Biseda për Terin ishte më e vështirë se e pata pritur. Ivi nuk foli fare kurse Ziku mundohej të bënte shaka, por edhe ai heshti më pas. U munduam të kujtoni bisedat e fundit që kishim bërë me të, por askush nuk kujtonte se kur kishte qënë hera e fundit që e kishim takuar. Gati sa nuk thoshim se ai kishte hyrë vetë në një moçal, që po e thithte ngadalë dhe nuk mund ta shpëtonim dot. Ai ishte ndryshuar aq shumë sa thuajse nuk ishte më Teri që njihnim. Por si mund ta linim fillikat të vetëm, në ecejaket e tij tek Londoja dhe tek të tjerë pleq të krisur? Kundër tij ishin të gjithë. Thuajse të gjithë. Të gjithë që flisnin. Gojëkyçurit nuk e mbronin dot. Le që as i dinim se sa ishin. Kishim frikë të mendonim se shumë njerëz ishin kundër “këtyre”. Për më tepër mes “këtyre” ishte edhe i jati i Zikut, dajoja im dhe dhjetra të afërm tanët. Ne nuk hynim as tek gojëkyçurit dhe as tek “këta”. Por jo se dinim ndonjë gjë më shumë, vetëm se nuk na pëlqenin muret. “Muret që kanë edhe veshë“ – tha Ivi një çast dhe pamë përreth ëmbëltores. Në tavolinë pranë ishte një çift të rinjsh që hanin me sytë ulur xupat, kurse në një tjetër, pranë vetratave, Tomi i trashë i autoambulancës fliste me zë të lartë me një burrë të moshuar. Nuk dukej se na i vinte veshin kush ndaj vazhduam për Terin. Nuk mund të flisnim për gjë tjetër.
Një çast më vonë Ivi hodhi idenë se mbase duhej të flisnim me Nelan. Sipas tij ajo ende e deshte Terin, se një ditë kur ishin takuar nuk ja lëshonte dorën. Ne e kundërshtuam duke i thënë se shtrëngimi i gjatë i dorës nuk kishte pse të bënte me Terin dhe se ndoshta Nela kishte diçka për të, por Ivi këmbënguli duke thënë se për atë gjë ishte i sigurt se e pranishme kishte qënë edhe e fejuara e tij. Për më tepër ajo ja kishte shtënë në mendje, që e zgjatura e pazakontë e shtrëngimit të dorës kishte të bënte vetëm e vetëm me Terin. Ziku zhvilloi më tej idenë e një takimi të njërit nga ne me Nelan. Mu duk që të tre po përpiqeshim ta shtynim larg vetes përballjen me Terin. “Do e takoj vetë“ – ju thashë.
“Kaq e kishit stinën e mjaltit o?” u dëgjua Tomi i trashë nga fundi i ëmbëltores. “Ja u ngritët barkun grave dhe i plasët në shtëpi tani? Po mirë ju të dy, po dhe ky nipi i Jordanit që është i fejuar akoma, edhe ky nuk e nxjerr?”
I buzëqeshëm Tomit që na shihte i kënaqur, se na kishte prekur aty ku duhej dhe u ngritëm të dilnim.
Atë mbrëmje shkova në shtëpinë e Terit dhe e mora të dilnim. I thashë për bisedën me operativin, por mu duk po aq i mpirë sa në fillimin e bisedës. Shkarrazi përmendi se kishte dyshuar se dikush e ndiqte, por nuk i bëhej vonë, se nuk po bënte asgjë kundër qeverisë. Edhe mua nuk dinte ç’të më tregonte. Cdo gjë sillej rreth gjuhës shqipe dhe gjuha nuk kishte asnjë lidhje me politikën. I kujtova se edhe mund ta arrestonin, se kishte ndodhur që kishin arrestuar edhe të pafajshëm, por nuk u trondit. Dukej i sigurt në ato që i kalonin nëpër mendje në ato çaste dhe që ishin aq të pakuptueshme për mua. Nuk më dukej as i
rrjedhur. Vetëm thellësisht i ndryshuar. Pakuptueshmërisht i ndryshuar. Profesor London nuk e zumë në gojë. As Nelan. U ndava me të më i turbullt se më parë. Dukej që nuk mund ta ndihja dot. Do më duhej të prisja me ankth javët deri sa ta arrestonin.
(vijon)
No comments:
Post a Comment