Thursday, 26 January 2017

Krijimi i Tregut të Lirë dhe Korrupsioni


Ka një shprehje, e cil përdoret jo rrallë nga politikanët amerikanë: “Vetëm të vdekurit dhe budallenjtë nuk ndryshojnë mendim!”. E thonë kur duan të justifikojnë ndryshimin e ideve dhe qëndrimeve të tyre politike. Kjo gjë mund të vlejë fare mirë edhe për debatin e “nxehtë“ rreth mediave shqiptare dhe sidomos për Henri Cilin, ndonëse ky i fundit nuk pranon të ketë ndryshuar ide apo qëndrime në 10-15 vitet e fundit.
Edhe pse rasti Lela është një dëshmi jo e favorshme për Cilin (gazetari Alfred Lela, kishte një profil të qartë liberal dhe pro qendrës së djathtë), dëshëroj t’i jap Cilit “përfitimin nga dyshimi”(the benefit of the doubt), sepse jo vetëm argumenton mirë idetë e tij, por edhe në debatet me shkrim apo televizive, ka llogjikë dhe vetpërmbajtje të admirueshme, e cila për fat të keq ju mungon kundërshtarëve të tij.
Por le të kthehemi në “liberalizmi” i Cilit, i cili është shumë i ngjashëm me liberalizmin e predikuar nga Berluskoni dhe jo me atë të Theçërit.
Eshtë e vërtetë, se në Shqipëri ka pasur nevojë të madhe për të “shkallmuar” sistemin tërësisht shtetëror dhe për të ndërtuar një sistem demokratik dhe të Tregut të Lirë. Por ka një të vërtetë tjetër, që “liberalizmin ekonomik” nuk e ka përqafuar kërkush që në fillimin e viteve ’90, me përjshtim të Pashkos, I cili ka qënë përkrahës i “terapisë shok” të Fridman-it dhe shkollës së Cikagos dhe që kur aplikohet shkakton plagë të mëdh sociale, sidomos në vende tepër të varfra si i joni. E megjithatë, arsyeja e vërtetë, që Berisha i Parë nuk ishte liberal, ishte dëshira për të patur pushtet të pakufizuar dhe për të kontrolluar gjithshka, ndaj dhe privatizimet, kthimi i pronave dhe masa të tjera drejt një ekonomie të Tregut të Lirë, u bënë të gabuara dhe të shoqëruara me klientelizëm dhe korrupsion.
Autoritarizmi dhe përqëndrimi i pushtetit përjashtojnë liberalizmin.
Pikërisht këtu ndryshojnë liberalizmi i Theçerit me atë të Berluskonit. “Liberalizmi” i Ramës dhe Berishës është një kopje akoma më e shëmtuar e”liberalizmit” të Berluskonit, i cili , për vetë kushtet e Italizë, e kishte të vështirë të përballej me pushtetin e magjistratëve, pushtet të cilin nuk e kontrollonte dot.
Autoritarizmi dhe përqëndrimi i pushtetit (përthyer në korrupsion), kanë qënë krakteristikat kryesore të lojtarëve politikë të sotëm Berisha, Rama dhe Meta. Ata nuk kanë qënë kurrë dhe as mund të jenë “liberalë“. Në politikat e tyre të veçanta, gjatë Berishës  Dy, apo gjatë tre viteve të qeverisë Rama, ka pasur përpjekje për “masa liberale” në ekonomi të diktuara nga llogjika ekonomike, por asnjëherë nuk ka pasur “fara” të liberalizmit të vërtetë. Nuk mund të bëhet fjalë për liberalizëm të udhëheqësve, që duan të kontrollojnë jo vetëm qeverinë, por edhe parlamentin, edhe gjyqësorin, edhe median.
Berisha dhe Rama janë përpjekur të kenë sa më shumë pushtet në duart e tyre dhe pas vitit 2005, ligjet dhe masat për centralizim janë shtuar(pa përmendur këtu veprimet në prapaskenë dhe presionet ndaj pushteteve të tjerë). Reforma territoriale e Ramës është një nga ilustrimet më kuptimplotë. Proklamimi i “rilindjes urbane” të qyteteve, si masë e qeverisë, është një tjetër dëshmi e antiliberalizmit të Ramës. Shtimi i borxhit publik gjithashtu është antiliberalizëm.
E megjithatë, Cili ka të drejtë, që Rama ka devijuar më djathtas se programi i tij i vitit 2013 dhe për këtë duhet përgëzuar dhe mbase meriton edhe një mandat të dytë për të shkuar më djathtas.
Edhe mua nuk më intereson fakti, që Rama ka tradhëtuar elektoratin e tij. Zaten, elektorati e ka ditur në krye të herës se Rama nuk është as i majtë dhe as i djathtë, por është “i partisë së Ramës”.
Por le ta “mbrojmë“ idenë e mandatit të dytë, si mungesë të një alternative më të mirë dhe jo si vazhdim të reformizmit pozitiv.
Partia e Qendrës së Djathtë është një parti e “asfiksuar” nga Berisha dhe si e tillë nuk është në gjendje as të ndërtojë një program vërtet të djathtë dhe as të fitojë zgjedhjet. Meta është personifikimi i korrupsionit dhe si i tillë, nuk mund të konsiderohet si kandidat për kryeministër.
Na mbetet kryeministri  që kemi dhe shpresa se një parlament i copëtuar, mund të rrëzojë më 2018-ën Ramën Dy, kur parti të tjera serioze të djathta dhe të majta të kenë fituar besimin në njerzit.
Ndoshta kjo është edhe ideja e Henri Cilit, për të shpënë para idetë e tij liberale.
Sa për Korrupsionin e politikanëve të sipërpërmendur, le të shpresojmë se do e “vërë në zap” Reforma në Drejtësi. Dhe për këtë të fundit, është mirë, që Ramës mos ja hamë hakun! Mbase vetëm për mbështetjen dhe realizimin e saj meriton një mandat të pjesshëm të dytë.


No comments:

Post a Comment