Tuesday, 17 January 2017

Turp të vdesin njerzit nga të ftohtit në Korçë


Njeriu i dytë ose i tretë, që ndrron jetë në qytetin e dimrit dhe bamirësisë.
Ai nuk ka emër, si nuk kanë emra edhe shumë të pastrehë të
tjerë, të braktisur, të sëmurë mendorë, të zhgënjyer nga jeta ose edhe thjesht
të pafat.
I gjori, që mbylli jetën në mes të ngricës pardje, ishte futur
t’I fshihej këtij dimri të ashpër, pas një dere, të cilën e shihja disa herë në
ditë, për tridhjet vjet, kur hyja e dilja në apartamentin ku u rrita. Nuk ka se
si të jetë më në qendër të qendrës. Shumë shekuj më parë atje ka qënë kalaja e
garnizonit turk, që shënonte fillimin e qytetit dhe gati një shekull më parë,
ishte ndërtuar hoteli më luksoz në Shqipëri i quajtur “Pallas”. Njëzet metra përballë
është ndërtesa e dikurshme e Bashkisë, që po rikthehet në Bashki, me investime
jo të pakta nga qeveria socialiste.
Nuk ka para për një fjetore për të pastrehët në dimër,
sikundër ka në të gjitha qytetet e botës, ku temperaturat shkojnë deri – 20 gradë.
Nuk ka para as për menca, ku të pabukët mund të hanë një supë
për të mos vdekur.
Nuk ka para as për një furgon të mbushur me sanduiçe, që të
rrotullohet qytetit e t’ju japë diçka të përvuajturve.
Ku ka katandisur Korça e Mytevelinjve dhe e bamirësive të
tyre që prej pesë shekujsh më parë?
Ku ka shkuar fryma e Mandi Tërpos, që dhuroi shtëpinë e tij,
për tu bërë Mësonjtorja e Parë Shqipe e gjithë Mëmëdheut?
Si është ndryshuar Korça e filantropit Thoma Turtulli, që i
dhuroi qytetarëve Bibliotekë, Spital, Jetimore, Gjimnaz ?
Kush e ka thyer solidaritetin e korçarëve, që mblidhnin para
për të ngritur monumentin e Themistokli Gërmenjit dhe Luftëtarit Kombëtar, pa
pritur gjë nga shteti?
Ku janë Kisha Ortodokse, Myftinija dhe Gjyshata që dikur
ndihnin aq shumë nevojtarët?
Të gjithë presin nga Qeveria dhe Bashkia?
Në Korçë, më shumë se kudo gjetkë nuk duhet të vdesë njeri
nga të ftohtët. Dimëra të ashpër ka pasur që kur është krijuar qyteti.
Diçka ka ngrirë dhe krisur keq në shpirtin fisnik të Korçës.
Ndoshta është kulti I Parasë, të cilit duket se i është
ngritur një Monument në formën e një Kulle Brutale, jo shumë larg vendit ku u
ngri korçari I pastrehë.
Në Qendër të Korçës ngriu sërish një njeri.
E vrau dimri i ashpër i lakmisë dhe indiferencës sonë!







No comments:

Post a Comment