Saturday, 22 September 2018
Energjitë pozitive të një grupi pozitiv
Gjithshka bëhet nga të mirët në emër të së mirës. Nga pozitivët për hir të pozitivitetit.
Kjo ishte edhe esenca e dy intervistave të shkurtra të kryetarit Raqkë, i cili megjithëse me një fytyrë të vrerosur përcjell energjitë pozitive të shokut, idhullit, udhëheqësit shpirtëror, Rilindasit Niko Peleshi.
Ishin bajagi të shkurtra dhe më interesoi t’i dëgjoja se flisnin për Qendrën e Korçës.
Kisha dëgjuar deri tani vetëm një intervistë të tij, kur fliste për një libër të poetit Skënder Rusi, një togfjalësh i të cilës nuk më ndahet nga mendja. Raqi citonte Rusin për qytetin tonë në formë zemre dhe me siguri i referoheshe pjesës midis dy bulevardeve , që ka një formë ovale. Edhe pse kisha parë mijra harta të qytetit në shkallë të ndryshme, asnjëherë nuk më kishte shkuar në mendje një krahasim i tilë. Jam munduar ta largoj nga mendja, se krahasimet e formave ovale në planimetri me organet e trupit janë gjithnjë të rrezikshme dhe që nuk i shkojnë as poezisë dhe aq më pak një interviste Kryebashkiaku.
Gjithsesi le t’ju kthehemi intervitstave me “energji pozitive”, ku mbizotëronin fjalët “e re”, “inovative”, “moderne”, “bashkëkohore”, si ngjan shpesh në intervistat e Rilindasve
Ishin për Bashkinë që transferohet tek Biblioteka dhe për pak “franga të qelbta” kthehet në një Bashkie europiane që funksionon sipas konceptit “open hall”, që pak a shumë përkthehet “ eja këtu nëse të është hapur ndonjë hall dhe zgjidhja është e menjëhershme” dhe për Bibliotekën e Re në përfundim të ndërtimit.
Sipas Raqkës, të gjitha energjitë negative, që sillen rreth e rrotull Pedonales do zhduken si me magji posa të nisë funksionimi i plotë i Bashkisë dhe Bibliotekës. Pak a shumë e gjithë jeta e një njeriu të zakonshëm, i mbytyr deri tani nga hallet do pastrohet brenda Pedonales. Hallet do i zgjidhen paradite (deri në orën 4) në “open hall” mes nëpunësve të sjellshëm e të devotshëm dhe më pas nuk I mbetet asgjë veç të çlirojë energjitë e tij krijuese (Raqka përdor kreative si tërë rilindasit e kënduar) në Kompleksin kulturoro-kreativ të Bibliotekës së Re. Nuk do ketë nevojë as të kthehet në Katedrale për të ndezur ndonjë qiri, se do jetë vetë energji pozive puro.
Aq hollësisht po e mendojnë këtë proces psikologjiko – energjik në Bashki, sa në katin e fundit të Bibliotekës krahas librave, sipas Raqkës do shërbehen edhe pije! Pamja është aq panoramike sa e do edhe pijen. Shiko, lexo dhe pi!
Për herë të parë në botë krijohet edhe profesioni i bibliotebares (profesioni i bibliotekares është konsideruar jo mirëtingëllues). Nuk janë përcaktuar ende detajet se sa pije ke të drejtë të marrësh me një libër dhe nëse duhet të kthesh në fund gotën bashkë me librin. Kuptohet se si çdo gjë që eksperimentohet për herë të parë, do ketë edhe vështirësitë që sjellin befasimet. E gjitha bëhet në kuadrin e lëvizjes “shock of the news” të ideuar para 4 vitesh nga dyshja Uillson –Peleshi.
Aq energji pozitive do çlirohen 6 muajt e parë, sa për të balancuar, do ftohen nihilistë nga i gjithë vendi dhe rajoni për të sjellë kontributin e tyre negativ.
Ah të kishte edhe një ftesë për mua!
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment