* * *
“Profesor është bërë qameti jashtë. Në të tërë shkollat kanë shkrojtur kundër qeverisë dhe Enverit. Me një bojë që nuk lahet. Të vdesë partia bashkë me Enverin kanë shkruar…ja kanë bërë për ditlindjen. Ca thonë e kanë bërë grekët. Kishin parë drita në qiell mbrëmë. Edhe desantë kanë zbritur. Pastaj ikën siç erdhën. Nga kjo bojë nuk ishte parë ndonjëherë. Bojë zjarri. Unë nuk dola tërë ditën. Se ç’më duhet mua. S’kam kalamanj në shkollë. Për kalamanjtë e kanë bërë se pse do shkruanin mureve të shkollave. T’i kthejnë kundër Enverit. Do fillojnë arrestimet prapë. Se pa patur mbështetje nga brenda nuk bëhet thanë. Shkollat i mbyllën. Tërë komunalja po punon të lyejë muret se boja nuk lahet. C’bojë të jetë kjo? Bojë zjarri thanë. Nuk ishim dëgjuar të këtillë. Edhe shkronjat ishin të tëra njëlloj…si me stampë. E kishin gjetur natën që kishte herë dhe pa hënzë. Po dritat në qiell i kishin parë njerëzit. Tani do vinë të na pyesin neve që ngrihemi të parët për qumësht. Si atë vit, që doli ai grupi i marmallatës. E mban mend? Ishin ata që ju zinin gojën me pako me marmallatë grave të turnit të tretë. Po unë nuk kisha parë dhe as kisha dëgjuar gjë. Zinin gra të reja. Mua më merrnin të keqen! Tani as kam parë dhe as kam dëgjuar se kjo është edhe me politikë. Të marmallatës ishin ordinerë thanë atëhere. Këta me siguri që janë desantë. Pse ç’ishin ato drita në qiell?! Fishekzjarre tani nuk hedhin më. Për ditlindjen e Enverit e kanë bërë. Edhe Zogut i bënë atentat atëhere për ditlindje. Gjithnjë zarare bëhen për ditlindje. Mirë bëjnë që nuk i festojnë ditlindjet e grave. Kasapahanë do ishte bërë po t’i bënin. Gratë tërbohen kur plaken. Sherre do ketë. Ja në datlindjen e këtij të madhit i thonë të vdesë. Të tjerët i thonë të rrojë sa malet. Sikur do thahet njeri në këtë botë! Sa malet! Dhe ja tani tërë komunalja po lyen shkollat. Edhe Zogu që ishte mbret vdiq pa u kthyer në fron. Se ka njeri me tapi. Ky është më i bukur. Po edhe ky do vdesë. Nuk kursen njeri vdekja. Po sa na hapin ne avaze tani. Nuk di si të bëj nesër për qumësht. Jo kini parë gjë jo s’kini parë. Le t’i hapin sytë vetë. Ne do ja u ruajmë shkollat. E dinë që është datlindja e të Madhit dhe t’i ruajnë. Po t’ju thuash që pashë dy si hije atëhere të marrin në Degë dhe jo si ishte hija jo si nuk ishte. Po hija hije është. Prandaj i thonë hije. Le që as hije nuk dukej mbrëmë. Edhe dritat në qiell këtej nga ne nuk dukeshin. Nga bulmetorja nuk duket as muri i shkollës dhe as rruga. Le që po të kenë qënë desantë si thanë, ata zbresin bëlldum e në oborr të shkollës. Nuk shkojnë rrugës. Po kjo bojë si do ishte? Bojë që nuk lahet. Ishte plot me policë ndaj nuk shkova afër. Le që të shikojnë a të marrin fotografi. Po të të shikojnë të qeshësh të mbërthejnë se të thonë je gëzuar. Po të rrish e menduar të thonë po kjo përse mendohet, me siguri do dijë ndonjë gjë. Unë as nuk gëzohem, as mendohem. Janë të tjerë për ato punë. Kujt i ka erdhur vdekja do i vijë po pse t’i urosh njeriu vdekjen? Sa e ka të shkruar do rrojë. Këta shkruajnë edhe të vdesë partia. Si do vdesë kjo parti që nuk është pjellë. Se do pillesh një herë pastaj do vdesësh. Tërë që janë në parti do vdesin njëherazi? Pu pu ç’mallkim! Ka edhe shumë të rinj. Që në Luftë nuk kemi parë nga këto të shkrojturat natën. Se këta të komunales shkruajnë gjithnjë për festat. Janë të shrojtura me leje. Këto kundër qeverisë janë me zarar! Do kenë qënë shumë desantë se tërë batalioni I komunales po lyejnë sot tërë ditën dhe nuk kanë mbaruar. Janë tërë ato shkolla. Si me shkronja të stamposura. Do kenë makina që i bëjnë shpejt. C’nuk kanë shpikur tani. Për gjëra të liga. Pse nuk shpikin si të ketë më shumë qumësht. Të ngrihesh më pesë dhe të marrësh aq shishe sa të duhen. Bojë që nuk lahet! Kujt i hyn në punë një bojë që nuk lahet me asgjë. As me alkol as me benzinë. Po të qenë të vendit këta të parrullave do i kishin gjetur nga pikat e bojës. Se sado me kujdes të shkruash do pikohesh një herë. Ishte dhe natë pa hënzë dhe me shumë erë. Veç po të jenë desantë dhe t’i shkruajnë me makinë. Po kush ma tha këtë të desantëve? C’janë desantët profesor…o ky po fle…kot kam dërdëllitur!”
No comments:
Post a Comment