Sunday, 29 January 2017

Korça ime

Kujtoj, që për herë të parë në jetën time, kur kam qënë në kopësht, kam bërë një vjershë(nëse më lejohet ta quaj vjershë) me dy strofa për Korçën. Disa ditë më vonë, një për edukatoren me një strofë dhe me kaq u mbyll vjershërimi im i hershëm. Babaj, që ishte shumë skrupuloz në ruajtjen e çdo gjëje të krijuar, i pati daktilografuar dhe ende duhet të jenë në ndonjë nga dosjet e tij të shumta. Nuk di nëse dashuria për qytetin vjen natyrshëm për të gjithë, apo se kisha dëgjuar shumë lavde në shtëpi për Korçën dhe korçarët, por kjo më ka ndodhur mua dikur rreth vitit 1965 dhe nuk di si ta spjegoj ende sot.Në vitet ’60 korçarët konsideroheshin nga të tjerët si “lokalistë“ dhe kishte shumë përpjekje të vetë korçarëve të mbanin “flamurin” e kulturës dhe të qytetërimit, flamur ky që gradualisht u gris nga ngritja në poste drejtuese e injorantëve dhe nga largimi drejt Tiranës, i më të talentuarve korçarë.I hodha këto rrjeshta, jo për të treguar se sa e dua Korçën, por për të nënvizuar një gjë të njohur” që sa më shumë moshohemi, aq më tepër ëndrrat i shohim me qytetin ku jemi lindur e rritur”.
Qyteti ka pasur periudha të lavdishme, periudha zjarresh dhe tërmetesh, periudha rëniesh dhe të tjera të një rigjallërimi.
Edhe pse nuk kam qënë prej më shumë se pesë vjetësh, kam mësuar dhe e ndjej, që periudha që po kalon Korça tani është një periudhë rigjallërimi. Të mos ja u hamë hakun edhe atyre që e kanë udhëhequr, këtë periudhë, pavarësisht nga motivet, nga gabimet apo edhe dështimet.
Le të jemi të ndershëm me veten, kur flasim për një gjë kaq të dashur sa qyteti jonë, që për të gjithë është “i imi” dhe në të vërtetë, ju takon të gjithëve dhe të gjithë edhe nëse nuk bëjnë dot gjë, kanë të drejtë të flasin për të.
Ka një dukuri tepër negative, e cila për fat të keq, mbizotëroi në 80 vitet e fundit. Korça mbeti “e vockël” dhe për fat të keq, do vijë e do rrudhet akoma më shumë për shkak të rënies demografike.
Unë kam jetuar gati gjithë jetën time pranë qendrës dhe shumë herë më është kujtuar thënia e një studenti korçar, të viteve ’70, që kur ishte kthyer nga Tirana “ I ishte dukur Korça si kotec”. Edhe pse tingëllon e ekzagjeruar, ka një të vërtetë të madhe në të. Hapësira e lëvizjes të një të riu të zakonshëm sot, ka mbetur e njëjtë, si ka qënë për tim atë dhe për mua. Pazar-Ushtari i Panjohur-Lëndina e Lotëve. Brenda këtij 1 kilometri e gjysëm, bëhet shëtitje, blihet, takohesh me vajzat, shkohet në kishë apo xhami, rri në kafene.Sado të investohet dhe të kthehet në “luksoze” kjo pjesë e qytetit, Korça mbetet në kornizat e “lulëzimit të saj të pas tërmetit të 1929-ës”.
Dhe ky ka qënë gabimi i vazhdueshëm i urbanistëve, që kanë “futur duart” në 80 vitet e fundit në Planin Rregullues. Pjesët e reja, janë trajtuar vazhdimisht sipas parimit ‘shto miell, shto ujë“ dhe prandaj nuk të merr malli të shkosh në pjesë të tjera të qytetit. I njëjti gabim është edhe në Plain e Ri, këtë rradhë edhe nga mosnjohja dhe nga interesa të caktuara të ndërtuesve dhe të “drejtuesve “ të qytetit.
Po e të kthehem edhe pak në historinë e ndërhyrjeve kryesore në Urbanistikë. Ato kanë qënë 3-4 duke filluar me planin Bertoldi të fillimit t[ viteve ’30.
Plani i parë(I quajtur Italian edhe pse bashkëautori ishte austriak) ishte vetëm një planifikim i ndërtimeve në zonat e reja dhe rektifikim i rrugëve. Në të nuk kishte asnjë studim serioz apo modern të zhvillimit të qytetit,edhe për faktin se të dy autorët e angazhuar në atë punë nuk ishin profesionistë të ndonjë niveli të lartë dhe ndoshta edhe me pak ambicie ka qënë detyra që ju ishte kërkuar. Nuk ishte aspak një plan modern apo shumë serioz si mund të paraqitet sot.
Ndërhyrjet e mëdha të viteve ’60, ishin të diktuara nga dy kërkesa të domosdoshme. E para ishte ndërtimi i apartamenteve për të lehtësuar problemin shumë të madh të strehimit dhe e dyta ishte përmirësimi i arkitekturës në arteriet kryesore të qytetit, për shkak të dëmeve që ishin shkaktuar nga tërmeti i 1960-ës dhe nga gjendja jo shumë e mirë e disa ndërtimeve përgjatë bulevardit. 
Autori i studimit urbanistik ishte urbanisti Misto Mele(korçar “denbabaden”), që kishte mbaruar në Bashkimin Sovjetik dhe sgurisht që do kishte ndikime nga shkolla ruse. Edhe pse pallatet që vendosi Misto Meleja shin përgjithësisht të gabuara dhe hasën në rezistencën e shumë intelektualëve korçarë, kryesisht për rastet kur bllokoheshin rrugët(si tek Vetshërbimi, MAPO-ja apo pallati përballë Kinemasë), motive ishte të ndërtoheshin banesa kolektive komode për kohën, dhe t’i jepej një frymë më modern qytetit. Përrallat se Diktatura kërkonte të mbulonte vilat e bukura dykatëshe me fasada të mëdha, janë idiotllëqe, të cilat nuk i ngre kandari. Edhe pse shumica e vëllimeve të vënë nga Meleja ishin të gabuara, kjo kishte të bënte me kufizimet e tij si urbanist dhe me kërkesën e shpejtë për një numur të madh apartamentesh. Për shembull për aplikimin e të njëjtave koncepte në Vlorë, Mistoja ka pasur respektin më të madh të vlonjatëve dhe vërtet ka arritur suksese për atë periudhë.
Por edhe në Korçë, hapja psh e sheshit para Teatrit(të cilit i ze sot frymën sot Kulla Vrojtuese) është pjesë e Planit të Misto Meles.
Sa për ndërhyrjet e diktaturës dhe Diktatorit, duhet thënë me gojën plot, se Hoxha ka pasur për Korçën koncepte të mira urbanistiko dhe arkitekturore, që kanë shpëtuar jo vetëm Pazarin dhe Bulevard Republikën por edhe shumë rrugë apo ndërtesa të veçanta.


2 comments:

  1. Naum Maraja nje shkrim "interesant" nga ju. Fillon si nje perralle autobiografike per te vene femijet ne gjume dhe me pas kalon ne vleresime studimesh urbane qe me teper duken si vleresime amatoreske sepse nuk ka asnje gje te argumentuar. Cili eshte profesioni juaj qe te kuptojme nese e njihni mire fushen e urbanistikes dhe a keni experience ne kete fushe??? Me pak fjale na flisni cilat jane projektet tuaja me fryme moderne ne zhvillimin e urbanistikes te qyteteve tona qe dhe ne si lexues te kuptojme qe ajo qe na serviret a ka ndopak vlere apo eshte thjesht “ rubbish” per tu hedhur kosh plehrave. Dukeni teper cinik ne shkrimin tuaj per njerez qe i kane dhene vendit te vet brenda mundesive dhe kushteve modeste qe ofronte sistemi yne i asaj kohe. Vleresimi i punes te specialisteve qe ka patur Shqiperia eshte bere tashme ne forumet teknike dhe jo neper site amatoreske blogerash qe skane asnje lidhje dhe asnje ide mbi temen ne fjale. Nese me lejohet tju pyes ju si korcar dhe "arkitekt" cfare veprash i keni lene vendlindjes tuaj qe ju e kujtoni me kaq nostalgji nga viset amerikane??


    Msc. Ing. Ilda Themeli

    ReplyDelete
  2. E nderuar Msc. Ing. Ilda Themeli,
    Nuk di se c'lloj inxhinerie ke mbaruar, por nese ke studiuar fusha te aferta me ndertimin dhe urbanistiken, do te kishe kuptuar, qe opinione rreth urbanistikes mund te kene te gjithe njerzit me nje arsimim mbi shkollen e mesme. Ne urbanistiken e qyteteve ne bote, kane kontribuar me ide dhe mendime, njerez qe nuk kane studiuar arkitekture, ose qe nuk kane lene pas ndonje veper. Ne dallim nga fusha te tilla si mjekesia, elektronika apo astronautika, urbanastika dhe arkitektura jane fusha ku nuk duhet domosdoshmerisht ekspertize teper e specializuar. Prandaj edhe "gogolet", qe lene pas arkitektet apo urbanistet, kapen lehtesisht nga te gjithe dhe gjykohen nga te gjithe. E njejta gje ndodh me kryeveprat e arkitektures apo ansamblet harmonioze urbanistike.
    Blogu im nuk eshte i specializuar per arkitekturen dhe mos u mundoni te gjeni ne te analiza te thella dhe te argumentuara shkencerisht, te denja per nje Master of Science apo per me teper se kaq. Nuk kam ate qellim. Shpreh opinionin tim mbi ato, qe kam pare dhe lexuar, duke i kaluar ne filtrin e mendjes sime, i cili eshte aq i formuar, sa eshte edhe formimi im.

    ReplyDelete