Vite më parë, im atë ankohej shpesh për një lloj frenimi të korçarëve për të propaganduar vlerat e Korçës dhe të popullit të saj. Krahasonte me qytetet e tjera” që nuk kanë bërë gjë prej gjëje, kur krahasohen me Korçën në art, kulturë, patriotizëm” dhe ngrenë zërin në qiell. Sidomos, e kishte fjalën për Shkodrën dhe Elbasanin, se Tiranën e para luftës nuk e “vinte në refene”. Nu di se sa e vërtetë ishte kjo në atë kohë, që ne korçarët vërtet “kemi një lloj turpi për tu mburrur”, apo se në atë kohë, një pjesë e mirë e vlerave të Korçës ose I përkisnin periudhës parakomuniste, ose ata që I kishin më të spikatura kishin përfunduar si kundërshtarë të regjimit.
E megjithatë, edhe sot ve re të njëjtën cilësi, të mospropagandimit të vlerave të vërteta të Korçës dhe korçarëve, që qëndrojnë në themelet e vlerave të Shqipërisë. Nuk dua të ndalem në arsyet, vetëm dua të përmend disa emra dhe të përqëndrohem në njëri prej tyre.
Nga kujtesa e kombit dhe e qytetit, rrezikohen të fshihen përfundimisht emra shumë të rëndësishëm, për shkak se nuk kanë lënë trashëgimtarë, kanë qënë të persekutauar një kohë të gjatë nga komunizmi, ose se janë tërhequr shumë dekada më parë nga jeta shkencore, politike ose artistike e qytetit ose e Shqipërisë.
25 vitet e fundit, që duhet të kishin nxjerrë në pah vlerat e këtyre korçarëve të shquar, që nderojnë jo vetëm Shqipërinë, por dhe Ballkanin, kanë qënë krejt të sipërfaqshëm në këtë drejtim. Jo rrallë herë, janë nderuar njerëz për shkak të përkatësive partiake të fëmijëve të tyre, ose për “të bërë ndere” ndaj atyre që kanë pushtet, para, ose dinë të shpërblejnë. Nuk kam në dorë një listë të qytetarëve të nderit të Korçës, por me siguri, krahas një vagabondi policie të viteve ’90, të vetquajtur Katani, apo Behgjet Pacollit, duhet të ketë edhe plot “rrozga” të tjerë, që jo vetëm nuk e nderojnë Korçën, por i venë njollë asaj.
Për t’ju kthyer emrave, që rrezikojnë të harrohen, mund të përmend Spiridon Ilon, Aleksandra Tashkon, Gaqo dhe Petraq Pilikën, Isuf Gjatën, Qemal Butkën, të gjithë Fundot dhe Kuneshkat, professor Kondën, Balltadorët e sa e sa të tjerë.
Po ndalem tek Zai Fundo, që padyshim është një nga njerzit më të shquar dhe më europianë që ka nxjerrë Korça. Edhe në një dokument të fundit të legatës amerikane, hyn në 14 shqiptarët që e njohin më mirë shqipen krahas Konicës, Nolit dhe Fishtës.
Zai nuk mund të fshihet lehtë nga kujtesa, se për të u “kujdes” edhe propaganda e Partisë së Punës, që e kishte përmendur në Historinë e saj si renegat, sikundër kishte bërë edhe me të tjerë komunistë të shquar të qarkut të Korçës, si Anastas Luloja apo Pali Tërova. Brezat e detyruar të mësonin Historinë e PPSH, i mësonin këto emra të damkosur, të afërmit e të cilëve shpesh i kishin shoqe dhe shokë shkolle.
Por Zai shkëlqente dhe shkëlqen mbi të gjithë njerzit e tjerë të së Majtës Europiane, për kulturën, shkollimin, veprimtarinë patriotike dhe atë ndërkombëtare. Ai nderohet dhe përmendet nga njerëz të së Majtës italiane, asaj franceze dhe gjermane dhe paskush e ze në gojë në Korçë dhe Shqipëri. Për shkak të frikës dhe injorancës, korçarët, 26 vite më parë, kur demostronin me thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, në duar duhet të mbanin portretin e Llazar Fundos, që kishte ideuar Europën e Bashkuar.
As edhe një shkollë nuk mban emrin e këtij njeriu të madh.
Nuk ka pse të ketë në Korçë shkolla me emrin e “Ismail Qemalit”, se është mbushur Shqipëria me to. Verini emrin e madh të Zai Fundos një shkolle të mesme se nuk nderoni Zain, por I bëni nder Korçës dhe ndërgjegjes e kujtesës të saj!
No comments:
Post a Comment