tëra. Aty lipset të gjejmë Krijonjësin.”
“…Zëri i popullit. Po gazetës pse i kanë vënë këtë emër?”
“Nuk janë të urtë.”
“Profesor vërtet kjo pusullë i ra Majoranës? Mos e ka hedhur kush tjetër dhe ashtu të ngjan?”
“Në odë nuk hyn njeri përpos Frosës. Ka qënë këtu. Nuk ishte vegim.”
“Dhe ti thua që i ka rënë apo ka dashur vetë?”
“Për një qëllim të lartër e ka lënë. Vjen nga shumë lart.”
“Ti thua ishte i ri.”
“Ishte i urtë. Shkuar ka në të përtejmen në të fshehta udhë. Nxinte shpejt. Nënën e kishte arbëreshe.”
“Edhe?”
“Të perëndive gjuhë flasmë. Këtë na thotë e këtë lipset të bëjmë. Jo më kot pellazgë jemi. Të parët që muarmë fjalën nga buzë e Perëndive. Pell – as – ge. Ne ishim. Jemi. Do jemi. Pell është e moçme për pjell, i pjellë, i dalë…as si në gegnishte asht, është e toskërishtes…ge ishte dhe, dheu, toka, mëmëdheu, që grekët nuk e thoshnin dot dhe e ndrruan në ge, që e përdornë për geo, gjeo. Pjell asht dheut. I dalë nga dheu. I përhershëm. I këtushëm. I pari. Pellasge.”
“Ja u ke thënë atyre të Institutit?”
“Tremben prej shqiptarizmës së kulluar.”
“Dhe e gjitha ka ardhur përtejmi?”
“Afërmëndsh.”
“E ç’mund të bëj unë?”
“Këndo, nxë prej të moçmëve. Në burim është e vërteta.”
“Ata do vijnë pas dyzetetre vjetësh? Po sikur mos jem as unë?”
“Udhën na e kanë rrëfyer. Lëfto përdhosjen!”
“Amerikanët duhet të dinë diçka për ta. Në Vuajaxhër 1 kanë vënë dy disqe floriri me shënja dhe tinguj të kësaj bote. Duan t’ju tregojnë gjëra, që tashmë ata i dinë?”
“I dëgjova. Si të nisësh një kaike në oqean e të shpresonjsh se do gjenjë tokë të re. Të mefshtët! E përtejmja është më afër. Ata kanë kyçet e Gjithësisë.”
“Pra çdo gjë që shohim nuk është sikundër e shikojmë?”
“Nuk e shkoklavitim dot. Këtë më thoshte Etoreja.”
(vijon)
No comments:
Post a Comment