Pesë vjet pas vënies për të tretën herë në skenë të opera“Luja e Kujtimit”, libretin e të cilës e ka shkruar im atë Andon Mara, së
bashku me Aleko Skalin, po rrjeshtoj disa kujtime, që lidhen me “korrigjimin” e
saj në vënien e dytë në skenë në vitin 1978.Kujtoj që babaj bashkë me Lekon(A.Skalin) kishin një lloj
ngazëllimi, që vepra e tyre po rivihej në skenë. Dukej se pas suksesit të
viteve të para 1961-64, opera e Kristo Konos nuk ishte më në repertorin e
Teatrit të Operas. Ndonëse nuk jam specialist i muzikës dhe aspak në gjendje të
gjykoj nivelin e operave shqiptare, në opinionin e përcjellë nga autorët në atë
kohë, “Lulja e Kujtimit” ishte opera më e mirë shqiptare. Gjithsesi nuk di se për
ç’farë arsye, në fund të vitit 1977, dikush u kujtua ta nxjerrë sërish nga
sirtarët. Kujtoj që të tre(Konoja, Lekoja dhe babaj) kishin një lloj rezistence
për ndryshimet edhe pse kishin mirëpritur rivënien. Kompozitori i nderuar
kishte arritur të 70-tat dhe dy libretistët nuk ishin më të rinj, bile Lekoja
kishte dalë në pension.Punonin të dy në shtëpinë tonë dhe pasi bënin ndryshimet i
shpinin tek Kristo Konoja për të marrë miratimin e tij dhe për të hedhur edhe
ai në nota ndryshimet. Bënin shaka me kërkesën për korrigjiime, e cia nga “ka i
fije, ka i fije” sipas Cesk Zadesë, që atë kohë duhet të ishte udhëheqës
artistik i Teatrit të Operas, ishte bërë shumë më e madhe. Megjithatë edhe ata
e dinin mirë se kërkesat për ndryshime nuk vinin nga Cesku, por nga zyra me rëndësi
të Komitetit të Partisë të Tiranës, Ministrisë së Arsim-Kulturës a ndoshta edhe
më lart. Kur e kisha pyetur babanë, se c’lloj ndryshime kërkoheshin, më kishte
thënë kryesisht heqjet e koraleve me çetat e komitëve bullgarë, për shkak të
marëdhënieve jo të mira me vendet e Kampit Socialist si dhe rifreskime të gjuhës
dhe “ndonjë përshtatje me kohën”. Kërkesat i dukeshin të kota se dihej që
libreti ishte i bazuar mbi romanin e Foqion Postolit të shkruar me vërtetësi më
1905, ndaj “aktualizimi” i tij nuk kishte asnjë kuptim, por të tilla “absurditete”
nuk ishin të parat që vinin nga instruktorët partiakë injorantë të Komiteteve të
Partisë të cilët për hir të së vërtetës atë kohë kishin frikë edhe nga hija e
tyre.Kështu, në tavolinën tonë të bukës të mbuluar me një mushama
me dekoracion frutash, prodhim I Pastmasit të Lushnjës, bëheshin korrigjimet e
libretit të operas “Lulja e Kujtimit” në dimrin e viteve 1977-78. Babaj kishte
një shkrim të bukur dhe i mbante letrat e sistemuara mire. Hidhte me laps në
letër vargjet që diskutonin për t’i korrigjuar ose ndryshuar komplet, ndërsa
Lekoja nxirrte herë herë pusulla nga
xhepat ku kishte hedhur frymëzime në ditët
e mëparshme. Këto kisha parë dy tre herë kur kisha hyrë në kuzhinë dhe kisha qëndruar
jo më shumë se pesë minuta, pasi nuk ju pëlqente të kishin njeri “nëpër këmbë“,
kur punonin.Ishin vite terrori. Disa muaj më parë, disa kolegë të tyre,
piktori Vangjush Tushi, gjuhëtari Gaqo Peci, muzikanti Kiço Venetiku, ishin dënuar
më burgime të gjata për veprimtari armiqësore kundër pushtetit popullor. Aleko
Skali, kishte patur kurajon, që në gjyq të ngrihej dhe të mbronte Gaqo Pecin,
si djalin e patriotit Sotir Peci dhe si një qytetar luajal.Në qershor të vitit 1978, opera “Lulja e Kujtimit” u shfaq e
korrigjuar. Të dy libretistët nuk kishin as ftesa dhe nuk e panë dot shfaqjen në
Tiranë. Nga sa ju kishte thënë Kristo Konoja, I cili kishte qënë I pranishëm në
premierë, shfaqja kishte qënë e dobët, gati e dështuar.Megjithatë ishte opera e tyre, për të cilën kishin punuar me
përkushtim dhe dashuri në fillimin e viteve ’60.
Monday, 23 January 2017
“Lulja e Kujtimit” dhe “korrigjimi” i saj
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment