Saturday, 21 January 2017

E shenjta e Drejtë e Fjalës

Eshtë arrestuar një mësuese, për shkak se ju ka thënë nxënësve, 
që ISIS dhe Bin Laden janë të mirë. Që mësuesja part-time e Medresesë të Shkodrës
nuk është shumë e kënduar, kjo nuk do shumë mend. Edhe që mund të jetë viktimë
e një propaganda pro-Al Qaeda apo pro-ISIS edhe kjo duket e mundshme.
Por arrestimi I menjëhershëm i saj nge shumë pikpyetje mbi
raportin, që ka shteti ynë me Lirinë e Fjalës dhe të Mendimit.
Vërtet , që mësuesja nuk ka asnjë të drejtë, që nxënësve
t’ju përcjellë opinionet e saj ndaj një teme delikate si ajo e terrorizmit, por
kjo duhet të mbetet një çështje administrative e Medresesë, e cila ka të drejtën
e saj të mbajë ose të heqë nga puna mësuesen Allushi, për shkelje të parimeve të
shkollës. Angazhimi i një emisioni investigativ gazetaresk dhe më tepër akoma
arrestimi i saj në një akuzë, që të kujton nenin famëkeq për agjitacion dhe
propagandaë kundër pushtetit popullor është jo vetëm tërësisht e gabuar, por
edhe e dëmshme për Shqipërinë.
Gjithkush ka të drejtë të ketë opinionin e tij për ngjarje,
personalitete, organizata, përfshi këtu edhe ato kriminale. Askush nuk
arrestohet në Shqipëri nëse thotë psh para nxënësve, që Adolf Hitleri ishte I
mirë. Me të njëjtin kut, duhet të arrestoheshin Fatos Klosi, Zabit Brokaj dhe Moisiu,
që thonë jo vetëm që ishte I mirë, por ngrenë në qiell duke e bërë burrë shteti
Mehmet Shehun. Gazetat kanë plot shkrime positive për enver Hoxhën, që ka vrarë
më shumë njerëz se Bin Ladeni dhe me të drejtë, askush nuk preket për këtë.
Po pse arrestohet mësuesja trushpëlarë Allushi?
Për të treguar ndaj Perëndimit që ne jemi në pararojë të terrorizmit?
Eshtë e gabuar.
As Perëndimi nuk na I kërkon këtë gjë. Për Amerikën dhe
Europën, Liria e Fjalës dhe Mendimit është e njëjtë. 
Me arrestimin e Allushit, ne vetëm nxisim propagandaën e
terroristëve dhe të fondamentalistëve islamikë. Fare mirë ata mund ta përdorin
si një sulm ndaj myslimanëve të thjeshtë duke shtuar përkrahësit e tyre.
Në Shqipëri si kudo në botë, ka dhe do ketë njerëz që nuk
kuptojnë thellësisht se ç’është ISIS, që dyshojnë në Amerika dhe në shtypi I
huaj dhe vendas, që simpatizojnë verpimet e terroristëve, që hapur ose fshehur
ju dalin në mbrojtje. Kjo është natyra e shoqërive njerëzore, që në krijimin e
tyre. Por kur fjala, është e kufizuar vetëm në shprehje të opinionit dhe nuk
ngjall urrejtje ose nxit veprime të dhunshme, nuk duhet ndëshkuar me arrestime
apo dënime sikundër bëri tek ne Diktatura për gjysëm shekulli.
Për këtë liri të fjalës ëndërruam të gjithë.




No comments:

Post a Comment