Në planin e fillimit të viteve ’60, bënte pjesë edhe një ndërhyrje me rëndësi për qytetin, ajo e mbulimit të Lumit të Korçës dhe e kthimit të tij në një rrugë të gjerë dy kalimshe dhe me trotuar në mes, ashtu si është edhe sot. Pas 50 viteve të realizmit të saj, sot, me rriten e lëvizjes së automjeteve, Shëtitore “Fan Noli”, mund të rishikohet për tu zvogëluar pjesa e trotuar-lulishtes, për të krijuar kalimin me dy korsi të automjeteve, sigurisht e shoqëruar dhe me semaforë, për të patur një shpejtësi minimale të qarkullimit të makinave.
Ndërhyrjet e mëdha urbanistike të viteve ’70 dhe ’80, konsistojnë në ndryshimet në Qendrën e qytetit dhe në ndërtimin e Bllokut të madh të banesave në zonën e ish-Kazermave.
Ndërhyrja e parë është projektuar nga Instituti nr 1 në Tiranë dhe ka për autor urbanistin Gjergji Kotmilo edhe ky i lindur dhe i rritur në Korçë. Jo për të shfajësuar Kotmilon, por për të qënë sa më pranë të vërtetës, ndërhyrja në Qendër u konceptua në zbatim të një ideje të Enver Hoxhës, për të krijuar një shesh, si miniaturë të sheshit para Shën Pjetrit në Romë, që të përmbante tre elementë të jetës socialiste: Një Komitet Partie(ideologjinë), Pallatin e Kulturës(kulturën) në qendër dhe në të djathët një qendër e madhe tregëtare(ekonominë) disa katëshe. Projekti mendohej të krijonte një lloj kolonade si imitim i asaj të Berninit, që do shtrihej në gjithë harkun e kompleksit dhe do dominonte në volumin kryesor, atë të Pallatit të Kulturës.
Projekti filloi të vihej në jetë në fund të viteve ’70, kur u prish pjesa e ndërtimeve prej librarisë dhe deri në “furra e Ligorit”, përgjatë bulevard “Republikës”, që ka qënë një nga pjesët më të bukura të zonës qëndrore të qytetit, sëbashku me të mirënjohurën farmacia “Cekani”. Në mënyrë të pallogjikshme dhe jo organike u ngrit një platformë, rreth 1m e 80 nga fundi I rrugëve të qytetit mesjetar, që zbrisnin drejt bulevardit “Shën Gjergji”, që sot ka marrë emrin e shëmtuar Pedonalja. I gjithë kompleksi i përfunduar, do i ngjiste një skene madhështore, butaforike, që do dëshmonte për forcën e sistemit të ri socialist të udhëhequr nga Partia. Të gjitha volume, dilnin jashtë raporteve normale me ndërtimet ekzistuese, që në atë zonë ishin nga ndërtimet më të vjetra të qytetit dhe të cilat vetë shteti i kishte shpallur monumente kulture. Në këtë kuadër, filloi dhe hapja e rrugës së re, ndërmjet Ambulancës dhe Radio-Korçës, e cila do ishte në vijë të drejtë me pjesën e boulevard Republikës deri në sheshi i vogël para kinemasë.
Ishte një ndërhyrje, e cila e dëmtoi përfundimisht Qendrën, ndonëse në disa pjesë të saj ajo kishte nevojë për ndërhyrje. Nga 3 objektet u ndërtua vetëm Komiteti i Partisë dhe vendin e Pallatit të Kulturës, por më e avancuar në drejtim të sheshit e zuri në vitin 1993, Katedralja, vendosja e të cilës ka një histori më vete aspak të lidhur me parimet e urbanistikës dhe arkitekturës.
Ndërhyrja e dytë madhore ishte në fillimin e viteve ’80, me zbrazjen e territorit të Korpusit ushtarak, pas spastrimit të madh në ushtri në vitet ’70. Ishte një sipërfaqe e hapur , e mrekullueshme për të ndërtuar një mikrorajon, që do krijonte hapësira të tjera jetësore, çlodhëse dhe kulturore për Korçën duke e kthyer në një qytet me dy qendra. Për fat të keq, Instituti I Projektimeve nr 1, nu u mor me këtë zonë, por ja la për projektim Zyrës së Urbanistiës të Korçës, e cila atë kohë drejtohej nga inxhinieri i rrugëve Kostë Gusho. Padija e Gushos, e shoqëruar me presionin e seksionit të ndërtimit për të hapur sheshe ndërtimi për Ndërmarjen e Ndërtimit, bënë, që projekti jo vetëm të bëhej shkel e shko, por në të të mos angazhoheshin projektuesit më të mirë të qytetit. Kostë Gushoja i imponohej projektueses për vendosjen e objekteve, dhe projekti i mikrorajonit, ku do jetonin mbi 8 mijë banorë, katandisi, si e quante me të drejtë miku im Stavri Bezhani në atë kohë, në një “sqedhjo qilimi”. Në të nuk kishte as ide ruse, as parime komuniste, as mungesë konsulence të huaj, as kusure të sistemit. U projektua shumë më keq nga mundësitë e kohës për shkak të injorancës të drejtuesve të Komitetit Ekzekutiv të kohës dhe veçanërisht të inxhinierit Gusho, i cili nuk kishte as formim dhe as këllqe për atë detyrë me aq rëndësi për zhvillimin e qytetit.
(Vijon)
No comments:
Post a Comment