“Sytë më lanë fare. Jam ligsht në këmbët. E duart më mpihen. Kockë, lëkurë e damarë mbetur. Mbi damarë rri. Udhëdalje nuk gjënj. Shpirtin ma shpraznë. Ndaj dhe kumbon i gjithi. Vetëm zë në një amforë të shprazët. Tingull në një lëkurë të tharrë capi. Lirë me fije mendsh të nderura. Jam vetëm zë. Zësi jam. Jehonë e vojtjes. Shpirt i firuar. Në vajtim. Qysh ma gjetnë? Fellë e kisha mçehur. Sa fellë hynë. Sa fellë.
Djelmtë m’i ndoqnë. Të hijshmit djem. A më deshnë sa i desha? Jam Akili pa Patroklin dhe pa vajtim jam. Ku ta ndez zjarrë? C’të djeg në të? Nëneja thoshte se i vogël si zjarri isha. Si shpuza. Era më ndizte e nuk shuhesha. E gjora nëne. Kërcureja. Nuk e kapërcente dot të mos martonesha. Për një nip ishte e dëshëruar. Oxhaku i Londove. Unë jeshe zjarri pa oxhak. I marrosuri zjarr i brigjeve. Zjarri që zhurriti nënen. Kërcuren.
Jam martuar me Shqipërinë i thoja. E gënjeja nënezezën. Kur e ndjeu u mpak. Si eshi u mblodh. E mpakët iku.
Nuk i dëfteja dot. Gjindja do ja thonë mejtonja. Gjindja qeshej. Të gjorët ata. Nuk ndajnë dot flligshtinë nga dashja. E deshja njerinë. Edhe vashat edhe djelmtë. Jo sythat dhe gonxhetë. Lulet e rritura deshja. E shpifarakët shpifnin. Kur u ndërmënda se rreth nuk ishnë mbletët po grerat shkuar kishte emri. Ishte zhbërë. Me djelmosha të vegjël nakatoset theshnë. Nuk e durojti dot nëneja.
Të përtejmit nuk duken. Presnë të kthjellonet. Kur shpresa mu hump doli Teri. I mahnitur është edhe pas një moti. Moti i shpresës fellë fshehur. Sa u mbodhisnë! Dyzetekatër mote. Dhe tridhjetedy të mërdhitur. Tridhjetedy të shkretë të pjekurisë seme. E nuk mundshë të zbres në ato udhë kujtimtare. C’mjaltë të mbledh në to. Shafran janë. Baltë e Vloçishtit dhe kurme pa dëshira. Buzë të dëshëruara për një cingar. Të dëshëruara për helm. Buzë të dregosura që nuk puthnë. As u njomnë. Ato mot i prisja. Kur gjëmonte e vetëtinte Mali i Thatë. Thoshnja tani do zbresnë. Vojtkat të shuanin. Të sillnin flakëzën e mirësisë.
Teri i mahnitur është. Mbeson në të tëra. Vetëm gojnë të hap. As vashat nuku sodit më. Në të rit kjo s’është e mirë gjë. Përtej nuk dimë ç’ka. E t’ja thom nuk jam thom dot. Pa gjumë do ta lë dhe prehje nuk do ketë. Dhe i pagjumi gjumin të tjerëve ju prish. E shpirtnë mund t’ja vrasnë. E mund të ndjejë llaftarë e gjëkafshë të bëjë. Këta të syrgjynosin për hiç gjëkafshë. Lipset të ritë t’ja mproj…”
(vijon)
No comments:
Post a Comment