Kete fjale, poeti Vangjush Ziko,e pat mbajtur ne nje tubim perkujtimor rreth shkrimtareve korcare, qe nuk jetonin me. Tubimi eshte mbajtur vitin e pare te mijevjecarit te ri n[ biblioteken e Korces. Babane e lidhte me Vangjushin nje miqesi ne vite, qe karakterizohej nga respekti i dyanshem dhe korrektesia. Me shume dashuri eshte shprehur poeti per Andonin, duke dhene nje portret te plote te tij edhe pse vetem brenda nje segmenti kohor, qe kushtezohej nga natyra e veprimtarise perkujtimore. Po e
percjell te plote dhe pa asnje ndryshim.
Në këtë sallë bëhen shumë takime dhe flitet e bisedohet për shumë gjëra të bukura e të vyera, po ky takimi i sotëm është aq i veçantë dhe emocionues, sa të bën më shumë të heshtësh se sa të flasësh; ky është një takim ku flet kujtesa, zemra dhe shqisat, që na ka falur krijuesi për të hetuar, zbuluar, dëshmuar, që na bëjnë të krenohemi e të hidhërohemi, aftësi pa të cilat bota dhe jeta njerëzore do të ishte një shkretëtirë e përjetshme. Ky takim ngjan me një përshpirtje që në këto çaste po e bëjmë me fjalën e kujtesën tonë për kolegët, shokët dhe miqtë tanë, në këtë tempull plot vitrina e rafte të ngarkuara nga librat, ku midis tyre janë dhe reliket e talentit dhe të personalitetit të tyre krijues.
Një emër mes tyre është dhe Andon Mara, autori i disa vëllimeve me tregime e novela, i dy libreteve operistike, i disa tekste këngësh; autori i dhjetra e dhjetra reportazheve e intervistave radiofonike.
Andonin si njeri, si zë dhe si emër e kam njohur për herë të parë në vitet 50-të, kur fill pas çlirimit recitonte në një veprimtari kulturore në skenën e kinema “Majestikut” vargjet e Majakovskit. Kaq përshtypje më bëri zëri i tij i plotë e me tone burrërore, sa që pata dëshirë ta imitoja edhe unë në recitimet e mia shkollore.
Disa muaj më vonë, më 1948, më pranuan në rrethin letrar të shtëpisë së kulturës dhe e dëgjova duke diskutuar rreth një drame të shkruar nga aktori Aleko Skali, ku u ngjall një debat rreth një skene të saj, në të cilën jepej takimi i dy personazheve kryesore në një stacion të metrosë së Korçës; debati u bë rreth mënyrës së pasqyrimit të së ardhmes dhe Andoni theksoi mendimin për një pasqyrim realist dhe jo fantastik të jetës. M’u duk i vendosur dhe i prerë në mendimet e tij.
Në vitin 1949 u zhvillua kampionati i parë i shahut për qytetin. Mua më qëlloi të ulem ballë për ballë në skakierën e shahut me Andonin; ai, tashmë një i ri i burrëruar, gati 30-vjeçar, trupmadh, serioz, i pashëm dhe unë një gjimnazist i imët. Andoni më buzëqeshi me dashamirësi dhe më tha : “Fillojmë!” Unë kisha gurët e bardhë dhe nguroja dhe matesha shumë në lëvizjet. Në një moment më tha: “Mos u huto, se dhe i vogli e mund të madhin.” Dhe qëlloi që kjo profeci e tij, për rastësi, u realizua. Andoni, sigurisht u emocionua dhe nuk i erdhi aspak mirë që u mund, po më zgjati dorën pasi kishte ulur mbretin e tij mbi skakierë dhe më tha: “Të lumtë, më munde”dhe shtoi duke u ngritur”na sill vjershat e tua t’i diskutojmë në rrethin letrar.”
Këto ishin përshtypjet e para të mia për Andonin. Më vonë puna letrare do të na lidhte me një miqësi të vazhdueshme. Që në fillim e admirova për natyrën e tij energjike, për aktivizimin e tij të shumanshëm në jetën kulturore të qytetit dhe për interesat e tij të larmishme në jetë. Kurse me Andonin, si krijues, u njoha për herë të parë duke lexuar tregimin e tij “Helmeta”, botuar në ato vite, i cili tregonte me dhemshuri për një nënë, fill pas lufte, që në një helmetë naziste të shpuar nga plumbi, mbjell e selit borzilokun e parë. Më bëri përshtypje gjetja e goditur, thjeshtësia e fabulës, lakonizmi, ngrohtësia.
Anon Mara nëpërmjet vëllimeve “Ka qënë dikur”, “Shtëpia e xha Milit”, “Brumi i zjarrtë“, “Kapedan Cilja dhe i nipi” dha kontributin e vet në ecurinë e prozës sonë të shkurtër; dha ngjarje dhe karaktere të ndryshme shoqërore; proza e tij dallohet për realizëm në pasqyrimin e botës shqiptare, të njerëzve të shtresave të ndryshme, për stil konçiz, lakonizëm në përshkrim, konkretësi dhe plasticitet, si dhe për gjuhë të pastër. Si libretist, së bashku me mikun e tij Aleko Skali, dha kontributin e vyer në kultivimin e kësaj gjinije letrare, që nuk kishte pasur aspak traditë tek ne; këtë e dëshmon më së miri libreti i operas “Lulja e kujtimit” kompozuar nga Artisti i Popullit Kristo Kono.
Andoni ishte njeri i kompletuar me kulturë dhe erudicion mjaft të gjerë, që e kishte fituar me punën e tij sistematike dhe këmbëngulëse dhe me mundësitë që i jepte njohja e disa gjuhëve të huaja. Shkollën fillore e pat mbaruar në Stamboll, kurse në Korçë ai mbaroi Liceun Kombëtar.
Andonin s’e tërhiqte vetëm letërsia artistike, të cilën e ndiqte dhe e studionte me pasion, po aq e tërhiqte dhe letërsia në përgjithësi, sidomos ai interesohej për traditat kulturore të qytetit në fusha të ndryshme; këtë e dëshmonte jo vetëm biblioteka e tij e pasur personale, por dhe bisedat e tij erudite. Atij i pëlqente edhe kur bënte shëtitjen e tij të zakonshme në bulevardin e Korçës, të bisedonte me miqtë e tij për problem të ndryshme: dhe për gjebërimin, dhe për arkitekturën, dhe për sportin, dhe për teatrin, për hanet e vjetra dhe për zakonet e familjes korçare… Ky bagazh dhe horizont kulturor e bëri Andonin të zerë një vend jo të vogël në jetën kulturore të qytetit duke punuar si një nga drejtorët e parë të bibliotekës dhe më vonë të Radios (Radio-Korçës shënimi im), pastaj për vite me rradh[, deri sa doli në pension, si redaktor i emisioneve kulturoro- letrare të Radios; ai pat qënë nga drejtuesit e parë të rrethit letrar pranë pallatit të kulturës, sekretar i degës së Lidhjes për letërsinë, anëtar i këshillit artistik të teatrit etj.
Andoni ishte jo vetëm një krijues i mirëfilltë, por edhe një dashamirës i pasionuar i artit. Shoku i tij i klasës, zoti Xhuvi Bino, kujton një ndodhi kuptimplotë nga jeta shkollore. Aleks Buda, që u jepte letërsinë, u dha një hartim me temë “Shkruani për një padrejtësi në jetë.”; Andoni shkroi një hartim origjinal. Duke u mbështetur në fabulën e La Fontenit “Gjinkalla dhe miza e dheut”, ai nxirrte deduksionin se nuk duhej dënuar gjinkalla me urinë e bukës, sepse dhe ajo kishte bërë një punë të lavdërueshme – kishte kënduar! Ky deduksion kaq befasues fliste për respektin që kishte ai për artin dhe artistin, që në rini, si dhe për bonsensin e tij prej krijuesi.
Jo më pak i ndjeshëm ishte ai edhe ndaj problemeve shoqërore dhe patriotike. Shoku i tij i klasës tregon gjithashtu, rastin kur ky në një hartim kishte përdorur emrin e Vestas, hyjnisë së fatit, Andoni i kishte bërë vërejtjen, pse mos përdorte emrin shqip të saj, Fatthëna. Ndjenja të tilla e bënë atë, që bashkë me liceistë të tjerë, të lerë bangot e shkollës dhe të shkojë në mitingun e Voskopojës e prej andej të dalë partizan e të plagoset në Vithkuq.
Andoni kishte një karakter që dallohej për qëndrueshmëri dhe principialitet. Sinqeriteti i mendimeve i shkaktonte shpesh dhe situate jo të këndshme, bile të vështira, kur ia keqinterpretonin sinqeritetin. I tillë ishte rasti, që I kushtoi në jetën e mëvonshme, kur shfaqi ndjenja miratimi të sinqertë ndaj vërejtjeve që bënte një qytetar në një letër të hapur që i dërgonte Enver Hoxhës, mbi vështirësitë ekonomike të fshatit të asaj kohe. Andonin për këtë e përjashtuan nga partia.
Edhe me shokët e tij të krijimtarisë ai ishte i respektueshëm dhe i sinqertë. Ai përgatitej seriozisht për çdo diskutim krijues, thoshte hapur vlerësimet dhe gjykimet e veta, nuk dinte të bënte vlerësime hipokrite, megjithëse mund t’i zemëroheshin pa të drejtë disa. Me mendimin e tij mund të mos bije dakord, por nuk mund ta akuzoje për mungesë serioziteti, përgatitjeje, apo për ligësi. Ai e respektonte dhe vlerësonte krijimtarinë e shokëve të vjetër apo të rinj dhe vuante përbrenda kur e keqkuptonin, por nuk hiqte dorë nga principialiteti i tij.
Andoni e respektonte miqësinë e sinqertë deri në skrupulozitet, duke shkelur shpesh herë edhe mbi shëndetin e vet. Nuk mund të harroj një veprim të tij, që flet qartë për karakterin e Andonit në këtë drejtim. Ai kishte një javë i sëmurë, pa dalë fare nga shtëpia. Unë i dërgova ftesën e martesës sime. E bëra për respektin që kisha, pa pretenduar aspak ta detyroja të vinte, se e dija gjendjen e tij shëndetsore. Andoni erdhi ditën e dasmës, u u në karrige, mori bonbonen, rakinë nuk e preku (pijet nuk i kishte aspak qejf), uroi i shqetësuar i mbuluar në djersë e doli, duke më lënë në zemër një ndjenjë të ngashëruar, të mbushur me gëzim dhe shqetësim, ndjenjën e një miqësie, që mposht edhe vështirësitë shëndetësore.
Të tillë e mbaj mend unë (dhe jo vetëm unë) Andon Marën, këtë krijues dhe veprimtar të palodhur e të talentuar, këtë njeri me karakter të fortë, këtë mik dhe shok të sinqertë, që bashkë me shokët e tjerë, për të cilët po flitet me respekt në këtë tubim, plotësojnë portretin individual dhe kolektiv të krijuesit të qytetit tonë. I kujtojmë ata shpesh apo rrallë, por një gjë është e vërtetë : ata nuk duhet t’i harrojmë, sepse, pavarësisht se ata ikën para nesh, ata mbeten midis nesh personazhe të skenës krijuese e kulturore korçare e më gjerë. Ata e kanë merituar prej kohe këtë homazh modest, që po u bëjmë sot. Ky është një nderim jo vetëm për ta, por edhe një nder i madh për ne, që i kujtojmë, për Klubin e Shkrimtarëve “Bota e Re” dhe, në mënyrë të veçantë për presidentin Vangjush Mile kaq bujar e kaq të njerëzishëm, aq të përkushtuar e të pakursyer për kulturën e qytetit tonë.
No comments:
Post a Comment