Monday, 23 January 2017

Myfto dhe Velinovska per Peleshin (5)

“Gjatë dy vizitave të 
Shtrausit në Shqipëri më 1988, shërbimeve sekrete izrailite dhe ruse nuk ju ka
shpëtuar pa rënë në sy, lëvizjet drejt Kapshticës, të kolonelit të BND Gerd
Litbarski, i cili në të dy rastet ka fjetur në ish-hotel “Borova”në Korçë,
hotel në të cilin nuk qëndronin kurrë të huajt. Në dritën e zhvillimeve të
sotme, kuptohet që edhe pse nuk ka prova të kohës, Litbarski ka ndenjur në atë
hotel, që ndodhet vetëm 112 metra larg shtëpisë të Peleshëve, për të realizuar
takime të fshehta gjatë natës dhe për të mos rënë në sy të Sigurimit të Shtetit
në Korçë, që atë kohë drejtohej nga vëllai finok i atorit Birçe Hasko dhe
kishte në organikë oficerë me një inteligjencë të jashtëzakonshme si Qerreti,
babai i këngëtares së njohur Bleona, mikeshë e kandidatit për president të
Amerikës Donald Trump. Cili ka qënë misioni i Litbarskit nuk ka mundur të përcaktohet
plotësisht edhe në ditët e sotme, se 12 vite më vonë, ai u gjet pa ndienja nën
një urë të Mynihut, dhe pas kurimit itensiv në spitalin “Dojçes Hercentrum”, ka
humbur plotësisht kujtesën dhe përsërit vetëm copa fjalish të një shqipeje
primitive si “ jem shoq o burr i dheu”, “a ka paçe?” dhe “si t’gjej kushri?”…”


Edhe pse pata vendosur të përcjell pjesët e raportit si më
kanë rënë në dorë, pa ndryshime dhe pa bërë asnjë koment, nuk mund të rri pa thënë,
se duke njohur qytetin dhe vendosjen e hotelit Borova, si dhe ngjarjet që kanë
pasuar, më duket se implikimi i Peleshëve me Litbarskin është i sforcuar.
Koloneli gjerman mund të ketë kryer takime të fshehta me Naumaqin e Belurëve,
që jetonte ngjitur me hotelin ose me të vëllanë e Beçe Kokëmadhit, që shiste
imonikë 50 metra më poshtë, kur dihet roli që luajtën të dy të sipërpërmëndurit
në rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës, 3 vjet më vonë.


“…Periudha maj-qershor 1990, ka qënë një periudhë shumë intensive për degën e BND në Tiranë, pasi nga qendra kërkohej rekrutimi i mbi 20 të rinjve intelektualë, të cilët do
formoheshin si agjentë të Gjermanisë, dhe më vonë do shërbenin si elita udhëheqëse
e Shqipërisë Etnike, projekt ky i hershëm austriako-gjerman, që është në themel
të Ost-politik. Disa nga të rinjtë u orientuan të hynin në Ambasadën gjermane në
2 korrik të atij viti dhe më pas të trajnoheshin në shkollat e BND në arte
marciale, poltikë ndërkombëtare, gjuhë të huaja përfshi këtu edhe dialekte, marëdhënie
të njëkohëshme me shumë gra, pak a shumë të ishin 007-at e Gjermanisë në
Ballkan. Sipas të rekrutuarit Muharrem …… me pseudonimin “Lekja”, i cili më vonë u largua
nga shërbimi i BND për përdorim pa kriter të pijeve alkolike, në projektin
fillestar i kushtohej shumë rëndësin jë të riu intelektual nga Korça, për vetë
faktin, që zona juglindore e Shqipërisë duhet të largohej me çdo kusht nga një
ndikim i mundshëm francezo-greko- rus. “Lekja” nuk ka patur dijeni për
identitetin e intelektualit korçar, por duke përjshtuar kandidaturat e Raqi
Gjermanit dhe Zeme Tedeskut, për mungesë inteligjence, i vetmi kandidat,
inteligjent, filodojç, dhe me njohuri gjuhësh të huaja dhe dialektesh mbetet
zv.kryeministri Niko Peleshi…”
(Vijon)

No comments:

Post a Comment